Ndërlidhjet

KDI: Keqpërdorime po, lëndë në organet e drejtësisë jo


Ilustrim
Ilustrim
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një konferencë për media, ka publikuar raportin e monitorimit të prokurimit publik në Ministrinë e Shëndetësisë.

Merita Mustafa, menaxhere e projektit në KDI, ka bërë të ditur se në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë hulumtimeve, janë gjetur shumë parregullsi. Ajo ka deklaruar se njëra nga to është edhe planifikimi jo i mirë i buxhetit për barna, sasitë dhe llojet, të cilat më shumë reflektojnë nevojat e kompanive sesa të qytetarëve.

Sipas saj, në shumë raste të tenderimit, është vërejtur tendenca e përshtatjes së kritereve për operatorë të caktuar ekonomikë.

"Ministria e Shëndetësisë, përveç se është duke u ballafaquar me mungesë të fondeve për të siguruar shërbimet e duhura për qytetarët, ky buxhet nuk është duke u shpenzuar me efikasitet. Menaxhimi jo i mirë në këtë sektor në shumicën e tenderëve të analizuar, është problem që duhet adresuar nga kjo ministri".

"Të dhënat nga raporti tregojnë edhe për një planifikim të dobët të shpenzimeve dhe nevojave të institucioneve shëndetësore, si dhe ka munguar baza e të dhënave digjitale në këtë sektor. Për ne, mënyra manuale e mbajtjes së të dhënave nuk tregon një planifikim të drejtë ku do të ndërtoheshin planet për furnizim", ka thënë Mustafa.

Ndërkaq, Isuf Zejna, hulumtues në KDI, thotë se Ministria e Shëndetësisë nuk ka të dhëna të besueshme se sa pacientë të sëmurë ka dhe cilat janë nevojat reale për barna, më konkretisht rreth citostatikëve, ku është përqendruar hulumtimi i tij.

"Citostatikët janë produkte tejet të shtrenjta dhe ministria nuk e ka një politikë që i qaset produkteve, të cilat janë të patentuara. Ajo hap procedura të rregullta të ofertimit të kompanive dhe si rezultat, merr vetëm një ofertë dhe nuk e plotëson as kushtin minimal ligjor prej dy ofertave".

"Ne rekomandojmë që ministria të negociojë çmimin me prodhuesit e këtyre barnave, pasi në këtë formë ka raste kur ata pranojnë ta ulin çmimin apo edhe të dhurojnë donacione, duke e marrë parasysh gjendjen e varfër në shëndetësinë kosovare",
është shprehur Zejna.

E, pavarësisht asaj se Instituti Demokratik i Kosovës po bën hulumtime lidhur me keqpërdorimet që bëhen në ministri të ndryshme, asnjë lëndë deri më tani, ky institucion nuk e ka proceduar në gjykatë.

Merita Mustafa jep hollësi rreth kësaj çështjeje:

"Kjo lidhet me funksionimin e Prokurorisë së shtetit, e që nuk është shumë aktive. Deri sot nuk kemi proceduar ndonjë rast, por në të ardhmen planifikojmë ta bëjmë një gjë të tillë. Prokuroria e shteti deri tash është treguar mjaft pasive, gjë që nuk ishte dashur të ndodhte".

Por, KDI-ja ka raportuar për një lloj bari të quajtur Pallonosetrom, për të cilin, siç ka thënë Zejna, ëshët raportuar në periudhat paraprake. Lidhur me këtë rast, ka bërë të ditur Zejna, janë hapur procedurat e hetimit nga Policia e Kosovës, njësia për krime ekonomike dhe është kryer një auditim për këtë çështje brenda Ministrisë së Shëndetësisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG