Ndërlidhjet

Leonarda Dibrani mund të kthehet në Francë


Leonarda Dibrani
Leonarda Dibrani
Romja 15-vjeçare, Leonarda Dibrani, e cila është dëbuar së bashku me familjen e saj nga Franca, mund të kthehet sërish në këtë vend. Kështu ka deklaruar të shtunën presidenti i Francës, Francois Hollande.

“Nëse bën kërkesë dhe nëse do të vazhdojë studimet e saj, ajo mund të kthehet, por vetëm ajo”, ka thënë Hollande.

Leonarda Dibrani është arrestuar në prani të shokëve të saj dhe është dëbuar së bashku me familjen në Kosovë, vendin nga ku ka prejardhjen babai i saj.

Mënyra e ekstradimit të Leonardës ka shkaktuar protesta dhe kritika në Francë, ndonëse një hetim i policisë ka konstatuar se procesi është kryer ligjërisht.

Por, raporti, i lëshuar të shtunën, thekson se veprimet e tilla kundër fëmijëve, duhet të kryhen jashtë orëve të mësimit.

Familja Dibrani ka jetuar në Levier të Francës prej pesë vjetësh. Aktivistët që kanë punuar me të, kanë thënë se ajo ka lënë Kosovën për shkak të diskriminimit.

Babai i Leonardës, Reshat Dibrani, ka thënë se ai ka lindur në Kosovë, por më pas është shpërngulur në Itali, ku kanë lindur të gjithë fëmijët e tij, të cilët nuk kanë shtetësi italiane.

Urdhri për dëbimin e familjes nga Franca është lëshuar pasi ajo ka humbur betejën për azil.

Presidenti i Francës ka theksuar të shtunën se Leonarda mund kthehet vetëm e vetme.

“Në lidhje me rastin e vajzës Leonarda – nëse ajo kërkon dhe dëshiron të vazhdojë edukimin në Francë, ajo dhe vetëm ajo do të jetë e mirëpritur. Siç e kam thënë, Franca është republikë; republika do të thotë qëndrueshmëri në zbatimin e ligjit, e po ashtu humanitet në aplikimin e procedurave”, ka thënë Hollande.

Por, 15-vjeçarja ka kundërshtuar të kthehet në Francë pa familjen e saj.

“Nuk dua të braktis familjen time. Nuk jam e vetmja që duhet të ndjek mësimet; janë edhe vëllezërit dhe motrat e mia”, i ka thënë Leonarda agjencisë AFP.

Kryebashkiaku i qytetit Fano të Italisë, ku familja Dibrani ka jetuar për disa vite, ka thënë se ajo është larguar, pasi autoritetet kanë kërcënuar se do t’i marrin fëmijët nën përkujdesje.

“Fëmijët kanë shkuar me vështirësi në shkollë edhe pse kanë qenë të regjistruar. Ai (babai) i dërgonte për të lypur. Ata kanë jetuar në rrugë”, ka thënë Stefano Aguzzi.

Qindra studentë francezë kanë protestuar kundër ekstradimit dhe mënyrës se si Leonarda është dëbuar, në Paris dhe qytete të tjera.

Pjesa më e madhe e zemërimit është shprehur ndaj ministrit të Brendshëm, Manuel Valls, i cili ka thënë se mënyra e jetesës së romëve është aq e ndryshme, saqë shumica nuk mund të integrohen në shoqërinë franceze dhe duhet të dëbohen.(v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG