Ndërlidhjet

Në fletëvotime, logoja e KQZ-së


Ilustrim
Ilustrim
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka vendosur që në fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit të jetë logoja e KQZ-së.

“KQZ-ja ka rënë dakord për dukjen e fletëvotimeve në përputhje me ligjin. Do të jetë logoja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e cila po ashtu mban logon e shtetit”, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë Bajram Latifi, anëtar i KQZ-së.

Përfaqësuesi i Vetëvendosjes në KQZ, Adnan Rrustemi, i cili ka lëshuar mbledhjen e Komisionit, ka thënë se vendimi i këtij mekanizmi për të hequr stemën e Republikës së Kosovës nga fletëvotimet është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

“Ne do ta verifikojmë dhe do ta vlerësojmë me profesionalizëm këtë vendim të KQZ-së. Duke qenë të sigurt se ky vendim është i paligjshëm dhe antikushtetues, do ta adresojmë shumë shpejt në instancat gjyqësore, natyrisht duke mos përjashtuar edhe Gjykatën Kushtetuese për ta kundërshtuar një vendim të tillë”, ka thënë Rrustemi për Radion Evropa e Lirë.

Autoritetet në Beograd kanë kërkuar që në fletëvotimet e 3 nëntorit të mos ketë shenja të shtetësisë së Kosovës, sepse, në të kundërtën, nuk do t’iu bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në këtë proces zgjedhor.

Vendimi i KQZ-së është mirëpritur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

“Përshëndesim vendimet e sotme të KQZ-së, lidhur me procesin zgjedhor, te cilat paraqesin një hap të rendësishëm përpara. Qasja e KQZ-së shërben si bazament për zgjedhje gjithëperfshirëse, të cilat reflektojnë pjesëmarrjen e komuniteteve të cilat jetojnë në tërë territorin e Republikës së Kosovës".

"Përkrahja e udhëheqjes politike të Kosovës ilustron mirëkuptimin që ata ndajnë, që zgjedhjet janë një mundësi historike për të unifikuar të gjitha komunitetet, të cilat jetojnë në Kosovë. Inkurajojmë udhëheqësit kosovarë të vazhdojnë të punojnë së bashku për të siguruar që zgjedhjet përmbushin standardet ndërkombëtare dhe janë gjithpërfshirëse për të gjitha komunitetet”
, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane.

Më herët, presidentja Atifete Jahjaga ka inkurajuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që, në përputhje me mandatin e tij, të gjejë zgjidhje ligjore që respekton kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës dhe siguron pjesëmarrje gjithëpërfshirëse në zgjedhjet komunale të 3 nëntorit.

"Këto zgjedhje komunale kanë rëndësi të veçantë sepse organizohen në tërë territorin e Republikës së Kosovës njëkohësisht. Pjesëmarrja e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe komunitetin serb në komunat veriore të vendit, ka rëndësi të veçantë për të ardhmen e tij dhe proceset demokratike të Kosovës", ka thënë Jahjaga përmes një deklarate për media.

Ajo gjithashtu ka theksuar se "këto zgjedhje duhet të jenë demokratike, të lira, të drejta dhe gjithëpërfshirëse", duke trimëruar KQZ-në "që të gjejë zgjidhje, të cilat do të jenë të përshtatshme për të gjithë qytetarët”.

Zgjedhjet lokale, të parapara edhe me Marrëveshjen e Brukselit, pritet të mbahen në gjithë territorin e Republikës dhe kanë për qëllimin integrimin e serbëve të veriut në institucionet shtetërore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG