Ndërlidhjet

Zbatimi ngec, pritet takimi Thaçi - Daçiq


Ngecjet në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit janë pasojë jo vetëm e mungesës së vullnetit, por edhe reflektim i imponimit të saj mbi palët negociuese, thonë analistët politikë në Prishtinë.

Në bazë të planit të zbatimit të Marrëveshjes 15 pikëshe të arritur në dialogun Prishtinë – Beograd, qysh gjatë fundit të majit dhe më pas gjatë javës së parë e të dytë të qershorit, palët kishin marrë përsipër disa zotime për implementim.

Mes tjerash, parashihej që pala kosovare të miratonte Ligjin për Amnisti si dhe të përgatiste kornizën ligjore, por në fakt, marrëveshja ende nuk është ratifikuar.

Kurse pala serbe, deri në mesin e qershorit është dashur të fillonte mbylljen e strukturave paralele të sigurisë, dhe dorëzimin e listave të punonjësve në këto struktura ilegale te grupet punuese në mënyrë që të bëhej identifikimi i tyre dhe fillimi i procesit të rekrutimit në strukturat e sigurisë së Kosovës.

Publicisti dhe analisti Belul Beqaj mendon se mosrespektimi i afateve, tregon se gjendja e gatishmërisë së palëve nuk është ende në nivelin e duhur për të zbatuar zotimet dhe obligimet e marra me marrëveshje.

“Fakti se nuk janë respektuar afatet, tregon se marrëveshja nuk është në përputhje me gjendjen e gatishmërisë reale për zbatimin e elementeve të cilat do t’i inkurajojnë vazhdimin e procesit të dialogut dhe do ta ngritnin nivelin e përgjegjësisë rreth normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Beqaj.

Ndërkohë, analisti Ardian Arifaj thotë se defekti kryesor i procesit negociues është se ai ishte i imponuar mbi të dyja palët.

Sa u përket pasojave të këtyre zvarritjeve, Arifaj thotë se ato do të hetohen menjëherë në kuadër të avancimit të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të proceseve integruese evropiane.

Kjo ka rezultuar me atë që palët nuk janë të gatshme dhe nuk kanë diskonim për të implementuar marrëveshjen dhe kushtet që dalin prej saj. Normalisht që kjo do të ketë pasoja dhe palët që nuk do të zbatojnë atë sigurisht që do të mbeten prapa në integrimet evropiane”, ka vlerësuar Arifaj.

Në anën tjetër, Belul Beqaj thotë po ashtu se zvarritjet në zbatimin e marrëveshjes, mund ta bëjnë përgjegjës edhe Bashkimin Evropian si garantues i saj.

“Fakti se nuk mund të themi që janë bërë veprimet e duhura për implementimin e marrëveshjes tregon se krahas dështim it të palëve, në fakt ka dështuar edhe ndërmjetësi, për arsye se nuk ka qenë i mobilizuar për të ndikuar tek palët që pjesët e elementeve që është dashur të zbatohen t’i implementojnë”, ka thënë Beqaj.

Kurse analisti Ardian Arifaj beson se Brukseli megjithatë ka në duar si shkopin ashtu edhe karotën, ngase mund t’i kushtëzon avancimet në integrimin e Kosovës dhe Serbisë në proceset evropiane me përparimet në zbatimin e marrëveshjes.

“BE-ja është këmbëngulëse, e vendosur që ta shfrytëzojë këtë fuqi që e ka dhe t’i dënojë palët. Ajo që i ka munguar plani të zbatimit është pikërisht ajo që nuk ka pasur afate të qarta kohore si dhe nuk janë parapa mekanizma që do të garantonin zbatimin e marrëveshjes, eventualisht edhe sanksionimin e palës që nuk e zbaton atë”, ka thënë Arifaj.

Në dialogun e ndërmjetësuar nga shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, Prishtinë dhe Beogradi në nivelin e kryeministrave patën arritur marrëveshjen e parë, të cilësuar edhe si historike të 19 prillit. Kurse për zbatimin e saj, patën akorduar planin implementues me 22 maj.

Mirëpo, më pas, grupet punuese të dyja vendeve nuk arritën të përmbyllin agjendat e diskutimeve që kanë të bëjnë me mbylljen e strukturave paralele të sigurisë e drejtësisë në veri, Ligjin për Amnisti e çështje të ngjashme.

Më 20 qershor, pritet që kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e baroneshës Ashton të zhvillojnë edhe një takim në Bruksel lidhur me zbatimin e kësaj marrëveshje.

Më pas, në fund të qershorit, Brukseli do të vendos nëse palët kanë zbatuar sa duhet hapat e parë të kësaj marrëveshje, nga çka do të varet nëse Serbisë do t’i jepet data e nisjes së negociatave për anëtarësim në BE, si dhe Kosovës nisja e negociatave për procesin e Stabilizim – Asocimit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG