Ndërlidhjet

Nis fushata zgjedhore


Fushatë zgjedhore në Prishtinë, foto nga arkivi
Fushatë zgjedhore në Prishtinë, foto nga arkivi
Partitë politike në Kosovë kanë nisur sot fushatën për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 3 nëntor.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur se në garën për të zgjedhur kryetarët janë 224 kandidatë, kurse për asambleistë komunalë garojnë 7,704 kandidatë.

Në këto zgjedhje marrin pjesë gjithsej 103 subjekte politike.

Prej tyre, 50 janë shqiptare, 31 janë serbe, 3 turke, 9 boshnjake, 3 malazeze, 1 goran, 2 nga komuniteti ashkali, 2 nga komuniteti rom, 1 parti politike egjiptase dhe 1 kroate.

E veçanta e zgjedhjeve të sivjetme, sipas KQZ-së, është se ato do të zhvillohen edhe në pjesën veriore të Kosovës.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve paralelisht është duke i bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e këtyre zgjedhjeve në të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë edhe veriun e vendit”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për të shtuar se në veri, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) do ta ketë rolin e lehtësuesit.

Në veri të Kosovës, serbët lokalë janë ende të ndarë në lidhje me pjesëmarrjen ose jo në zgjedhje, derisa Beogradi zyrtar i ka ftuar ata që marrin pjesë në këtë proces.

Elezi thotë se KQZ-ja, deri më tash, ka bërë disa veprime për organizimin e zgjedhjeve dhe se disa të tjera janë në zhvillim.

“Janë emëruar anëtarët e komisioneve komunale zgjedhore. Mund të themi po ashtu se edhe procesi i aplikimit për votuesit e mundshëm jashtë vendit ka përfunduar dhe shumë shpejt do të kemi edhe raportin përfundimtar nga sekretariati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, thotë Elezi.

Në anën tjetër, autoritetet e rendit thonë për Radion Evropa Lirë se drejtoria e përgjithshme e Policisë së Kosovës tashmë ka lëshuar urdhrin operativ për të gjitha drejtoritë rajonale dhe stacionet policore, që të nisin përgatitjet sa i takon procesit zgjedhor.

Njëri nga zëdhënësit e policisë, Brahim Sadriu, thotë se me fillimin e fushatës zgjedhore nis edhe faza e dytë e zbatimit të planit operativ.

“Të gjithë zyrtarët policorë që janë në gjithë territorin e vendit do të jenë në gjendje gatishmërie, në mënyrë që të gjitha fazat e këtij procesi të kalojnë sa më sigurt dhe sa më rregullt. Me fillimin e fushatës fillon edhe faza e dytë e implementimit të planit. Zyrtarët policorë në çdo stacion policor do të jenë në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët komunalë për zgjedhje, në mënyrë që të aranzhohen të gjitha asistencat e policisë gjatë manifestimeve të subjekteve të ndryshme politike”, sqaron Sadriu.

Edhe në këto zgjedhje rrjeti i organizatave joqeveritare "Demokracia në Veprim", që bën monitorimin e zgjedhjeve që nga dita e parë e fillimit të fushatës, do të vëzhgojë subjektet politike me fushatat e tyre zgjedhore, përfshirë edhe subjektet politike në veri.

Driton Selmanaj thotë për Radion Evropa e Lirë se “Demokracia në Veprim” do të monitorojë subjektet politike kryesisht për atë se a po zhvillojnë fushatë konform ligjeve zgjedhore në fuqi.

“Kemi angazhuar diku 50 vëzhgues në të gjitha qendrat e Kosovës, të cilët do të përcjellin çdo detaj se çka ndodh me fushatën. Cila është qasja, cila është gjuha, të cilën e përdorin subjektet politike dhe a sillen konform ligjeve të aplikuara në Kosovë, përfshirë këtu edhe kodin etik. Në veri kemi organizatë partnere, ku kemi angazhuar edhe vëzhgues dhe jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm me ta”, shpjegon Selmanaj.

Edhe kjo fushatë zgjedhore do të zgjasë 30 ditë, ngaqë subjektet politike kanë dështuar në miratimin e reformave, me të cilat është paraparë që fushata të zgjasë 15 ditë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG