Ndërlidhjet

Përfitues të protezave të syrit, 250 pacientë


Ilustrim
Ilustrim
Në Klinikën e oftalmologjisë, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, janë kryer rreth 40 mijë vizita. Operacionet e syrit që bëhen brenda Qendrës Klinike Universitare, përkatësisht në Klinikën e oftalmologjisë, janë rreth 2,600 në vit, bën të ditur Kelmend Spahiu, ushtrues detyre i drejtorit të kësaj klinike.

Por, pacientët, të cilët kanë nevojë për proteza të syrit, deri tash këtë shërbim nuk kanë mundur ta marrin në këtë klinikë. E një gjë e tillë është mundësuar për herë të parë, ditët e fundit falë bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe njërit nga spitalet e Stambollit të Turqisë.

Dyqindepesëdhjetë pacientë kanë arritur të përfitojnë nga ky bashkëpunim duke vendosur kështu proteza në sy.

Sylejman Sylejmani, nga Prizreni është njëri nga ta. Ai flet për Radion Evropa e Lirë, për rëndësinë e kësaj proteze të syrit.

“Kam ardhur ta ndërroj protezën e syrit. Syrin e kam lënduar në vitin 1958. Prej atëherë jam operuar 12 herë dhe nuk kam mund ta shpëtoj syrin. Tash kam protezë. E kam ndërruar çdo tri vjet, por prej vitit 1988, nuk e kam ndërruar asnjëherë, sepse nuk kam pasur mundësi. Sot jam i kënaqur që m’u dha rasti ta vendosi atë”, tregon Sylejmani.

Ndërkaq, Kelmend Spahiu thotë se vëllimi i punës në Klinikën e oftalmologjisë është i madh, por disa shërbime në këtë klinikë mungojnë.

“Bëhen rreth 2600 operacione në vit. Klinika i ka 49 shtretër dhe 22 mjekë specialistë. Problemi është se mungojnë pajisjet e reja për t’u realizuar puna si duhet. Aparatura do të na mundësonte përmirësimin e punës”.

“Bashkëpunimet me spitale të huaja, janë të mirëseardhura. Bashkëpunimi i sotëm ka mundësuar shërbime, që mungojnë te ne. Ky nuk është i aspektit mjekësor, por i protetikës. Projekti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe oftalmologëve ka qenë mjaft i qëlluar, ngase njerëzit që nuk kanë mundësi t’i vendosin këto proteza jashtë vendit, kjo u është mundësuar tash”, shpjegon Spahiu.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, thotë se me një projekt të tillë, pos kontributit të dhënë, është bërë edhe kursimi i buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë, duke potencuar dhe shërbimin kualitativ për pacientët.

“Një projekt i tillë, po realizohet për herë të parë në Kosovë. Një protezë, e cila implantohet në Kosovë, vjen me një çmim prej 150 eurosh, derisa e njëjta në Stamboll, prej nga v`jen, është një shumë prej 800 eurosh. Bëhet fjalë për një kontribut dhe kursim të mirë të buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe shërbim kualitativ për pacientët tanë”.

“Janë identifikuar të gjithë pacientët që kanë pasur nevojë t’i ndërrojnë protezat e syrit, e ka pasur të tillë që edhe nga 20 vjet nuk i kanë ndërruar, e që mund të ketë komplikime të ndryshme duke filluar nga infeksionet etj.”, thotë Agani.

Sipas Aganit, vlera e përgjithshme e çmimit të paguar nga Ministria e Shëndetësisë është 34 mijë euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG