Ndërlidhjet

Parqet industriale lehtësojnë punën e bizneseve


Parku i biznesit në Drenas
Parku i biznesit në Drenas
Krijimi i parqeve industriale në Kosovë ndikon në përmirësimin e kushteve të sektorit privat dhe për investitorët e huaj, thonë ekspertë për çështje ekonomike dhe pronarë të kompanive që tashmë veprojnë në parqe të tilla.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, deri më tani ka krijuar shtatë parqe. Disa nga to janë në funksion, ndërsa disa të tjera në proces të përfundimit.

"Parku i biznesit" në Drenas, me një sipërfaqe prej 24 hektarësh, gjendet në Magjistralen Prishtinë - Pejë.

Një ndër kompanitë që zhvillon aktivitetin në këtë hapësirë, është kompania për prodhim dhe montimin të ashensorëve “Liftkos”.

Pronari i saj, Idriz Hysenaj, thotë se është i kënaqur me kushtet që ofron ky park. Ai tregon se rrymë dhe ujë ka pandërprerë.

Në këtë kompani, aktualisht, punojnë rreth 20 punëtorë, ndërkaq parashihet që numri të shkojë deri në 60.

“Rruga është e ndërtuar, rrymë dhe ujë ka 24 orë, lehtësirat për leje të ndërtimit janë të favorshme, punët që ka pasur obligim Qeveria i ka përfunduar, ndërkaq të tjerat varen nga ne” , tregon ai.

Hysenaj, i cili në funksion ka një parcelë prej 100 arësh, sipas marrëveshjes, do të investojë deri në mbi një milion euro. Ai tregon edhe çmimin e qirasë duke e konsideruar real.

“Ne kemi 100 ari, aktualisht jemi duke paguar 750 euro në muaj. Sipas marrëveshjes që e kemi, në tre vjetët e parë kemi paguar nga 350 euro, pas 3-5 vjetësh është 750 euro në muaj, ndërsa pas 5 vjetësh çmimi i qirasë shkon në 1500 euro në muaj”, thotë Idrizaj.

”Parku i Biznesit” në Drenas, konsiderohet më i madhi në nivel vendi. Në këtë hapësirë janë të vendosura 32 biznese, shtatë nga to janë biznese me kapital të huaj, ndërkaq mbi 30 milionë euro janë investime të zotuara.

Aktualisht, në këtë park janë të punësuar mbi 250 punëtorë, kurse sipas premtimeve të kompanive, numri i punëtorëve do të arrijë deri në 900.

Musa Limani
Musa Limani
Në anën tjetër, eksperti për çështje ekonomike, Musa Limani, konsideron se ndërtimi i parqeve lehtëson zhvillimin e veprimtarive të bizneseve, pasi në këto hapësira ndërtohet infrastruktura.

“Normalisht se është një lehtësim, sepse e ka truallin, selinë dhe tashmë mund të orientohet dhe s’ka problem për ta vendosur objektin. Por, ky është vetëm një nga faktorët, por ku mbeten faktorët tjerë?! Çështja e lirimit nga Dogana për pajisje teknike, mandej lirimi nga TVSH-ja?”, vlerëson për Radion Evropa e Lirë profesor i ekonomisë, Musa Limani.

Ndryshe, zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në një prononcim të mëhershëm, për Radion Evropa e Lirë, kanë thënë se ndërtimi i parqeve industriale paraqet instrumentin kryesor të politikës së Qeverisë për mbështetjen e investimit privat në Kosovë.

Këto zona, sipas tyre, ofrojnë infrastrukturë të gatshme për fillimin e biznesit dhe njëherësh janë atraktive edhe për investitorët e huaj.

Përveç parqeve të biznesit, autoritetet kompetente në Kosovë tashmë kanë krijuar edhe parqe teknologjike, zona industriale dhe inkubatorë të bizneseve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG