Ndërlidhjet

Përmirësime në trajtimin e shëndetit mendor


Më shumë se një milion njerëz kryejnë vetëvrasje në botë, dhe kjo sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndërlidhet me çrregullimet mendore.

Në Kosovë, sipas të dhënave, sëmundjet me çrregullime mendore, kanë arritur që të rangohen me 35 për qind të sëmundjeve të përgjithshme.

Skënder Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se Kosova është marrë si shembull edhe në raportin e fundit të OBSH-së, si një model i mirë i reformës së shëndetit mendor, sepse, siç ka thënë ai, është shfrytëzuar periudha emergjente e pasluftës, që fondet të orientohen kah shëndeti mendor.

“Shëndeti mendor në Kosovë mund të konsiderohet si një storie e suksesit sa i përket aspektit të reformës, sepse janë bërë ndryshime pozitive në një periudhë relativisht të gjatë kohore që nga viti 2000 e tutje, prej një sistemi që ka qenë i bazuar në trajtimin spitalor, tash kemi shëndetin mendor të bazuar në komunitet. Pacientët janë sa më afër komunitetit dhe pjesë e saj dhe janë të integruar çdo herë e më tepër”, ka thënë Syla.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka deklaruar se Kosova gjatë vitit të kaluar ka pasur parasysh rritjen e numrit të personave që kanë çrregullime mendore, andaj është fokusuar në këtë lëmi.

Sipas Aganit, është shtuar numri i psikiatërve në shërbimin e resurseve të familjes, është avancuar me fillimin e programit të specializimeve të psikologjisë klinike dhe është ngritur buxhet për trajtimin e shëndetit mendor.

“Në përgjithësi, shërbimet e shëndetit mendor, Kosovën e paraqesin si një pikë të ndritshme të shëndetësisë kosovare. Ato janë shërbime që janë të organizuara sipas modeleve të OBSH-së. Natyrisht, problemet janë të shumta, sepse kërkesat për këtë kategori të shoqërisë janë enorme”, është shprehur Agani.

Ndërkaq, sociologët në vend vlerësojnë se personat me probleme të shëndetit mendor, nuk marrin përkujdesjen e duhur.

Linda Gusia, sociologe, thotë se tash qendrat rehabilituese për këtë kategori të shoqërisë, janë përmirësuar.

“Mendoj se është shumë evidente që sado që kanë nevojë, njerëzit me probleme nuk kanë përkujdesje nga shteti, e sidomos kjo kategori e shoqërisë. Ne i shohim duke bredhur rrugëve pa përkujdesje. Kjo ka të bëjë me një traditë të mëhershme. Qendrat e përkujdesjes mendore trajtimin e kanë pasur jo adekuat. Por, tash mendoj se është rehabilituar imazhi, sepse tani pacientët kanë përkujdesje më të mirë dhe trajtim më të mirë”, konsideron Gusia.

Rritja e numrit të personave me çrregullime mendore, ka rritur edhe numrin e vetëvrasjeve në Kosovë viteve të fundit, kanë pohuar autoritetet e rendit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG