Ndërlidhjet

Me peticion kundër ligjit të amnistisë


Aksioni për nënshkrimin e peticionit për ndryshimin e Projektligjit për Amnisti, i cili ka nisur tash e tri ditë, nën organizimin e Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), ka vazhduar edhe të mërkurën.

Ky institut mëton t’i mbledhë më shumë se 10 mijë nënshkrime, për t’ia dërguar presidentes së Kosovës, në mënyrë që projektligji për amnisti edhe në qoftë se miratohet nga Kuvendi i Kosovës apo edhe nëse nënshkruhet nga presidentja Atifete Jahjaga, t’i kthehet përsëri kuvendit.

Drejtori ekzekutiv i institutit KIPRED, Ilir Deda, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se deri në mesditë, shifra prej 5 mijë nënshkrimesh është tejkaluar dhe se nënshkrimi i peticionit do të vazhdojë deri në ditën e premte.

Edhe nëse presidentja e nënshkruan shumë shpejt ligjin, këto 10 mijë nënshkrime duhet ta kthejnë me ligj të Kosovës. Me ligjet dhe procedurat ekzistuese në shtetin tonë , 10 mijë nënshkrime të qytetarëve për një ligj, e kthejnë ligjin prapa në Kuvend".

"Ka kohë që ligji për amnisti të votohet në Kuvendin e Kosovës, deri në fund të muajit korrik, e deri atëherë të bëhen të gjitha sqarimet e nevojshme që ky ligj të mos keqpërdorohet, që amnistia të shërbejë për atë çka edhe duhet të shërbejë – për serbët në veri – ndërsa, të mos ketë një amnisti të keqpërdorimeve dhe shkeljeve të ligjit në pjesën më të madhe të Kosovës”, ka thënë Deda.

Në anën tjetër, qytetarët që po e nënshkruanin peticionin me të cilin e kundërshtojnë projektligjin për amnisti, theksojnë se kanë shumë arsye për kundërshtuar atë.

Ejup Salihu thotë se ky projektligj e barazon krimin dhe drejtësinë dhe kjo sipas tij është e papranueshme për të.

Në një mënyrë, ne po ua mundësojmë kriminelëve që të dalin dhe shëtisin lirshëm, ndërsa, qytetarët tonë, baballarët tonë, vuajnë ende nga krimet e serbëve që i akne bërë ndaj popullatës sonë. Përveç kësaj, krimineli e ka një emër. Një kriminel është një kriminel, pa marrë parasysh i cilit komb apo kombësi është, ai duhet të ndëshkohet dhe të trajtohet vetëm si kriminel”.

Yll Bajrami, vlerëson se projektligji për amnistinë, është një përpjekje nga ana e qeverisë dhe partive politike, për të keqpërdorur situatën, në mënyrë që të përfitojnë nga kjo.

Me këtë ligj, unë mendoj se qeveria po do t’i zbrazë krejt burgjet dhe t’i lirojë njerëzit e vet, që i ka të burgosur aty, por edhe që i ka të ndjekur penalisht prej gjykatave të ndryshme. Këtu nuk është vetëm qeveria, por çdo parti e ka ndonjë njeri të ndjekur apo të gjykuar. Por, nuk është faji edhe krejt te t, sepse ka presione edhe prej faktorit ndërkombëtarë, sepse ata po i japin zor që t’i amnistojnë. Por, këta çka kanë dashur të bëjnë, është që ta lajnë edhe fytyrën e tyre”.

Habib Konjuhi, i cili po ashtu e ka nënshkruar peticionin, ka vlerësuar se projektligji për amnistinë, është një shuplakë në fytyrën e njerëzve të ndershëm.

“Kanë marrë miliona. Janë bërë miliarderë duke e shtyrë kontrabandën në kufij, duke vjedhur, kanë kërkuar para haraç. Të gjitha i kanë bërë e tash t’i falim? E unë që i kam paguar të gjitha me rregull, tatimet e të gjitha? Mua mi kanë djegur shtëpitë në fshat dhe kurrë nuk më kanë dhënë asgjë. Tash duhet falur ata që mi kanë djegur shtëpitë?”.

Arijeta Ajeti, thotë se nuk beson në faljen e krimeve përderisa ato paraprakisht nuk kalojnë nëpër gjykata të besueshme.

“Besoj që çdo krim duhet të kalojë nëpër një proces gjyqësor dhe pastaj të vendoset se çfarë meriton ai krim. Unë mendoj se në krime individuale ka mundësi që edhe të falet, sepse unë besoj sinqerisht në faljen, në restaurim dhe në një të ardhme pas faljes. Mirëpo, falje e përgjithshme, gjenerale, ku me një ligj futen krimet të një kategorie, çfarëdo lloj krimesh të jenë ato, unë nuk pajtohem absolutisht”.

Ndryshe, Ilir Deda ka theksuar se qeveria nuk mund të arsyetohet se nuk ka kohë të mjaftueshme për riformulimin e projektligjit për amnistinë.

Sipas tij, një gjë e tillë mund të ndodhë për kohë të shkurtë.

“Riformulimi mund të ndodhë për 24 orë. Ajo çka duhet të ndodhë është që të specifikohet me një nën-nen se për kë dhe çka vlen ky ligj. Nëse ka vullnet politik nga ana e partive politike dhe nga ana e Qeverisë së Kosovës, për ligjin mund të vendoset një formulim i ri, te kapitulli i pestë, te neni i pestë, i cili do ta sqaronte këtë nen dhe ky mund të kaloj. Por, në formën se si është tash, është i papranueshëm, nuk i shërben sundimit të ligjit në Kosovë dhe në fakt, i amniston shkelësit e ligjit në të gjithë Kosovën e jo vetëm në veri”, ka thënë Deda.

Deda ka paralajmëruar se shoqëria civile ka bërë thirrje për një tubim protestues, për ditën e enjte, në orën 10 para Kuvendit të Kosovës, që t’ju tregohet deputetëve se qytetarët janë kundër formës ekzistuese të projektligjit për amnistinë dhe në të njëjtën kohë t’ju jepet përkrahje deputetëve, të cilët janë kundër këtij projektligji, por që janë nën presion për ta votuar atë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG