Ndërlidhjet

Qendra Klinike Universitare: Monitorimi i donacioneve


Ilustrim
Ilustrim
Në Qendrën Klinike Universitare, kanë hyrë shumë barna, material shpenzues, aparatura dhe pajisje mjekësore, në formë donacionesh.

Por, prej pas përfundimit të luftës në Kosovë, këto donacione nuk janë regjistruar askund.

Zyrtarët shëndetësorë thonë se me kohë është zbehur edhe interesimi për të dhuruar donacione, qofshin ato individuale, apo edhe nga organizata të caktuara.

Por, Qendra Klinike tashmë ka formuar komisionin brenda këtij institucioni, i cili do të monitorojë dhe regjistrojë donacionet.

Drejtori i Qendrës Klinike Universitare, Njazi Gashi, ka thënë se rëndësia e komisionit është e shumëfishtë.

Rëndësia e komisionit është e shumëfishtë, siç është ardhja e kuadrove më të avancuara botërore te ne, pastaj dërgimi i kuadrove tona në ato qendra për trajnim dhe për avancim profesional, si dhe përfitimi i donacioneve, që është më se i nevojshëm për QKUK-në”.

QKUK-ja ka nevojë nga gjërat elementare, por edhe për aparaturat nevojat janë të mëdha. Deri tash ka pasur donacione, por që janë identifikuar në mënyrë të paorganizuar, e që prej tash nuk do të ndodh ashtu, dhe do të evidentohet gjithçka”, shprehet Gashi.

Ndërkaq, Bujar Gjikolli, anëtar i komisionit, njëherësh radiolog në QKUK, thotë se duke i pasur parasysh përvojat e kaluara, si të dyshimta dhe jo transparente, vizioni i ri i menaxhmentit të ri është transparent, dhe ka synime të ngrisë dhe avancojë shërbimet në QKUK, në mënyrë transparente dhe t’i hapë dyert për të gjithë njerëzit dashamirës.

Ky komision ka rol shumë të madh, dhe shpresojmë që këtë privilegj ta arsyetojmë sa më mirë. Komisionin nuk do ta përfundojmë me numër, do të jetë i hapur, dhe kush ka mundësi të angazhohet”.

Tash jemi 6 vetë që janë përzgjedhur, por do të ketë lëvizje. Jemi marrë edhe me aspektin ligjor të tyre. Të gjithë drejtorët e klinikave janë ftuar që të japin nevojat e tyre dhe të bazohemi në nevojat reale të atyre klinikave”, thekson Gjikolli.

Ndërkaq, Shpend Fazliu, zyrtar për informim në QKUK, thotë se në të kaluarën në kuadër të QKUK-së, donatorët kanë qenë në formë individuale në mungesë të një komisioni.

Kontaktet e donatorëve kanë qenë joformale me institucionet e caktuara, duke mos pasur adresë të caktuar përmes së cilës është negociauar donacioni.

Me formimin e komisionit, çdo donacion do të jetë obligativ që të shkojë përmes njerëzve të caktuar. Donacionet që vijnë janë që nga barnat, e deri tek aparaturat mjekësore, që janë të obligueshme për të punuar nëpër klinikat e QKUK-së”.

Donacionet kanë qenë të mirëseardhura, e sidomos pas luftës, kur nevoja ka qenë shumë e madhe, por që me kohë ka rënë interesimi i vullnetarëve për të dhuruar donacione. Buxheti aktual është shumë i vogël, andaj është e pamundur të mbulohen të gjitha kërkesat, qoftë në furnizim me barna, apo edhe pajisje mjekësore, e që janë shumë të shtrenjta dhe të papërballueshme për buxhetin tonë”, bën të ditur ai.

Sidoqoftë, prej kur është formuar komisioni para dy javësh, në Qendrën Klinike kanë arritur 4 donacione me barna dhe material shpenzues të nevojshëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG