Ndërlidhjet

Zbatim fare simbolik


Flamujt e të dy shteteve
Flamujt e të dy shteteve
Mungesa e një kornize për zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit, të arritur në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, e të ndërmjetësuar nga Brukseli, vlerësohet se ka ndikuar negativisht në përparimet e deritashme në zbatimin e saj.

Prishtina dhe Beogradi kanë shënuar një përparim minimal në zbatimin e kësaj marrëveshjeje, vlerëson Naim Rashiti nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

Ai thotë se ende po negociohet për format e zbatimit dhe se të dyja palët kanë shumë mospajtime rreth transformimit të strukturave paralele serbe.

Rashiti nuk pret ndonjë ndryshim të madh të gjendjes në terren para zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, ndërkohë që i numëron disa nga mospajtimet e palëve në lidhje me transformimin e këtyre strukturave.

“Prishtina kërkon shuarjen pastaj rekrutimin, kurse Serbia kërkon transformimin e tyre në institucionet serbe në kuadër të Asociacionit të Komunave Serbe. Çështja tjetër është ajo e rekrutimit të stafit të ri, numrave".

"Beogradi ka tjera shifra për numrin e gjykatësve policëve dhe pjesëtarëve të mbrojtjes civile nga ato që janë paraparë apo parashikuar nga të tjerët. Pastaj çështja e statusit dhe e mirëqenies sociale të zyrtareve serb të cilët funksionojnë në kuadër të Serbisë, pensionet, sigurimi social e të tjera”
, numëron disa nga çështjet diskutabile në dialog Rashiti.

Sa i përket asaj që është ndërmarrë deri më tani për zbatimin e marrëveshjes, Rashiti thekson se nuk ka ndonjë ndryshim, përveç se në mënyrë simbolike janë mbyllur dy zyra në veri, por që sistemi paralel vazhdon të funksionojë dhe jetë i njëjti.
Në përgjithësi, ky transformim i strukturave paralele, sipas tij është i vështirë, marrë parasysh edhe kundërshtitë e shumta që i bëjnë marrëveshjes serbët e veriut.

“Prishtina do të ketë nevojë për një numër të madh të gjykatësve serbë në veri. Në sistemin e Serbisë rreth 30 prej tyre kanë qenë aktiv dhe rreth 80 joaktiv. Janë rreth 200 pjesëtarë të MUP-it zyrtarisht, si dhe qindra pjesëtarë të mbrojtjes civile. Se si do të rregullohet transformimi i tyre dhe inkuadrimi në kuadër të institucioneve nuk dihet ende, por tani për tani nuk ka diçka evidente që ka ndodhur dhe ka ende mospajtueshmëri për formën e transformimit”, thekson Rashiti.

Krahas çështjeve të zbatimit në terren të marrëveshjeve të deritashme, Prishtina dhe Beogradi po vazhdojnë diskutimet dhe negociatat nëpër grupet punuese.

Koordinatorja e këtyre grupeve nga pala kosovare, Edita Tahiri, pranoi të enjten se do të ketë edhe disa çështje, për të cilat palët duhet të merren vesh në lidhje me transformimin e strukturave paralele serbe në veri.

“Për sa u takon çështjeve të sigurisë janë shënuar përparime, por mbeten edhe disa çështje që duhet të definohen në të ardhmen”, ka thënë Tahiri.

Në bazë të marrëveshjes, pasi që Prishtina dhe Beogradi të merren vesh eventualisht në lidhje me formën e transformimit të strukturave ilegale, do të pasonte edhe procesi i integrimit të pjesëtarëve të këtyre strukturave.

Aktualisht, një pengesë më vete paraqet edhe mungesa e Ligjit të amnistisë, i cili ende nuk ka hyrë në fuqi, mirëpo, sipas vlerësimeve të analistëve, amnistia edhe ashtu nuk do të mund të aplikohet në këtë fazë në veri, përderisa të mos qartësohen të gjitha detajet e mbetura në kuadër të dialogut të Brukselit.
XS
SM
MD
LG