Ndërlidhjet

Daçiqi në vizitë fetare, flet për zgjedhjet


Daçiq në Graçanicë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:31 0:00

Daçiq në Graçanicë

“Është e rëndësishme që serbët të jenë të bashkuar”, ka porositur kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, gjatë vizitës që të shtunën i ka bërë Manastirit të Graçanicës në Kosovë.

Kryeministri i Serbisë e ka vlerësuar vizitën e tij si mjaft të rëndësishme dhe ka theksuar se përmes kësaj vizite dëshiron të përçojë mesazhe paqeje.

“Ne, së pari, dëshirojmë të përçojmë mesazhin e paqes dhe mesazhin e një jete të përbashkët. Në anën tjetër, është mesazh se Serbia kujdeset për popullin e saj, për qytetarët e saj dhe se kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Gjithçka tjetër, natyrisht, është çështje e politikës ditore. Për ne është e rëndësishme që serbët të jenë të bashkuar”, ka theksuar kryeministri serb, Daçiq.

Ai ka shtuar nuk do të marrë pjesë në tubime partiake, ndonëse, sipas tij, është e qartë se cilin subjekt politik e mbështet Serbia.

Por, menjëherë pas vizitës Manastirit të Graçanicës, ku e ka pritur peshkopi i Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije, kryeministri serb, Daçiq, u është drejtuar mijëra serbëve të tubuar.

Një pjesë e madhe e qytetarëve serbë kishin ardhur nga tubimi zgjedhor, i cili u mbajt nga Iniciativa Qytetarë Serbe, subjekt ky garues në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë, i cili e ka përkrahjen e Qeverisë së Serbisë.

Daçiq e ka nisur në këtë mënyrë fjalimin e tij para qytetarëve serbë të mbledhur para Manastirit të Graçanicës:

“Më kanë thënë se vizita ime e sotme është e karakterit të besimit. Kjo është e saktë, sepse unë besoj në Serbinë. Mjaft kemi pasur humbje në Kosovë. Na duhet fitorja, prandaj nga ju kërkoj fitore në zgjedhjet lokale në Kosovë. Kjo nuk është fitore për Listën Serbe, por është fitore për bashkimin”.

Daçiq ka porositur se Qeveria e Serbisë është e interesuar thellësisht që në Kosovë të ruhet paqja, siguria dhe stabiliteti, si dhe që populli serb të jetojë i lirë dhe se është e rëndësishme që serbët të jenë të bashkuar.

“T’u tregojmë pak se sa jemi të fuqishëm edhe në mençuri. Ejani të bëjmë për herë të parë diçka që është në interesin tonë, e kjo është që të organizohemi, të jemi të bashkuar, t’i fitojmë pushtetet lokale në bashkësitë e komunave serbe, ato që do të mund ta udhëheqin luftën politike për popullin serb në Kosovë. Për këtë do ta keni mbështetjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Serbisë, e cila asnjëherë nuk do ta braktisë popullin serb në Kosovë”, është shprehur Daçiq.

Ai i ka kritikuar edhe autoritetet e Prishtinës, për shkak se nuk e kanë lejuar të vizitojë Shtërpcën më 4 tetor.

”Autoritetet e Prishtinës ma kanë ndaluar herën e kaluar që të vij në Shtërpcë. Pse? Po kërkojnë që ne të mos përzihemi në kuptimin se për kë do të votoni ju. Unë, vërtet, mendoj se nuk ka nevojë që ne të përzihemi. Ju duhet të votoni për ata që kanë qëndrime të përbashkëta me Beogradin dhe Serbinë. Atyre ju përgjigjet që serbët të mos e shfrytëzojnë të drejtën e vet. Ne duhet të bëjmë diçka që nuk iu përgjigjet atyre, e kjo është që nëse na ofrohet pushteti, atëherë ta marrim dhe ta shfrytëzojmë për popullin serb në Kosovë”, u ka thënë kryeministri serb qytetarëve në Graçanicë.

