Ndërlidhjet

Veriu "vërshohet" me forca rendi edhe më 1 dhjetor


Qendër votimi më 17 nëntor, në veri të Mitrovicës
Qendër votimi më 17 nëntor, në veri të Mitrovicës
Gara për balotazh në katër komunat veriore të Kosovës, pritet të përcillet nga një numër i madh i forcave të policisë vendore dhe të huaja, si dhe atyre paqeruajtëse. Lehtësuesit e procesit atje nga misioni i OSBE-së në Kosovë, thonë se presin garanci nga këta faktorë për mbarëvajtjen e procesit.

Kosova më 1 dhjetor do të mësojë nëse është e aftë të jetë pjesë e së ardhmes evropiane dhe për këtë sfidë, planet e sigurisë sërish po vihen në sprovë, kur bëhet fjalë për organizimin e zgjedhjeve në katër komunat veriore.

Formulim të tillë ka bërë Qeveria e Kosovës kur ka paraqitur para opinionit vlerësimet që po jep faktori ndërkombëtar se sa e rëndësishme është që procesi zgjedhor të jetë i qetë gjithandej vendit, e në veçanti në veri, ku për herë të parë Prishtina shtriu këtë proces.

Policia e Kosovës si intervenuesi i parë në vendngjarje, thotë të ketë vendosur të shtojë numrat e forcave të rendit në ditën kur zhvillohet gara në balotazh e kandidatëve për kryetarët e katër komunave veriore, Zveçanit, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut.

Komandanti i policisë rajonale për veri, Nenad Gjuriq, thotë për Radion Evropa e Lirë se forcat e rendit kanë detyrë të qartë se siguria duhet të jetë në nivel për balotazh, prandaj edhe do të shtojë praninë e vet që mbarëvajtja e procesit të kalojë e papenguar.

“Në parim prania do të jetë e njëjtë si më 17 nëntor, për dallim se tani kemi më shumë qendra të votimit. Kjo po bëhet vetëm për të siguruar gjithë procesin zgjedhor, kjo është detyra jonë kryesore”, thotë për Radion Evropa e Lirë kapiteni Gjuriq.

Votimet e 3 nëntorit në këtë zonë të banuar me shumicë serbe, u ndërprenë para kohe, pas një sulmi që ndodhi në qendrën e votimit në shkollën fillorë “Shën Sava” në veri të Mitrovicës.

Lehtësuesit e misionit në Kosovë të organizatës për siguri dhe bashkëpunim në Evropë-OSBE, si rrjedhojë e gjendjes së krijuar evakuoi personelin nga atje.

Dy javë më vonë, serbët e veriut të Mitrovicës u ftuan të rivotojnë në tri qendrat më të mëdha të votimit atje, dhe mbi 5,200 persona e shfrytëzuan të drejtën pa u kërcënuar nga askush.

Zëdhënësi i OSBE-së, Nikolla Gaon, thotë se edhe këtë herë shumëçka në ditën e zgjedhjeve, varet nga policia.

“Ne jemi të gatshëm për të zbatuar rolin tonë si lehtësues”, thotë ai, duke shtuar: “ne kemi falënderuar Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe KFOR-in për një punën e shkëlqyer më 17 nëntor. Ne kemi besim të plotë në këta ofrues të sigurisë, dhe ne do të vazhdojmë të llogarisim në ta që të garantojnë sigurinë e personelit tonë dhe të procesit, po ashtu, më 1 dhjetor”, thotë Gaon për Radion Evropa e Lirë.

Situata në veri të Mitrovicës vazhdon të jetë e tensionuar prej muajsh dhe serbët atje janë të ndarë në dy taborë, për dhe kundër mbajtjes së tyre.

Kampi anti-zgjedhor, pati akuzuar forcat e rendit dhe ato paqeruajtëse për okupim të veriut të Mitrovicës, për shkak të pranisë së madhe të ushtarëve dhe policëve në rrugët e qytetit më 17 nëntor.

Misioni evropian për sundimi të ligjit në Kosovë - EULEX thotë të ketë analizuar veprimet dhe reagimet në terren pas planit operativ dhe se po bëhet gati për balotazhin.

“Ne jemi duke vlerësuar mësimet e nxjerra nga 3 dhe 17 nëntori dhe do të ulemi me partnerët tanë për të diskutuar për raundin e ardhshëm. Ne presim që roli ynë rreth aranzhimeve të sigurisë, për përsëritjen e pjesshme të votimeve në Zveçan dhe raundin e dytë në pjesën veriore të Mitrovicës, të jetë i ngjashëm si më parë. Policia e Kosovës është në krye, EULEX-i do të jetë intervenuesi i dytë, ndërsa KFOR-i është intervenuesi i tretë", bën të ditur për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i këtij misioni, Blerim Krasniqi.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë të premten se mbarëvajtja e zgjedhjeve në veri të vendit, është vlerësuar lart nga perëndimi dhe se i njëjti vlerësim i duhet edhe më 1 dhjetor, sepse kjo do të dëshmojë se vendi “e ka dhënë testin evropian”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG