Ndërlidhjet

Kuvendi shtyn miratimin për PTK-në


Kuvendi i Kosovë
Kuvendi i Kosovë
Në mungesë kuorumi, Kuvendi i Kosovës, as në seancën e së enjtes nuk arriti që të miratojë raportin e Komisionit për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës, pasi deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje e lëshuan sallën.

Kështu që kjo pikë e rendit të ditës është shtyrë për t'u diskutuar në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë së Kuvendit.

Edhe pse në fillim të seancës, kryesuesi i mbledhjes, Xhavit Haliti, kërkoi pauzë prej 30 minutash, seanca filloi pas dy orësh, por prapë në mungesë të numrit të deputetëve të nevojshëm, kjo pikë e rendit të ditës u shty për mbledhjet e ardhshme.

"Unë e lus kryetarin e Grupit Parlamentar edhe Qeverinë, respektivisht Kryeministrinë, që të deklarohen se pse nuk ka kuorum, se çfarë duhet bërë më tutje lidhur me këtë çështje. Atëherë nuk dëshironi të deklaroheni, konstatoj se nuk ka kuorum, kjo pikë, kjo çështje shtyhet për t'u diskutuar në Kryesinë e Kuvendit, ditën e hënë”, tha Haliti.

Deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, mospjesëmarrjen në seancë e arsyetojnë me faktin se privatizimi i PTK-së, nuk është në interes të qytetarëve të Kosovës.

Arben Gashi, nga LDK-ja tha se partia e tij e përkrah privatizimin, por privatizimi i PTK-së, sipas tij, nuk është në funksion të ekonomisë së tregut të lirë.

“Jemi kundër këtij privatizimi dhe kësaj forme të privatizimit, sepse besojmë se nuk është në interes të ekonomisë së tregut të lirë dhe në interes të qytetarëve të Kosovës. Prandaj, si veprim politik ne kemi ndërmarrë sot një veprim, i cili pamundëson, në këndvështrimin tonë, marrjen e vendimit, të paktën ne tentojmë, që vendimi për shitjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së, të pamundësohet”, u shpreh Gashi.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht ka kundërshtuar privatizimin e kësaj kompanie. Deputeti Visar Ymeri, tregon se nga seanca janë larguar për të pamundësuar kuorumin Qeverisë dhe siç tha ai, në mënyrë që ekzekutivi të shpërlajë procesin e vetë ilegal përmes Kuvendit.

“Pra, deshëm që të kërkojmë nga Kuvendi që mos të bëhet lavatriçe e proceseve ilegale dhe të dëmshme të Qeverisë së Kosovë, më mirë të them të kryeministrit Hashim Thaçi. Por, kryesuesi i seancës, në kundërshtim me rregullat dhe procedurat, nuk ma dha fjalën, më injoroi plotësisht dhe vazhdoi me seancën. Në atë moment ne u detyruam ta bojkotojmë këtë seancë dhe të pamundësojmë kuorumin”, theksoi Ymeri.

Ndërkohë, Ardian Gjini, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e quan të palogjikshëm që koalicioni qeverisës të mos ketë 61 deputetë në sallë dhe pret nga një parti opozitare që të formojë kuorumin.

“Aleanca nuk e ka në plan të mbajë atë pjesë të kuorumit, të cilën nuk është në gjendje (ta sigurojë) Qeveria me të gjithë deputetët e vet. Nëse nuk i ka 61 deputetë Qeveria, Aleanca nuk do të jetë prezent në sallë", deklaroi Gjini.

Në muajin prill të këtij viti, Komisioni Qeveritar për Privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës ka shpallur ofertën financiare të kompanisë gjermane "AXOS- capital", në konsorcium me “Najafi Companies LLC” dhe me partnerët e saj, si ofertën më të mirë për shitjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së.

Ky konsorcium ka ofruar 277 milionë euro për PTK-në.

Ndërkaq, muajin e kaluar, është shtyrë nënshkrimi i kontratës për shitjen e aksioneve të kompanisë, pas kërkesës që ka paraqitur konsorciumi fitues.

Privatizimi i PTK-së që nga fillimi i procesit, vazhdimisht ka shkaktuar polemika të shumta në opinion dhe posaçërisht në mes të Qeverisë dhe opozitës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG