Ndërlidhjet

Bordi i AKP-së, jofunksional


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit pas dorëheqjes së drejtorit Blerim Rexha dhe largimit të dy anëtarëve të tjerë nga ky bord, është jo funksional, vlerësojnë organizatat ekonomike në vend dhe ish-anëtarë të bordit të AKP-së.

Derisa zyrtarë të AKP-së thonë se sipas ligjit, në aspektin procedural mbledhjet e bordit mund të mbahen dhe të votohet për pikat e rendit të ditës, në përjashtim të vendimeve që, sipas ligjit, duhen votat pozitive të tre drejtorëve ndërkombëtarë.

Zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi, thotë për Radion Evropa e Lirë se në një nga pikat që bordi aktual nuk mund të marrë vendim, ka të bëjë me ndarjen e 25 përqindëshit për punëtorët, përderisa për çështjet tjera të privatizimit, ai nuk komenton më shumë.

Kaloshi bën të ditur se mbledhja e bordit të AKP-së do të mbahet më 23 dhe 24 të këtij muaji.

Në anën tjetër, përfaqësues të organizatave ekonomike në vend pas gjendjes së krijuar në AKP, kërkojnë nga Kuvendi i Kosovës urgjentisht të mbajë një takim dhe të vendosë për bordin e ri të kësaj agjencie.

Drejtori i Odës Ekonomike Gjermane, Bardhyl Metaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet të bëhet zgjedhja e bordit të ri, për shkak se ky bord aktual nuk ka bazë deleguese për të marrë vendime rreth çështjeve të privatizimit.

“Nëse e marrim në aspektin politik dhe në aspekte tjera, bordi është jofunksional pasi që kanë mbetur vetëm edhe tre anëtarë vendorë dhe janë dy të huaj të minoriteteve, pra nuk ka bazë deleguese të parlamentit nëse e marrim segmentin politik. Nëse e marrim në segmentin organizativ, ata si forum mund të funksionojnë, por ndërkohë nuk kemi kryetar, nuk e kemi përfaqësuesin amerikan, nuk e kemi përfaqësuesin tjetër – pra, jemi duke folur për një bord jo funksional”, vlerëson Metaj.

Pas dorëheqjes së drejtorit të bordit të AKP-së, largimit të përfaqësueses së Shteteve të Bashkuara Bernadette Roberts dhe anëtares tjetër Dardane Peja, në bordin e AKP-së kanë mbetur Skënder Komoni, Haxhi Arifi, Maja Milanoviq, Hubert Warsmann dhe Muhammed Omran.

Ish-anëtari i bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Naser Osmani, thotë për Radion Evropa e Lirë se në bordin e AKP-së tashmë është krijuar një situatë jo e mirë dhe si i tillë, ky bord nuk mund të marrë vendime lidhur me çështjet e privatizimit.
Mendoj se duhet të bëhet një ndryshim rrënjësor i stafit menaxhues të AKP-së...

“Mendoj se duhet të bëhet një ndryshim rrënjësor i stafit menaxhues të AKP-së, të zgjidhen njerëz kredibilë dhe të udhëheqin këtë proces në mënyrë që të përfundojë procesi i privatizimit sa më shpejt”, shprehet Osmani.

Procesi i privatizimit në Kosovë kishte filluar në vitin 2002. Sipas të dhënave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, gjatë kësaj periudhe janë privatizuar mbi 1,000 ndërmarrje, prej të cilave mbi 700 janë privatizuar me metodën e spin off-it dhe rreth 300 kontrata të privatizimit janë nga shitja e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore.

Nga privatizimet dhe shitja e këtyre aseteve, deri më tani janë mbledhur mbi 613 milionë euro.

Privatizimi në Kosovë në vazhdimësi ishte përcjellë me kritika të ashpra nga mekanizma vendorë dhe ndërkombëtarë.

Lidhur më çështjet e privatizimit Bardhyl Metaj nga Oda Ekonomike Gjermane kërkon që të bëhet një auditim dhe të shikohet se si janë kryer privatizimet deri më tani.

“I dimë absurdet që kanë ngjarë me privatizimet, e dimë rastin e fundit që u mor toka prej 25 hektarësh në Kaçanik për vetëm 5 mijë euro. Të gjitha këto e kanë krijuar një perceptim jo vetëm te qytetarët e Kosovës, por edhe te të huajt. Shtuar gjithë kësaj vdekjen e Dino Asanajt, kemi të bëjmë me një proces të kriminalizuar”.

“ A është kjo e vërtetë apo jo, duhet që ky grup hetues të hedh në dritë nëse kanë ngjarë në tri apo katër keqpërdorime, të saktësohen ato, dhe të tjerave t’u krijohet legjitimit dhe t’u largohet ‘hipoteka’ nëse janë bërë me dallavere”,
vlerëson Metaj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG