Ndërlidhjet

Iranianët i thonë lamtumirë Ahmadinejadit


Mahmud Ahmadinejad
Mahmud Ahmadinejad
Në periudhën kur inaugurohet presidenti i ri i zgjedhur i Iranit, Hassan Rohani, ka ardhur koha që iranianët t’i thonë “lamtumirë” presidentit të deritashëm, Mahmud Ahmadinejad.

Për shumë iranianë, ky moment ishte pritur gjatë.

“Ahmadi, lamtumirë”! brohorisnin protestuesit në vitin 2009, para zgjedhjeve presidenciale.

Por, këto brohoritje dhe optimizmi se kishte ardhur përfundimi i periudhës së Ahmadinejadit, dolën se ishin të parakohshme. Zyrtarët e kishin shpallur fitoren e tij menjëherë pasi votimi kishte përfunduar, ndërsa rizgjedhja e tij ishte mbështetur nga lideri suprem Ajatollah Ali Khamenei, me gjithë protestat masive dhe akuzat për mashtrime zgjedhore.

Ahmadinejadi i kishte fyer miliona shtetas, që e kishin protestuar rizgjedhjen e tij, duke i cilësuar si “pluhur dhe të fëlliqur”.

Tash, katër vjet më vonë, brohoritjet e lamtumirës janë dëgjuar përsëri, ndërsa kësaj radhe, Ahmadinejadi i kufizuar me mandat, me të vërtetë duhet të largohet.

“Ahmadi, lamtumirë, lamtumirë“, dëgjohen brohoritjet.

Fitorja e klerikut të moderuar iranian, Hassan Rohani, në zgjedhjet presidenciale të muajit qershor, u ka dhënë shpresë shumë iranianëve.

Një student në Teheran, i cili mori pjesë në protestat e vitit 2009, i tha Radios Evropa e Lirë se ai planifikon ta festojë me miq largimin e Ahmadinejadit.

“Përfundimisht, këto ditë të errëta kanë përfunduar. Jam i kënaqur që nuk do ta shoh më Ahmadinejadin dhe ai nuk do ta përfaqësojë Iranin në skenën ndërkombëtare. Ai solli vetëm turp dhe shumë probleme. Do të këndoj Ahmadi - lamtumirë”, tha ky i ri, i cili nuk pranoi ta thotë emrin e tij për shkak të frikës nga persekutimi.

Presidenca e Mahmud Ahmadinejadit ishte shënuar me represion në rritje dhe censurë, presion në rritje ndaj shoqërisë civile dhe universiteteve, me tensione me bashkësinë ndërkombëtare, keqmenaxhim të ekonomisë dhe rritje të çmimeve të artikujve të konsumit.

Ai në mënyrë të fuqishme i ka mbrojtur politikat e tij dhe nuk ka pranuar se gjatë qeverisjes së tij ka pasur rritje të shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Për disa iranianë, jeta ishte shumë e vështirë gjatë tetë viteve të kaluara, prandaj ata tash nuk e ndjejnë gëzimin për largimin e Ahmadinejadit nga skena politike.

Një person, që thotë se është mbështetës i Lëvizjes së Gjelbër opozitare, i cili ka kërkuar që emri i tij të mbetet anonim, thotë:

“Natyrisht, unë do të duhej të isha i lumtur, por unë nuk jam dhe kjo më brengos. Presidenca e tij i ka shkatërruar shumë gjëra në jetën time. Tragjedia është aq e thellë sa unë, madje, nuk e di nëse jam i lumtur që ai po shkon”.

Mandati i dytë presidencial i Ahmadinejadit filloi me një goditje brutale kundër çdokujt, që e kishte sfiduar fitoren e tij.

Vlerësohet se afro 70 protestues ishin vrarë, qindra ishin arrestuar, hedhur në gjykata, ishin detyruar ta pranonin fajin publikisht në televizion, dhe shumë prej tyre ishin burgosur dhe torturuar.

Represioni i shtuar e kishte detyruar një duzinë të aktivistëve dhe gazetarëve që të largoheshin nga Irani.

Në mesin e tyre ishte edhe gazetari, Mohammed Hossein Ziya, i cili ka zhvilluar fushatë për liderin opozitar Mehdi Karubi.

Ai i tha Radios Evropa e Lirë se as nuk ishte i lumtur, e as i pikëlluar tash kur përfundoi presidenca e Ahmadinejadit.

“Unë nuk e fajësoj Ahmadinejadin direkt për të gjitha problemet dhe vuajtjet. Unë nuk po përpiqem ta shfajësoj atë ose të them se ai nuk ka faj. Por, problemi është se përfundimi i presidencës së Ahmadinejadit nuk është fund i mendimit, që e solli atë në pushtet dhe lejoi që ai të mbetet në presidencë për tetë vjet. Ende jam i shqetësuar, por të paktën ekziston edhe pak shpresë pasi tash, Ahmadinejadi dhe aleatët e tij nuk do të kenë qasje te tribunat vendëse dhe ndërkombëtare për të folur në emër të popullit të Iranit”, tha Ziya. (f. bujupi)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG