Ndërlidhjet

Lista esenciale, barnat e lira zëvendësohen me të shtrenjta


Ilustrim
Ilustrim
Institucionet publike shëndetësore, prej pas luftës, nuk kanë arritur ta përmbushin listën esenciale me barna, për shkak të buxhetit të ulët që ka Ministria e Shëndetësisë, dedikuar furnizimit me barna.

Por, pavarësisht kësaj, shpeshherë ndodh që manipulimet me barna, si blerja e tyre me çmim shumëfish më të shtrenjtë se vlera reale, të mos mungojë.

Në kuadër të monitorimit publik të Ministrisë së Shëndetësisë, nga Instituti Demokratik i Kosovës, gjatë hulumtimit lidhur me atë se si përpilohet lista esenciale e barnave, zyrtarë të kësaj organizate kanë thënë se janë gjetur shumë parregullsi.

“Procesi i hartimit të listës esenciale dhe transparenca e saj për ne, si organizatë, është shumë e rëndësishme. Me gjithë premtimin e ministrit të Shëndetësisë, për t’u lejuar KDI-ja si monitoruese e komisionit, ne, si organizatë nuk jemi ftuar ta monitorojmë këtë proces. Kjo lë hapësirë për të dyshuar".

"Në listat e publikuara në ueb-faqen e Ministrisë së Shëndetësisë mungojnë të dhënat për sasinë e porositur dhe shumat e parave që janë distribuuar për secilin produkt në listën esenciale të banave”,
bën të ditur Merita Mustafa nga KDI-ja.

Por, zyrtarja e Ministrisë së Shëndetësisë, Lindita Avdyli, nga departamenti për barna, thotë se buxheti i limituar i Ministrisë së Shëndetësisë që u dedikohet barnave, është shumë i ulët për t’i mbuluar kërkesat që lista esenciale të përmbushet në tërësi.

Avdyli, gjithashtu, shton se është formuar grupi punues dhe duke i marrë parasysh kërkesat nga profesionistët, e që dalin prej institucioneve shëndetësore, janë bërë ndryshime në listën e esenciale.

“Lista ka dalë shumë e zgjeruar dhe buxheti është shumë i vogël dhe jemi munduar të zgjedhim prej një analize që është bërë nga grupet tjera punuese. Ministria e Shëndetësisë është e përkushtuar për një sistem shëndetësor unik dhe profesional, ku që në qendër të vëmendjes është pacienti dhe e drejta e tij për shërbime sa më cilësore”.

“Buxheti për vitin 2013, është rreth 22 milionë euro. Dhe, kërkesat për planifikim bëhen dy herë në vit. Në fillim të këtij viti, për gjashtëmujorin e parë, ka qenë 79 për qind e buxhetit total. Po qe se aprovohen këto kërkesa, nuk do të mund ta mbulonim gjashtëmujorin e dytë me vetëm 21 për qind të buxhetit. Dhe, ne është dashur t’i reduktojmë dhe t’i rishqyrtojmë kërkesat”,
shpjegon Avdyli.

Ndërkaq, pronarë kompanish farmaceutike kritikojnë mënyrën e përpilimit të listës esenciale, duke thënë se në listën esenciale nuk shihet pacienti si prioritet, por interesat e grupeve të caktuara apo kompanive farmaceutike, pa anashkaluar edhe politikanët që qëndrojnë prapa bizneseve farmaceutike të caktuara.

Skënder Kutllovci, nga kompania “Medical Group” shpreh dyshimet e tij lidhur me procedurën e përpilimit të listës esenciale:

“Procedura e përpilimit të listës esenciale, si e tillë, është manipulative dhe lë përshtypje që një bar në listën esenciale, mund të futet vetëm atëherë nëse e ke një mbështetje politike, ndonjë ilaç patentë që e ka vetëm një person dhe mundësisht ta ketë çmimin sa më të shtrenjtë në mënyrë që të përfitojnë të gjithë”.

“Çdo ditë para Ministrisë së Shëndetësisë i ke nga 30 persona që presin për të pasur qasje në terapi, derisa ministria publikon tenderë me vlerë 300 mijë euro për një lloj bari. Shtrohet pyetja, kush po e luan rolin e Zotit këtu, kush po e përzgjedh kush ka për të jetuar, e kush jo? Nuk mund ta lejojmë këtë gjë. Duhet të jenë protokollet e caktuara që rrinë prapa asaj çka kanë shkruar dhe kanë kërkuar nga lista esenciale”,
shprehet Kutllovci.

Ndërkaq, Skënder Syla, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Prishtinë, thotë se gjatë një hulumtimi që është bërë nga Ministria e Shëndetësisë dhe është asistuar nga OBSH-ja, është parë se Ministria e Shëndetësisë blen barna me çmime shumë të larta.

“Nga hulumtimi ,gjetjet janë se prokurimi në sektorin publik nuk është efiçient, e që do të thotë se ministria blen barna me çmime të paarsyeshme. Për këtë, shumë njerëz janë të detyruar që të shpenzojnë shuma të konsiderueshme parash për t’u trajtuar. Po ashtu, është konstatuar se barnat në sektorin privat janë më të larta sesa vlera reale e tyre”, pohon Syla.

Në kuadër të monitorimit publik nga Instituti Demokratik i Kosovës, është vërejtur se Ministria e Shëndetësisë ka hequr nga lista e barërave esenciale, përkatësisht nga lista e citostatikëve, llojin e barit Ondansetron dhe Granisetron, që ishin në përdorim në dy vitet e fundit, dhe në vend të këtyre ka futur një lloj tjetër – Palonosetron, e që është shumë herë më i shtrenjtë se ilaçet paraprake, kanë bërë të ditur zyrtarë të kësaj organizate.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG