Ndërlidhjet

Dom Lush Gjergji: Rrënjët e thella të tolerancës ndërfetare


Dom Lush Gjergji
Dom Lush Gjergji


Toleranca ndërfetare te shqiptarët i ka rrënjët e thella dhe të kamotshme dhe atë nuk kanë mundur ta asgjësojnë ndarjet, përçarjet, sundimet e të huajve dhe as kalimi nga një sistem në sistemin tjetër, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Dom Lush Gjergji, vikar i përgjithshëm i Ipeshkvisë së Kosovës.


RADIO EVROPA E LIRË
Është thënë edhe më parë se shqiptarët shquhen për tolerancë ndërfetare. A e vazhdojnë këtë traditë shqiptarët e Kosovës edhe sot dhe si manifestohet kjo?

DOM LUSH GJERGJI
Toleranca jonë i ka rrënjët e vjetra. Toleranca jonë, më tepër vëllazëria jonë gjithëshqiptare mbështetet mbi të gjitha në historinë, në traditën dhe kulturën tonë të përbashkët të vjetër më se 1500 vjet, kur kemi qenë të gjithë të krishterë derisa nuk erdhën sundimet e të huajve dhe të huajt u munduan të na ndajnë dhe të na përçajnë.

Të na ndajnë arritën zyrtarisht, sepse tash jemi të krishterë dhe myslimanë, dhe të krishterët jemi ortodoksë dhe katolikë, në Kosovë më pak, kurse në Shqipëri më tepër, sidomos pjesa ortodokse, dhe janë sektet e ndryshme në mes të vëllezërve shqiptarë myslimanë.

Por, ajo çka është dhe fondi ynë i përbashkët, është vëllazëria jonë gjithë shqiptare. Këtë, as ndarjet, as përçarjet, as sundimet e të huajve, as kalimi prej sistemit në sistem nuk ka arritur kurrë ta asgjësojë. Aty-këtu është munduar ta dëmtojë, por shqiptari e ka ruajtur ndjenjën e përkatësisë së përbashkët iliro-shqiptare, prandaj edhe ndjenjën e vëllazërisë. Dhe, kjo vazhdon dhe duhet të vazhdojë me një motivim edhe më të madh, që, përpos se jemi vëllezër si shqiptarë, duhet ta kultivojmë, ta rrisim e ta shtojmë gjithnjë se jemi vëllezër edhe si besimtarë monoteistë, secili në përcaktimin, bindjen dhe zgjidhjen e vet, por të jemi vetvetja dhe për t’ia mundësuar edhe tjetrit që të jetë vetvetja.

Ky është parimi bazë, parimi i shenjtë që, fundja, liria fetare është parakusht i të gjitha lirive. Nëse Zoti na ka krijuar të lirë, kush jemi ne që t’ia mohojmë lirinë njëri-tjetrit?!

Mjaft na kanë mohuar të tjerët që na kanë sunduar, e ne vëllai vëllait, në asnjë mënyrë nuk dëshirojmë, as t’ia mohojmë, ta kërcënojmë e as ta rrezikojmë, por t’i themi feja është ofertë, është mundësi, zgjidhe ajo çka më së tepërmi ty të pëlqen, ty të ndihmon që të jesh shqiptar i mirë, që të jesh njeri i mirë, që të kesh familje të mirë, që të jesh i sigurt dhe i lumtur në jetë se bashkëpunon me Zotin dhe me të afërmit.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të thuhet se shqiptarët kanë qenë shembull për popujt tjerë, domethënë lidhur me tolerancën ndërmjet vete?

DOM LUSH GJERGJI
Gjithsesi, unë besoj se pasi s’kemi gjëra për eksportim, së paku të eksportojmë këtë çka e kemi që është tradita dhe kultura e jonë, e cila e ka zanafillën prej Konstantinit të Madh, një dardan, një ilir, i cili e ndërroi historinë e botës dhe për herë të parë i barazoi të krishterët me paganët.

Dhe, kjo përvojë ka vazhduar gjatë shekujve dhe vazhdon edhe sot, jemi shembull jo vetëm për tolerancë, sepse toleranca e ka një kuptim të ngushtë. Të shkojmë te shprehja, e barti, e duroi, e pranoi. Ta mbash, ta durosh apo ta pranosh vëllanë, pse e ke vëlla do të ishte tepër pak, por e nderoj, e dua, jam i lumtur se e kam vëlla. Prandaj, kjo çka ka qenë gjatë shekujve është platforma, është trualli, në të cilin ndërtojmë.

Ne mundemi dhe duhet ta begatojmë gjithnjë e më tepër për të qenë edhe shembull jo vetëm i së kaluarës, por shembull konstruktiv pozitiv i ndërtimit të urave të reja në mes të dialogut ndërfetar krishtero-mysliman, apo myslimano- krishterë, sepse kjo ka një domethënie të jashtëzakonshme, pasi që bota gjithnjë e më tepër jeton në një pluralizëm, edhe etnik, edhe fetar, edhe kulturor, politik e ekonomik.

Sot, të jetosh, domethënë të dish të komunikosh në pluralizëm me tjetrin, i cili është ndryshe. Dhe, këtu është shumë e rëndësishme që shqiptari ta kuptojë se të jetë ndryshe - nuk do të thotë është kundërshtar. Prej ndryshimit apo të qenët ndryshe, secili prej nesh mund të marrë dhe të mësojë diçka.

Merre atë që të pëlqen dhe lëre atë që nuk të pëlqen. Vetëm në këtë mënyrë e vërteta me dashuri dhe për dashuri do të ishte motoja e asaj çka unë mendoj dhe porosis të gjithë shqiptarët dhe bashkatdhetarët tanë kudo që jetojnë. Të udhëhiqemi nga e vërteta, e mbi të gjitha ta zbatojmë dashurinë me njëri-tjetrin, sepse tepër shumë kemi vuajtur, e sot duhet ta gëzojmë lirinë, demokracinë dhe mundësinë për zgjidhje, si në aspektin fetar, atë kulturor, atë shpirtëror ashtu edhe në atë politik.

Mos të mendojmë se ai që është ndryshe prej meje, është kundërshtari im, sepse kjo na ka mbetur si kujtim historik kur ndryshe ishin të huajt që kishin ardhur për të na sunduar, për të ndarë dhe për të na përçarë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dom Lush, a ka pasur lëkundje në këtë tolerancë, apo s’ka pasur fare?

DOM LUSH GJERGJI
Lëkundje te vetë shqiptarët nuk kam hetuar, hetoj aty-këtu ndikimet e të tjerëve. Të tjerët nuk duan të na shohin në këtë prizëm. Ndoshta është edhe vetë zilia, xhelozia, janë ndikimet e ndryshme sidomos nga bota arabe, e cila kur ka ardhur këtu, në çfarëdo forme apo mënyre ka menduar se do ta gjejë një islamizëm të tipit të vet.

Islamizmi ynë është tradicional, është i hapur, ndaj të gjithëve, veçmas ndaj shqiptarëve të krishterë, të cilët i trajton si vëllezër, sikurse edhe ne i trajtojmë si vëllezër. Më islamizmi nuk është një fe e turkut apo e arabit, por është një fe e vëllait tim, sikurse ata na konsiderojnë ne vëllezër.

Jo rastësisht shumë shqiptarë sot të islamizuar, apo pa ndonjë përcaktim fetar krishterimin e quajnë feja jonë e vjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke marrë parasysh që në Kosovë jetojnë edhe bashkësi tjera etnike me përkatësi të ndryshme të religjionit, si qëndron situata në këtë rrafsh, a ka tolerancë të ndërsjellë?

DOM LUSH GJERGJI
Këto dy vitet e fundit gjendja dukshëm është përmirësuar. Me iniciativën e ipeshkvit tonë, imzot Dodë Gjergjit, para rreth dy viteve kemi filluar që t’i kemi takimet në mes të, tashmë po përdoret shprehja liderëve, edhe pse janë krerë të bashkësive fetare, domethënë Kryeimamit të Kosovës, Ipeshkvit ortodoks të Kishës Ortodokse Autoqefale të Kosovës dhe të Ipeshkvisë së Kosovës.

Dhe, kjo ka vazhduar dhe vazhdon çdo 2-3 muaj, ku kemi takime, dreka apo darka të përbashkëta radhazi bashkësitë dhe bisedojmë haptazi vëllazërisht. Kjo përvojë është shumë pozitive, sepse me ndërrimin e kreut në Kishën Ortodokse, Artemije ishte më parë, i cili refuzonte parimisht çdo takim me shqiptarët, por edhe çdo takim e bashkëpunim edhe me ndërkombëtarët, tash është ipeshkvi i ri Teodosije, i cili ka një shpirt ekhumenik dhe merr pjesë në të gjitha këto takime.

Prej këtyre takimeve, kemi ardhur te krijimi i këshillave apo komisioneve, të cilët punojnë dhe shqyrtojnë çështje dhe i përgatisin për krerët e bashkësive fetare.

Takimi i parë ishte pikërisht këtu, në rezidencë, para një rreth një muaji e gjysmë. Tash do të organizohet një takim tjetër radhazi dhe kështu ne bisedojmë vëllazërisht hapur për të gjitha çështjet, ia shpjegojmë gjendjen e bashkësive tona fetare njëri-tjetrit dhe mundohemi të marrim qëndrime të përbashkëta për të qenë shembull.

Kush e do Zotin, kush është fetar, nuk mund të mos e dojë njeriun, sepse dashuria për Zotin kalon nëpër shkallë të njeriut, ne Zotit s’mund t’i bëjmë as mirë as keq, varemi prej tij, kurse me njeriun ndajmë përditshmërinë.

Prandaj, nga ky aspekt mendoj se gjendja është dukshëm më e mirë dhe shpresoj dhe uroj që ky dialog edhe ekhumenik, edhe ndërfetar, të begatohet gjithnjë e më tepër. Dhe, secili prej nesh, ta them me stilin e me figurën e Nënës Terezë - Jepe pjesën më të mirë të vetvetes. Cila është ajo pjesë? Dashuria, shërbimi, flijimi, dhurimi ndaj njëri - tjetrit. Kur tjetri është i lumtur, mund të jemi edhe ne së bashku.

RADIO EVROPA E LIRË
Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, është shtruar shqetësimi i liderëve religjiozë për mungesën e mekanizmit, siç thuhet, që i lejon grupet religjioze të regjistrohen dhe të marrin status juridik. Sa kohë ka që ekziston ky problem dhe çfarë vështirësish ka nxjerrë?

DOM LUSH GJERGJI
Këtu është një problem, të cilin e kemi shqyrtuar edhe ne, si Ipeshkvij dhe Kisha Katolike në Kosovë, sepse mungon ende ligji për bashkësitë fetare. Një propozim-ligj ka qenë, ne i kemi dhënë vërejtjet dhe propozimet e tona. Është thënë se diku në fund të vitit të kaluar apo në fillim të 2013-s do të shqyrtohet në Parlament. Nuk dimë përse ky ligj nuk ka ardhur ende në Parlament, nuk është diskutuar dhe nuk është votuar.

Mungesa tjetër është se Qeveria e Kosovës nuk ka një mekanizëm apo një ministri sikurse në vendet tjera, apo një zyre, sikurse në Maqedoni, për shembull, është zyra për marrëdhëniet shtet-bashkësi fetare.

Në vendet tjera, sidomos në Evropë dhe Amerikë, është një ministri, e cila enkas merret me këto çështje. Ne nuk hyjmë në atë se si do të jetë, por mendojmë se do të ishte mirë që edhe Qeveria jonë dhe shteti i brishtë dhe i ri i Kosovës, ta ketë një mekanizëm që të dinë edhe besimtarët, por edhe shteti, se me kë dhe si të komunikojë.

Ne kemi marrëdhënie të mira dhe të rregullta me Qeverinë, me presidenten, kryeministrin, kryetarin e Parlamentit, e ministrat tjerë, por këto janë krejt marrëdhënie të karakterit personal dhe ndërpersonal, në forma jozyrtare.

Derisa mos ta kemi ligjin, i cili definon bashkësitë fetare, derisa mos ta kemi një mekanizëm ndërmjetës të komunikimit ndërmjet bashkësive fetare dhe Qeverisë së Kosovës, sigurisht se mund të ketë vështirësi dhe kjo mendoj se është mungesë. Për nga ana jonë e konsideroj mungesë.

Shpresoj që ta kuptojë edhe Qeveria se nuk kërkojmë asgjë përpos një komunikim dhe bashkëpunim më të mirë, sepse ne dëshirojmë t’i ndihmojmë Qeverisë sonë, duke edukuar ndërgjegjen e qytetarëve dhe besimtarëve tanë.
XS
SM
MD
LG