Ndërlidhjet

Frika e serbëve në veri


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
I kanë thirrur të gjithë hisedarët, si Beogradi, Prishtina dhe Bashkimi Evropian, dhe ua kanë bërë me dije se zgjedhjet do të zhvillohen, dolën apo i bojkotuan ato.

Por, faktori i frikës, dhe hutia që u krijua pasi të gjithë po i ftojnë në zgjedhje, po del të jetë një prej arsyeve përse u pështjellua aspekti i daljes apo jo në zgjedhjet e 3 nëntorit, të serbëve në veri të Kosovës.

“Zgjedhjet me çdo çmim, nuk është diçka për të cilën unë personalisht si banore e veriut të Kosovës, përkushtohem”, tha Adrijana Hoxhiq, që drejton Zyrën administrative të Kosovës në veri të Mitrovicës.

Zgjedhjet e nëntorit dolën si rezultat i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e raporteve, e cila u arrit gjatë bisedimeve ndërmjet palëve në Bruksel.

Por, për serbët në veri, ky pakt vetëm sa i ka komplikuar gjërat matanë Ibrit, thotë një jurist nga veriu, sipas të cilit, Beogradi dhe Prishtina po shikojnë vetëm interesat e tyre në integrimet evropiane, e jo ato të popullit me vendimet e tyre që u prodhuan sipas marrëveshjes.

“Marrëveshja e Brukselit, në parim, ka sjellë rezultatin që njerëzit janë edhe më shumë të hutuar dhe të frikësuar se më parë, sepse ka aq shumë të panjohura dhe pasiguri”, tha Marko Jakshiq, një jurist i ri nga veriu i Mitrovicës.

Sipas tij, frika në popullatë po prodhohet nga shuarja e institucioneve paralele serbe, të cilat mbajnë mbi 21,000 individë me paga.

“Frika nga e ardhmja, është e pabesueshme! Njerëzit kanë frikë dhe brengosen se çka do të ndodhë me ta, sepse nga institucionet e Serbisë, në mënyrë direkte dhe indirekte kemi qenë të varur të gjithë andej. Beogradi dhe Prishtina për shkak të interesave të tyre (të integrimit në BE) po nguten, dhe mendoj se këtu po gabojnë, sepse është një problem shumë i madh, që të zgjidhet aq shpejt”, komentoi Jakshiq.

Të tilla ishin komentet që dëgjoheshin në tryezën që organizoi Qendra Mediale në Graçanicë, të premten, ku panelistët si Hoxhiq dhe Jakshiq rrëfyen se çfarë atmosfere mbretëron në veri për zgjedhjet e nëntorit, dhe pas marrëveshjes së Brukselit.

Ndërkaq, Nenad Maksimoviq, nga Qendra për Paqe dhe Tolerancë, foli për atë që po ndodh në jug të Mitrovicës. Për këtë gjë fajësoi edhe praktikat që ka përdorur Beogradi në raport me serbët e Kosovës.

“Porosia që po vjen nga Qeveria e Serbisë, me rekomandimet për daljet në zgjedhje, sipas mendimit tim, është një vazhdim i një politike skizofrenësh, të cilën qeveria e ka në raport me serbët e Kosovës...".

"Është shumë vështirë që në mënyrë racionale dhe logjike t’ju shpjegohet njerëzve përse tani është mirë të merret pjesë në diçka, nëse para kësaj ke thënë se pjesëmarrja në këtë apo atë proces, është tradhti kombëtare dhe që njerëzit që merrnin pjesë në ato procese ishin stigmatizuar si kolaboracionist”, u shpreh Maksimoviq.

Lidhur me zgjedhjet, ai rrëfen se si voton komuniteti serb dhe çfarë ka në plan të parë një votues i tillë:

“Praktika e deritashme, në jug të lumit Ibër, flet se në zgjedhjet që i organizon Serbia, votohet sipas bindjes, ndërsa në zgjedhjet që i organizon Kosova deri më tani është votuar ekskluzivisht nga interesi”.

E, Adrijana Hoxhiq bëri të ditur se po investon kohë dhe energji për ta larguar këtë praktikë. Madje, ajo tha se po mendon të marrë pjesë si kandidate e pavarur për kryetare të Mitrovicës.

“Unë tani vetëm për një gjë po insistoj, që njerëzit të mos shiten, të mos i shesin votat e tyre për interesa personale, por që të luftojnë për interesa kolektive. Mos u befasoni nëse në fund të javës së ardhshme, të njoftojmë publikisht dhe vendosim nëse do të marrin pjesë në zgjedhje. Jemi shumë pranë këtij vendimi, por do të jetë një vendim konsensual. Unë me njerëzit, me të cilët bashkëpunojmë, do ta marr këtë vendim, vetëm nëse pajtohemi 100% për këtë gjë. Nëse jo, atëherë nuk do të kandidohem për kryetare të Mitrovicës veriore”, deklaroi Hoxhiq.

Në këtë tryezë mori pjesë edhe analisti nga Mitrovica, Nexhmedin Spahiu, i cili bëri të ditur se do të kandidohet sërish për zgjedhjet e ardhshme lokale, për postin e kryetarit të qytetit.

Gjatë debatit, ai theksoi se edhe Prishtina po vepron njëjtë me komunitetin shumicë, pasi nuk po ia tregon të vërtetën rreth gjërave për të cilat është pajtuar në Bruksel.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG