Ndërlidhjet

Opozita kritikon vonesat në shpalljen e zgjedhjeve lokale


Kosovo -- Election officials carry ballot boxes from the country's first parliamentary elections since independence at the Kosovo Election Commission counting center in Pristina, 13Dec2010
Kosovo -- Election officials carry ballot boxes from the country's first parliamentary elections since independence at the Kosovo Election Commission counting center in Pristina, 13Dec2010
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga është në fazën finale të konsultimeve me të gjitha partitë dhe subjektet politike të interesuara të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Megjithatë, ende nuk ka diçka konkrete sa i takon shpalljes së datës për mbajtjen e tyre.

Zëdhënësi i presidentes së Kosovës, Arbër Vllahiu, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se presidentja është në fazën finale të konsultimeve me partitë politike për shpalljen e datës së mbajtjes së tyre.

“Procesi i konsultimeve me partitë politike parlamentare dhe subjektet e tjera politike është ende duke u zhvilluar dhe ai pritet që të përmbyllet së shpejti me një takim të përbashkët ku do të përcaktohet një datë për zgjedhjet komunale në Kosovë", ka deklaruar Vllahiu.

Për dallim nga partitë politike opozitare që thonë se presidentja është vonuar për shpalljen e datës për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, në Partinë Demokratike të Kosovës, thonë se ende ka kohë që presidentja të shpallë datën.

Basri Musmurati, sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se PDK-ja, megjithatë është e interesuar që sa më parë të mbahen zgjedhjet. Sipas tij, për këtë çështje tashmë kanë filluar edhe përgatitjet.

Lëre që jemi të interesuar për zgjedhje, po edhe kemi filluar përgatitjet t’i bëjmë sepse kemi mbajtur zgjedhjet paraprake në parti edhe kemi krijuar kuadro të reja. Dhe për ketë arsye, ne jemi të interesuar që zgjedhjet të mbahen në këtë vit dhe të mbahen diku në tetor. Nuk ka rëndësi data a mbahen në fillim në mes apo më vonë”, tha Musmurati.

Musmurati, tha po ashtu se janë dy çështje për të cilat duhet të vendoset dhe më pas të shpallet data për mbajtjen e zgjedhjeve nga presidentja Jahjaga.

Mund të them se është procedurë e reformës zgjedhore në vazhdim e sipër e cila ende nuk është kryer. E dyta ka të bëjë sigurisht edhe me ketë marrëveshjen që është bërë më Serbinë, edhe kjo është një nga arsyet ndoshta pse presidentja nuk është ngutur t'i shpallë zgjedhjet”, tha ai.

Mirëpo, Vjosa Osmani, deputete e Kuvendit të Kosovës, njëherësh anëtare e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se tashmë është koha e fundit që presidentja e Kosovës të shpallë datën e zgjedhjeve në mënyrë që ato të mbahen në fund të muajit shtator apo në fillim të muajit tetor.

Deputetja Osmani tha se marrëveshja e arritur me Serbinë, për normalizimin e raporteve në mes dy shteteve nuk duhet të lidhet me zgjedhjet lokale në vend.

Jo, nuk mendoj se këto duhet të ndërlidhën me njëra tjetrën absolutisht, sepse edhe për serbët e veriut do të jetë e njëjta, a do mbahen zgjedhjet në fund të shtatorit, apo në fillim të tetorit, nëse ata e japin vullnetin e tyre për të marrë pjesë në zgjedhje, do të ketë shumë pak rol data për ta".

"Mirëpo për PDK-në natyrisht që kjo është me rëndësi që të shtyhen sa më shumë, sepse interesi i tyre është që vjedhin votën e qytetarit ashtu siç kanë bërë edhe në të kaluarën”, u shpreh Osmani.

Edhe sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj tha për Radion Evropa e Lirë se presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga është vonuar për të caktuar datën për mbajtjen e zgjedhjeve.

Molliqaj theksoi se nga takimi i fundi me përfaqësuesit e partive politike ka pasur pajtueshmëri për datën e mbajtës së zgjedhjeve.

Duke u bazuar në dakordimin e forcave politike të cilat janë edhe pjesë e kësaj reforme zgjedhore, ku të gjithë janë dakorduar që zgjedhjet duhet të mbahen në muajt e parë të vjeshtës ku edhe dita është me e gjatë dhe përfundon procesi i votimit në kohën kur është dritë jashtë".

"Përndryshe, nëse presidentja e Kosovës do t’i shpallë zgjedhjet për një datë jo për të cilën jemi dakorduar më herët, jo për të cilën është interes i qytetarëve të Kosovës, atëherë ne e mbajmë përgjegjëse edhe presidenten për manipulimet eventuale që do të ndodhnin për shkak të kohës jo të përshtatshme kur do të mbahen zgjedhjet”, tha Molliqaj.

Pavarësisht disa kërkesave nga Beogradi se zgjedhjet në veri të Kosovës duhet të mbahen një javë më vonë, qëndrimet e institucioneve të Kosovës janë se veriu do të shkojë në zgjedhje lokale njëkohësisht me komunat tjera.

Në zgjedhjet lokale të kësaj vjeshte institucionet e Kosovës do të provojnë që për herë të parë t’i përfshijnë edhe komunat veriore të banuara me shumicë serbe në proces.

Bazuar në marrëveshjen Thaçi – Daçiq, dhe zotimeve që i ka dhënë Qeveria e Serbisë për zbatimin e saj, pritet që edhe shteti serb të luajë një rol në drejtim të sensibilizimit të serbëve të atjeshëm që të dalin dhe marrin pjesë në këto zgjedhje.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG