Ndërlidhjet

BPV-ja në Kosovë, afro 5 miliardë euro


Ilustrim
Ilustrim
Bruto Produkti Vendor (BPV) për vitin 2012, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të publikuara të enjten, ka arritur në 4 miliardë e 916 milionë euro, që krahasuar me vitin 2004, është rritur për mbi 2 miliardë euro.

Ndërsa, BPV për kokë banori për vitin 2012 është 2.721 euro, që krahasuar me vitin 2004 është rritur për 908 euro.

Bruto Produkti Vendor është treguesi kryesor dhe më i rëndësishëm makroekonomik në Sistemin e Llogarive Kombëtare, i cili paraqet rezultatet finale të prodhimit në të gjitha aktivitetet e njësive prodhuese rezidente.

Kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Isa Krasniqi, ka bërë të ditur se Bruto Produkti Vendor në Kosovë është rritur nga viti në vit.

“Sa i përket normës reale të rritjes së Bruto Produktit Vendor për vitin 2012 në krahasim me vitin paraprak, ka një rritje prej 2.5 për qind”, bën të ditur Krasniqi.

Të dhënat e publikuara nga ASK-ja për BPV-në, ka theksuar Krasniqi, do të përdoren për planifikim ekonomik për vitin fiskal për hartimin e programeve të zhvillimit për sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Rezultatet e këtyre të dhënave, po ashtu, mund të përdoren edhe nga investitorët e vendit dhe të huaj për të vlerësuar situatën ekonomike të shtetit dhe mundësitë për investime të reja.

Bruto-Produktit Vendor është llogaritur, sipas tri elementeve, qasja e prodhimit, qasja e shpenzimeve dhe qasja e të ardhurave në Republikën e Kosovës.

Drejtori i Statistikave ekonomike dhe llogarive kombëtare në ASK, Ilir Berisha, ka thënë se deri te rritja e Bruto Produktit Vendor ka ardhur si rezultat i zhvillimeve të mira ekonomike në Kosovë.

“Në vitin 2012, kjo rritje reale prej 2.5 për qind krahasuar me vitin 2011, u ndikua nga rritja e shpenzimeve të konsumit final të ekonomive shtëpiake me 1.9 për qind, rritja e eksportit dhe shërbimeve me 0.8 për qind, rënie e importit të mallrave dhe shërbimeve minus 7.2 për qind, që ndikoi në rritjen ekonomike”, ka vlerësuar Berisha.

Përfaqësues të organizatave ekonomike në vend vazhdimisht kishin tërhequr vërejtjen se në Kosovë ka mungesë të të dhënave me kohë dhe në veçanti të dhëna për Bruto Produktin Vendor.

Ata kishin theksuar se mungesa e të dhënave më të reja ka pasur efekte negative edhe në ekonomi, në veçanti tek investitorët potencialë.

Lidhur me këtë, kryeshefi i ASK-së, Isa Krasniqi, ka thënë se publikimi me kaq vonesë i statistikave është bërë për shkak të financave dhe kapaciteteve të kufizuara.

“Janë disa faktorë që e përcaktojnë vonesën e tillë, por që edhe kjo që është publikuar tani, është një sukses shumë i madh në kuadër të asaj se çfarë buxheti ka Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe çfarë kapacitetesh në kuptimin profesional, pasi që gjithçka bazohet në mundësinë apo potencialin buxhetor të një institucioni”, ka shpjeguar Krasniqi.

Për Bruto Produktin Vendor, Banka Botërore në vlerësimet e fundit për ekonominë e gjashtë vendeve të Evropës Juglindore, kishte theksuar se Kosova duhet të punojë më shumë në përpilimin e politikave që rritjen e BPV-së e përkthejnë edhe në rritje në punësimi, duke adresuar nevojat për reforma strukturore brenda ekonomisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG