Ndërlidhjet

Korrupsioni lidh bizneset dhe zyrtarët publik


Bizneset në sektorët e prodhimit industrial, të furnizimit me energji elektrike, gaz dhe ujë, janë më të prekurat nga ryshfeti të pasuar nga bizneset në sektorin e tregtisë me shumicë dhe të tregtisë me pakicë.

Kështu thuhet në raportin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, i cili është përpiluar në bashkëpunim me Entin e Statistikave të Kosovës.

Në raport thuhet se zyrtarët publik me rrezik më të lartë të ryshfetit në bashkëveprim me bizneset janë ata të doganave, zyrtarët tatimor të të hyrave dhe zyrtarët komunal.

Në raportin e publikuar në Entin e Statistikave të Kosovës, thuhet se “një përqindje e konsiderueshme e bizneseve iu paguajnë ryshfet zyrtarëve publik në mënyrë të përsëritshme, gjatë gjithë vitit".

Michael Jandl, zyrtar për hulumtime në Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, deri sa ka përmendur disa nga variacionet e ryshfetit nëpër sektorët e bizneseve, deklaroi se në Kosovë nga anketat e bëra ka dalë se 59.2 % e ryshfetit është paguar me para të gatshme.

“Ryshfeti apo pagesat janë kërkuar kryesisht nga zyrtarët publik. Në gjysmën e të gjitha rasteve 50.1% pagesa është bërë ose me kërkesë në mënyrë eksplicite, 13.3% a implicite 30.3% nga zyrtarët publik ose me kërkesë të palës së tretë, 6.5% në emër të zyrtarit. Ndërsa në 38% të rasteve ajo është ofruar nga një përfaqësues i biznesit pa kërkesë paraprake”, shpjegoi Jandl.

Jandl tha po ashtu se rreth një e treta e 34% e të gjitha ryshfeteve të paguar nga bizneset në Kosovë është paguar para shërbimit, ndërsa 31.7% është paguar pasi shërbimet të jenë kryer.

Qëllimet kryesore të pagesës së ryshfeti, thuhet në raport, janë bërë për ta përshpejtuar një procedurë ose për ta bërë të mundur finalizimin e një procesi.

Normat e përhapjes se ryshfetit të paguar zyrtareve publik është me e lartë për zyrtarët doganor dhe zyrtarët e taksave.

Ndryshe siç shpjegohet në raport, vetëm 3.7% e të gjitha ryshfeteve nga bizneset janë raportuar tek autoritete kompetente kundër korrupsionit.

Një e treta e bizneseve diku 28.2% nuk e kanë raportuar ryshfetin sepse siç kanë thënë ata, raportimi do të ishte i pakuptimtë me që askujt nuk do t’i interesonte.

Lidhur me këtë çështje, Blerim Kelmendi drejtor i Departamentit për luftimin e korrupsionit në Agjencinë Kundër Korrupsionit tha se praktika për mos raportimin e korrupsionit duhet të largohet.

Institucioneve, qytetarët duhet t’iu besojnë dhe të bashkëpunojnë me to. Duhet të promovohet kjo çështje që të përcjellësh informata të institucionet kompetente dhe të bashkëpunosh me to. Nuk është një vepër e ligë por është një akt i lartë moral dhe patriotik. Korrupsion në Kosovë nuk nënkupton vetëm marrjen apo dhënien e ryshfetit por ligji e ka përcaktuar se korrupsion është çdo keqpërdorim i pushtetit”, tha Kelmendi.

Ndryshe përhapja e ryshfetit, biznes me biznes në Kosovës arrin në 0.6%. Kjo formë e ryshfetit në sektorët privat ka normat më të larta të përhapjes në sektorët e ndërtimtarisë dhe atë të prodhimit industrial të kombinuar.

Qëllimi më i rëndësishëm i ryshfetit biznes me biznes në Kosovës është për ta fituar një kontratë (51.4 %).

Nga të gjetura te këtij raporti thuhet se Bizneset në Kosovë janë të prekura nga format të ndryshme të krimit në shkallë të ndryshme, 10.1% për vjedhje dhe thyerje, 8% për mashtrim nga të jashtmit 3,2% nga vandalizmi e të tjera.

Kurse, zyrtarët e BE-së në Kosovë, me rastin e publikimi te këtij raporti shprehën gatishmëri për bashkëpunim në trajtimin e sfidave të identifikuarave me qëllim që të shihet zhvillimi i Kosovës në të ardhmen.

Melvin Asin, zëvendësdrejtor për bashkëpunim në zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë tha se "bashkëpunimi dhe koordinimi i limituar janë përgjegjës për gjetjen. Hulumtimin dhe ndjekjen e korrupsionit dhe mungesa e një qasjeje më pro-aktive në hulumtimin e korrupsionit duket se janë pengesat kryesore për një efektshmëri më të lartë dhe janë arsyeja për një numër të ulët të dënimeve në këtë fushë”, deklaroi Asin.

Ky hulumtim, është realizuar duke zgjedhur bizneset rastësisht në gjithë Kosovën dhe sipas shtresave.

Shtresimi është bërë sipas sektorit të biznesit dhe numrit të të punësuarve.

Hulumtimi është kryer nga 20 shtatori e deri më 30 tetor të viti 2012.
XS
SM
MD
LG