Daçiq, gjithashtu ka komentuar edhe incidentet e kohëve të fundit në veri të Kosovës, duke i quajtur të turpshme sulmet me bomba.

“A do të vdesin serbët nga dora serbe këtu? Për çfarë? Për pushtet? JO. Serbia po ju fton të gjithëve në mbrojtjen e përbashkët të interesave serbe në Kosovë”, i ka porositur qytetarët kryeministri serb.

Në Graçanicë ishin tubuar një numër i madh i njerëzve. Ndonëse shumica prej tyre nuk dëshironin ta komentonin ardhjen e Daçiqit, megjithatë, disa serbë që nuk deshën të prezantoheshin, vlerësuan se vizita e tij është e vonuar.

Ja se çfarë presin ata nga zgjedhjet dhe nga vizita e kryeministrit serb:

“Pres të më japin para, të më japin një jetë më të mirë, t’i punësojnë të rinjtë, të ketë populli lirinë e lëvizjes, të jetojmë në paqe dhe jo nën frikë. Kjo është më e rëndësishmja”.

“Mendoj se është dashur të vijë shumë më herët e jo vetëm për shkak të zgjedhjeve. Është dashur shumë më shpesh që të vizitojë këto vende të shenjta në Graçanicë, të na vizitojnë dhe të na japin më shpesh mbështetjen morale. Vizita e Daçiqit, do të jetë shtysë për të dalë në zgjedhje. Do të na jep pak mbështetje për të votuar për Serbinë, sepse ne jemi këtu ku jemi. Ata e dinë se si e kanë nënshkruar marrëveshjen e Brukselit, por përsëri ne duhet të jemi pranë shtetit të Serbisë”.


“Jetojmë me shpresën se do të bëhet më mirë. Nuk e di tash, por të shohim se çfarë do të ndodhë”

"Nuk di njeriu se çfarë të thotë. Unë mendoj se vizita e Daçiqit, sado pak do të ndikoj pozitivisht tek njerëzit. Megjithatë, me ne do të vijë një përfaqësues i Serbisë që ta trimëroj këtë popull dhe kjo sipas meje është krejtësisht në rregull. Unë mendoj se vizita e tij do të duhej të ndikonte në daljen e njerëzve në votime, por megjithatë kjo nuk është e sigurt. Varet, sepse ka mjaft subjekte politike. Çfarë do të ndodhë askush nuk e di. Është vetëm supozim se duhet të bëhet më mirë”.

“Është dashur që të na vizitojë edhe më herët dhe më shpesh. Por, nuk është vonë edhe sot që vjen Daçiq. Na vjen mirë që e kemi mbështetjen e tij”.


Në anën tjetër, autoritetet e Kosovës e kanë lejuar ardhjen e Daçiqit në Kosovë për shkak se, siç thuhet, kërkesa për vizitë ka qenë ekskluzivisht me karakter fetar.

Ndryshe, autoritetet e Kosovës nuk i patën miratuar Daçiqit kërkesën për ta vizituar Kosovën më 4 tetor, për shkak se atëherë ai ka dashur të jetë i pranishëm në hapjen e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale në Shtërpcë.

Daçiqi, më pas, pati kërcënuar se do ta ndërpresë dialogun me Prishtinën dhe për këtë e kishte paralajmëruar Brukselin. Menjëherë pas kësaj, më 7 tetor është mbajtur raundi i ri i dialogut ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, gjë që nuk kishte qenë më herët e planifikuar.

Pas përfundimit të takimit, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pati deklaruar se nuk do të lejoheshin vizitat e zyrtarëve serbë, të cilat kanë të bëjnë me zgjedhjet, por, do të lejohen vizitat që kanë karakter fetar.

Në këtë frymë ishte paralajmëruar edhe vizita e kryeministrit serb, Daçiq.


Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG