Ndërlidhjet

Riatdhesimi i emigrantëve


Ilustrim
Ilustrim
Mesatarisht, sipas të dhënave zyrtare, çdo vit në Kosovë kthehen nga vendet e ndryshme perëndimore 5 mijë kosovarë, qoftë në mënyrë vullnetare, ose të dhunshme.

Përfaqësues të të drejtave të njeriut në Kosovë thonë se autoritetet kanë dështuar në riatdhesimin e kosovarëve, derisa konsiderojnë se tendenca për të migruar është në rritje.

Sipas të dhënave zyrtare, brenda vitit në Kosovë kthehen nga vendet e ndryshme perëndimore mesatarisht 5 mijë kosovarë, qoftë në mënyrë vullnetare ose të dhunshme.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila koordinon procesin e ri-integrimit të personave të riatdhesuar, që nga viti 2008 e deri më tani, vlerësohet se nga shtetet e Bashkimit Evropian janë riatdhesuar mbi 20 mijë persona.

Kthimet, kryesisht janë bërë nga Gjermania, Suedia , Zvicra dhe Franca.
Ndërkohë, së fundi Hungaria ka kthyer 110 emigrantë kosovarë, të cilët ishin kapur nga autoritetet hungareze duke kaluar kufirin ilegalisht për në vendet tjera perëndimore.

Në Hungari po qëndrojnë edhe 500 emigrantë kosovarë që nënkupton se pritet kthimi i organizuar edhe i personave të tjerë.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë kritikon mënyrën e kthimit të emigrantëve nga Hungaria.

Drejtori ekzekutiv i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se tendenca në rritje e kosovarëve për t’u larguar nga Kosova, është si pasojë e mosangazhimit të duhur të mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë për të krijuar kushte më të mira për këta qytetarë.

Por, Shala ka kritikuar riatdhesimin që iu bëhet kosovarëve.

“Vendet perëndimore kanë lënë anash dimensionin humanitar të kësaj çështjeje dhe vetëm po bëjnë përpjekje që t’i largojnë nga shtetet e tyre duke mos bërë asnjë investim në Kosovë, në mënyrë që të krijojnë një qëndrueshmëri për ata që kthehen, mirëpo edhe për ata që janë kandidatë potencialë që dëshirojnë të shkojnë në perëndim”, ka vlerësuar Shala.

Për 110 të kthyerit nga Hungaria, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, nuk do të bëhet ri-integrimi i tyre, pasi që me rregulloren e kësaj ministrie mund të ri-integrohen vetëm ata persona që kanë lëshuar Kosovën deri më 28 korrik 2010.

Behar Haziraj, zyrtar i lartë për media në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se këtyre personave iu është ofruar vetëm transport, dhe në rast se kanë pasur nevojë, iu është afruar ndihmë mjekësore

“Këta persona janë jashtë kritereve të përcaktuara nga rregulloja për ri-pranim, pasi që këta qytetarë të riatdhesuar kanë qëndruar për një periudhë të shkurtër. Ata zakonisht kthehen te familjet e tyre ku kanë jetuar dhe nuk kanë nevojë për mbështetje për ri-integrim. MPB-ja mbështet vetëm qytetarët, të cilët kanë jetuar jashtë Kosovës, pasi që është e domosdoshme të ndihmohen”, ka shpjeguar Haziraj.

Ndërkohë, për qytetarët e Kosovës, të cilët e kanë lëshuar Kosovën para datës 28 korrik 2010, Haziraj ka treguar se atyre iu ofrohet përkujdesje institucionale.

“Personat që kthehen dhe që integrohen që e kanë lëshuar Kosovën deri me datën 28 korrik 2010, marrin pako ushqimore gjashtë nga gjashtë muaj, mbështeten me plane biznesi, ndërsa ata që nuk kanë shtëpi banimi, atë e rregullon ministria”, ka treguar Haziraj.

Qeveria e Kosovës, deri më tani, ka nënshkruar disa marrëveshje për riatdhesim me shtetet evropiane, ndërsa synon që këtë ta bëjë dhe me vendet e tjera.

Për t’i zbatuar këto marrëveshje dhe për të rritur “funksionalizimin dhe efikasitetin” në fushën e riatdhesimit të kosovarëve, ekzekutivi i vendit ka themeluar kohë më parë edhe Departamentin për ri-integrim të personave të riatdhesuar.

Riatdhesimi i migrantëve dhe ri-integrimi i tyre është një nga parakushtet kryesore për të hequr regjimin e vizave me BE-në.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG