Ndërlidhjet

Faktorët e shumtë pse kosovarët synojnë migrimin


Ilustrim
Ilustrim
Korrupsioni, ekzistimi i krimit të organizuar, mosfunksionimi i shteti ligjor, dhe niveli i lartë i papunësisë janë shkaktarët kryesorë që kosovarët duan të migrojnë jashtë Kosovës.

Kështu thuhet në një analizë të Grupit për Studime Juridike dhe Politike që është publikuar të martën.

Në analizën me titull “cilët qytetarë të Kosovës janë më të prirë të migrojnë në vendet e BE-së?", u tha se personat që nuk kanë njohuri të duhur për politikat e migrimet të BE-së, janë të interesuarit për të migruar.

“Të gjithë këta faktorë bëjnë që migrimi në Kosovë të mos shihet vetëm si një fenomen që lidhet vetëm me dëshirën e qytetarëve të Kosovës për t'u larguar jashtë kufijve të Kosovës dhe për t'u vendosur në vendet e zonës Shengen apo vendet e tjera të BE-së, por është një fenomen i cili ka përmasa dhe gjenerohet kryesisht nga faktorët që janë brenda Kosovës”, tha Dren Doli, nga ky institut.

Në Kosovë migrimi daton që nga vitet e 60-a, dhe një trend i tillë vazhdon edhe në ditët e sotme.

Në analizë thuhet se në pasluftën e Kosovës, migrimi ka qenë i stimuluar nga kushte e vështira socio-ekonomike.

Kosovarët i konsiderojnë korrupsionin/mos sundimi i ligjit, papunësinë dhe në përgjithësi gjendjen ekonomike, si sfidat më të mëdha me të cilat përballet Kosova.

Delfina Elshani nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike tha se një përqindje mjaft e lartë e qytetarëve kosovarë janë të gatshëm për t'u vendosur në ndonjë vend të BE-së, për shkak të kushteve jo të mira në të cilat jetojnë.

“Një faktor tjetër i rëndësishme i cili ndikon në gatishmërinë e qytetarëve për të migruar është edhe mosha. Personat që i takojnë grup moshën 15-25 vjet janë më shumë të prirë për të migruar drejt shteteve të BE-së, se sa personat që i takojnë moshës 25 deri në 64 vjeçare".

"Kategoria e grup moshës 15-24 vjeç hyn për herë të parë në tregun e punës në Kosovë dhe mund të hasin në vështirësi të shumta për të gjetur mundësi punësimi, apo hasin në rroga shumë të vogla”, tha Elshani.

Ajo theksoi se nga hulumtimet del se popullata nga rajoni i qytetit të Mitrovicës dhe vendet e tjera rurale në Kosovë kanë më se shumë prirje për të migruar.

“Banoret të cilët jetojnë në rajonin e Mitrovicës janë shumë më të prirë për të migruar se sa ata që jetojnë në rajonin e Prishtinës. Ndërsa banorët e rajonit të Prizrenit, Pejës, Ferizajt dhe Gjakovës janë më pak të prirë se sa ata të Prishtinës. Kjo mund të jetë si pasojë e shkallës së lartë të varfërisë në rajonin e Mitrovicës, dhe shkaku i gjendjes në veri të Mitrovicës dhe konflikteve në mes të shqiptarëve dhe serbëve”, u shpreh Elshani.

Kurse, Dren Doli tha po ashtu se fenomeni i migrimit i cili kohëve të fundit është bërë çështje e ndjeshme në Kosovë, do të ndikojë në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Në shtator të këtij viti Komisioni Evropian do të vlerësojë edhe potencialin migrues që ka Kosova, andaj si rrjedhojë e këtij vlerësimi ekziston rreziku shumë i madh që Komisioni Evropian të shtyjë procesin e liberalizimit të vizave me Kosovën për shkak të potencialit të madh të migrimit që Kosova në muajt e kaluar ka treguar”, u shpreh Doli.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike, me anë të kësaj analize i rekomandon qeverise që të hartojë një strategji informuese lidhur me politikat e BE-së mbi emigracionin.

Po ashtu në rekomandime thuhet se qeveria duhet t'i japë prioritet më të madh punësimit në zonat rurale dhe gjeneratave të reja.

Mesatarisht, sipas të dhënave zyrtare, çdo vit në Kosovë kthehen nga vendet e ndryshme perëndimore 5 mijë kosovarë, qoftë në mënyrë vullnetare, ose të dhunshme.

Në muajin e kaluar nga Hungaria janë kthyer 110 emigrantë kosovarë të cilët ishin kapur nga autoritet hungareze duke kaluar kufirin ilegalisht. Po nga ky shtet pritet të kthehen 500 persona të tjerë të cilët janë ndaluar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG