Ndërlidhjet

Vullnetarët irakianë në Siri luftojnë në anë të kundërta


Siri
Siri
Samira Ali Mandee
Charls Recknagel
Radio Evropa e Lirë


Vullnetarët irakianë, nga popullata shiite dhe ajo sunite, po hyjnë në Siri, për të luftuar për palët rivale.

Kjo gjë i ka shtuar shqetësimet se lufta do të përhapet edhe në Irak.

Megjithatë, askush nuk e di në mënyrë të saktë se sa është numri i irakianëve, që e kanë kaluar kufirin me Sirinë, për të luftuar atje.

Por, kjo bëhet e qartë atëherë kur në Irak kthehen kufomat e të vrarëve për varrim.

Muratori 26-vjeçar nga Basra, Dhiaa Mutashar Gatie al-Issawi, është vrarë në Damask më 2 maj, derisa luftonte në anën e trupave të qeverisë.

Se si ka hyrë ai në Siri mbetet fshehtësi e madhe, por varrimi nuk ishte i fshehtë, pasi në të morën pjesë shumë njerëz, që dukeshin se ishin krenarë.

Vëllai i tij, Mustafa Mutashar, thotë se ai ka vdekur duke i mbrojtur varrezat shiite në Siri nga shkatërrimi.

“Në atë kohë, ai tha se po shkonte për t’u bërë martir duke e mbrojtur tempullin Saida Zainab, ndërsa krenaria jonë u rrit kur ne mësuam se ai kishte rënë për t’u bërë martir, meqë ne jemi shiitë. Në ceremoninë e varrimit ishte krijuar rresht i gjatë i njerëzve dhe merrnin pjesë edhe përfaqësues të zyrës së Saidit”, tha Mustafa Mutashar.

Tempulli Saida Zanaib paraqet përkujtim për vajzën e imamit të parë të shiitëve islamikë, Ali. Ky është njëri nga tempujt kryesor në Siri, që konsiderohet i shenjtë nga Qeveria e Sirisë, pasi udhëheqja e saj Alaëi, është degë mistike e shiizmit dhe në përgjithësi i shiitëve në gjithë rajonin.

Por, nëse askush në funeral nuk do të tregojë se si i vrari arriti në Siri, prania e përfaqësuesve të Saidit, që është titull nderi i klerikut radikal shiit, Muqtada al-Sadr, ofron një shpjegim të mundshëm.

Armata Sadr al-Mahdi është njëra nga grupet militante shiite, që gjerësisht besohet se dërgon luftëtarë në Siri.

Grupet e tjera janë Brigadat Irakiane Hezbollah dhe Asaeb Ahlul-Haq.

Më tutje në pjesën veriore të Irakut, në provincën qendrore al-Anbar, që është qendër e sunitëve, funeralet e të vrarëve në Siri, po ashtu ndodhin rregullisht. Por, këtu varrosen njerëzit, që janë vrarë në anën kundërshtare të konfliktit në Siri: ata që janë vrarë në mbështetje të opozitës me shumicë sunite.

Sheikh Mohammed al-Hayis është një udhëheqës i grupit Bijtë e Irakut ose Zgjimi i Irakut.

Në kulmin e kryengritjes irakiane në vitin 2007, kur al-Qaeda synonte përhapjen e luftës civile ndërmjet militantëve shiitë dhe sunitë, lëvizja e tij pati ndihmuar në goditjen e al-Qaedas në territoret e banuara me shumicë sunite dhe në kthimin e stabilitetit.

Al-Hayis thotë se tash grupet radikale sunite, siç është al-Qaeda në Irak, po i dërgojnë luftëtarët për t’i mbështetur homologët sirianë, siç janë ata në grupin Fronti al-Nusra.

Trupat e pajetë të të vrarëve kontrabandohen prapa në Irak, të fshehur në mesin e gjërave të ngrira, që tregtohen përgjatë kufirit dhe kthehen në Irak te familjarët e tyre.

Pastaj, ata varrosen në heshtje dhe qetësi pasi kanë frikë se do ta zgjojnë interesin e qeverisë së dominuar shiite në Irak, që është kundër ndryshimit të regjimit në Siri.

“Ne kemi informata për kalimet nga Iraku në Siri, veçanërisht nga Al-Anbari, Mosuli dhe rajonet e tjera, për të luftuar kundër popullit të Sirisë dhe qeverisë së saj, me qëllim që të shkatërrohet populli i Sirisë dhe Qeveria e Sirisë. Kjo është ajo që e kemi parë: numër të madh të vrasësve dhe kriminelëve, që janë të ushtruar t’i vrasin njerëzit dhe t’u presin kokat”, thotë al-Hayis.

Fakti se vullnetarët irakianë po luftojnë në të dy anët e konfliktit në Siri i ka shtuar shqetësimet për paqen e ndjeshme brenda në Irak.

Ibrahim al-Sumaydaee, analist nga Bagdadi, thotë se shumë grupe, që i dërgojnë luftëtarët në Siri, këtë e shohin si përleshje të sunitëve me shiitët.

Ai tërheq vërejtjen se derisa Qeveria e Irakut të mos e ndalë shkuarjen e luftëtarëve në Siri, lufta mund ta përfshijë edhe Irakun.

“Atje është betejë ndërmjet gjysmëhënës sunite dhe shiite. Të dy palët ose të dy kampet, njëra që përbëhet nga shtetet e Gjirit dhe Turqia, që e kundërshtojnë Iranin. Mendoj se kjo situatë do të shkaktojë ndarje në Irak”.

“Luftëtarët irakianë në Siri, për një arsye ose tjetër, janë sunitë dhe shiitë dhe ata përfundimisht do të luftojnë kundër njëri-tjetrit. Kjo mund të ketë ndikim negativ në skenën irakiane dhe në shoqërinë irakiane. Ky është një rrezik, që i kanoset Irakut, ndërsa për këtë çështje deri tash nga qeveria janë ndërmarrë masa të dobëta”, thotë analisti Sumaydaee.

Iraku mbetet vend i shkallës së lartë të pasigurisë, me një numër në rritje të sulmeve me bomba dhe vrasjeve gjatë muajve të fundit, ku viktima janë si sunitët, ashtu edhe shiitët.

Këtë javë janë vrarë afro 90 njerëz dhe qindra të tjerë janë plagosur në valën e dhunës, e cila filloi pasi forcat e qeverisë e bastisën një kamp protestues sunit në pjesën veriore të Irakut, në muajin prill. (f. bujupi)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG