Ndërlidhjet

Arrestohen nëntë persona për kontrabandë me migrantë


Mjetet e konfiskuara nga Policia e Kosovës
Mjetet e konfiskuara nga Policia e Kosovës
Policia e Kosovës ka arrestuar nëntë persona që dyshohet se janë pjesë e rrjet të krimit të organizuar të kontrabandës me migrantë.

Ata dyshohen edhe për falsifikim të dokumenteve dhe kontrabandë me armë dhe municion.

Operacionit që është realizuar të hënën në rajonin e Mitrovicës dhe Prishtinës si dhe disa fshatra të rrethinës, i ka paraprirë një proces i detajuar hetimor disamujor, i cili ka qenë në koordinim të plotë me Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë.

Në një komunikate të Policisë thuhet se me urdhëresë të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë janë realizuar disa kontrolle në shtëpitë dhe objektet përcjellëse dhe janë arrestuar nëntë të dyshuar për kontrabandë me migrantë, falsifikim të dokumenteve dhe kontrabandë me armë dhe municion.

Gjatë këtyre bastisjeve, thuhet se janë gjetur dhe janë konfiskuar dy pushkë, gjashtë revole të llojeve të ndryshme, mbi 1 mijë e 500 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, pasaporta të shteteve të ndryshme, patentë shoferë, leje njoftimi, certifikata të lindjes, certifikata të martesave, të sigurimeve ndërkombëtare vula të ndryshme, dokumente të transaksioneve bankare, një sasi e vogël e substancave narkotike, si dhe dokumente tjera që mund të përdoren në cilësinë e provave materiale gjatë procedurës gjyqësore.

Me këtë rast, ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi ka thënë se “ky aksion i policisë kufitare është arritur falë bashkëpunimit me shtetet e rajonit, si me Malin e Zi, Hungarinë, Austrinë dhe Zvicrën”.

Sipas tij, kohët e fundit Kosova po shënon përparime në luftimin e krimit të organizuar dhe grupeve kriminale çka ai konsideron se do të reflektojë pozitivisht në përmbushjen sa më shpejt kushtet teknike për liberalizimin e vizave.

Ndërkaq Drejtori i Departamentit të policisë kufitare, Shaban Guda duke shpalosur detajet e operacionit policor tha se është bërë arrestimi i një grupi të organizuar i cili është marrë me kontrabandë të migrantëve nga shtetet e Azisë dhe Afrikës përmes Kosovës dhe Serbisë për të arritur pastaj në shtetet e perëndimit.

“Dyshojmë se ky ka qenë një grup shumë i organizuar dhe se ka pasur baza edhe në vende të tjera, i njëjti grup është marrë edhe me kontrabandë të kosovarëve në Serbi e Hungari e pastaj edhe në shtetet e tjera perëndimore”, theksoi Guda.

Kontrabanda me emigrantë nga shtetet aziatike është bërë kryesisht nga Azia dhe Afrika ku destinim final kanë qenë kryesisht shtetet e Evropës dhe viktimat dyshohet se për këtë relacion kanë paguar para në vlerë prej 3000-3500 Euro.

Viktima të kontrabandës kanë qenë edhe qytetarë të Kosovës ku të njëjtit për rrugëtimin ilegal për në shtetet e Evropës kanë paguar para në vlerë prej 2000-2500 Euro.

Personave të arrestuar me vendim të prokurorit kompetent u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore. (z.g.)
XS
SM
MD
LG