Ndërlidhjet

Të rinjtë kërkojnë vetëdijesim kundër trafikimit


Ilustrim
Ilustrim

Për tetë muaj në Kosovë janë identifikuar 48 viktima të trafikuara, që kryesisht janë përdorur për shfrytëzim seksual.

Sipas një raporti me statistika të Policisë së Kosovës, numri më i madh i trafikimit me njerëz nga viti 2001 deri në vitin 2012, është nga Kosova, pastaj nga Moldavia, Rumania, Shqipëria e vende të tjera.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë kësaj jave të përkrahur edhe nga institucione ndërkombëtare dhe shoqëria civile, kanë nisur fushatën “Hapi sytë”, që ka për qëllim parandalimin dhe informimin për dukurinë negative të trafikimit të njerëzve në vend.

Por, sa janë të rinjtë të informuar dhe vetëdijesuar mbi trafikimin me qenie njerëzore?

Vlora Sekiraça nxënëse e shkollës së mesme, thotë se lidhur me trafikimin e njerëzve, asnjëherë nuk ka dëgjuar ndonjë ligjëratë.

Jo nuk ka diçka që ti mund të thuash, apo dëgjosh për të vërejtur se çka është prostitucion ose si duhet të mbrohesh ti. Apo edhe ana tjetër, se si ti mund t’ju ikësh trafikuesve nëse i has në rrugë. Ata edhe mund të vijnë të maskuar, sillen mirë me ty edhe dikush mund të bjerë në grackë. Kjo nuk është diçka që ne e mësojmë në shkollë se si mund të ikësh nga këto gjëra ose situata se si mund të dalësh nga një situatë e tillë që të mos biesh viktimë”, thotë Vlora.

Edhe Endrit Zabërgja pohon se në shkollën e mesme “Sami Frashëri”, nuk ka debate apo aktivitete për të mësuar diçka kundër trafikimit të njerëzve.

“Sa i takon sensibilizimit të nxënësve për trafikimin e njerëzve dhe prostitucionit, ne nuk jemi të informuar si shkollë. Mungojnë shumë aktivitete, të cilat do të kishin shumë rendësi dhe do t’i kishin vetëdijesuar të paktën nxënësit e shkollës. Por, mendoj se trafikimet ndodhin shkaku i papunësisë së madhe dhe kushteve jo të mira për jetesë”, pohon Endriti.

Kurse, Qëndrim Visoka, i cili është nga një fshat i komunës së Prishtinës, thotë se mosedukimi i duhur në familje, bën që disa vajza të bien pre e trafikimit:

“Te gjeneratat e reja po ndikojnë edhe prindërit, se për shembull, atyre u bëjnë shumë kufizime. Ata mundohen ta ndalin atë dhe nëse mundohen t’ia mohojnë të gjitha të drejtat, ajo pra do ta gjejë rrugën e vet do t’i bëjë të gjitha, e edhe prostitucion”.

Nga ana tjetër, Pëllumb Mulaku thotë se gjenerata e tij nuk është shumë e informuar për trafikimet e njerëzve, edhe pse thotë se ka dëgjuar se kohëve të fundit në vend është rritur numri i të trafikuarve. Ai konsideron se për një vetëdijesim më të madh duhet të hapen temat tabu.

“Për një vetëdijesim më të madh, duhet ë hapen temat tabu, pra për temat që nuk flitet shumë. Pra, ato tema të diskutohen në shkollë dhe pse jo të jetë edhe një lëndë e caktuar. Edhe normale që duhet të ketë edhe emisione për tema të tilla”, vlerëson Pëllumbi.

Kurse, Dujkuz Borca thotë se është në dijeni që Ministria e Punëve të Brendshme, bashkë me organizatat joqeveritare kanë nisur një fushatë vetëdijesuese kundër trafikimit me njerëz. Ajo konsideron se këto fushata duhet të zgjasin më shumë se një muaj dhe informatat duhet të arrijnë në gjithë Kosovën, duke përfshirë dhe fshatrat më të thella.

“Shteti duhet të ketë organizime edhe për fshatrat, siç ndodh edhe në shtetet e tjera. Normalisht nëse shkollohet një person bëhet tjetër, edhe mendimet ndryshojnë, edhe jeta ndryshon. Po, te ne, shteti jo nuk mendoj se po e bën këtë dhe nuk do ta arrijë këtë gjë”, shprehet Dujkuzja.

Kurse, Linda Aliu, një qytetare nga Prishtina, thotë :

Në nivel të edukimit mendoj se duhet të bëhet më tepër. Gjatë procesit të shkollimit tekefundit duhet të futet edhe edukata seksuale si lëndë, edhe duhet të bëhen edhe fushata që të rejat të jenë më të vetëdijshme për atë se nga çka mund të pësojnë dhe të jenë viktima. Prapëseprapë, kjo nuk është e mjaftueshme, duke marrë parasysh nivelin e varfërisë, ndoshta ato edhe detyrohen vetvetiu që të marrin hapa të tillë, jo me dëshirën e tyre, por të detyruara për të mbijetuar”.

Zyrtarët e institucioneve ndërkombëtare në Kosovë vlerësojnë se trafikimi me qenie njerëzore vazhdon të jetë një shqetësim për vendin. Thuhet se Kosova vazhdon të jetë burim, destinacion dhe vend transit në Ballkan për trafikimin me qenie njerëzore.
XS
SM
MD
LG