Ndërlidhjet

Kosovë: Shqetësime për tërheqjen e amerikanëve nga AKP-ja


Largimi i amerikanëve nga agjencia e privatizimit, nuk është lajm i mirë, por gjërat nuk duhet marr me nxitim.

Një përshkrim të tillë e jep kryetari i komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik, infrastrukturë, tregti dhe industri, përderisa thirr kryetarin e bordit të Agjencisë Kosovare për Privatizim dhe anëtarët tjerë të bordit për reflektim.

Zenun Pajaziti tha për Radion Evropa e Lirë, se përderisa nuk sqarohen në detaje gjërat pse amerikania Bernadette Roberts, iku nga AKP-ja, drejtori Blerim Rexha dhe drejtorët tjerë duhet të gjejnë përgjigjet për anëtarët e komisionit parlamentar, meqë kjo gjë do të ngrihet në tavolinën e diskutimeve.

“Nuk besoj se një qëndrim i një individi, qoftë edhe i gabuar të jetë në kundërshtim me shtetin e caktuar. Jam i interesuar që ta trajtojmë në mënyrën më të mirë, dhe në kohën e duhur si komision, por në ndërkohë mund të ketë reflektim edhe nga vet AKP-ja, ne nuk mund ta dimë se çfarë do të mund të reflektoj vet bordi i AKP-së, ose kryetari i bordit në ndërkohë”, tha ai për të shtuar se “Po ashtu jam i interesuar që të mos i shohim shumë [gjërat] bardh-e-zi!”

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka mbetur pa përfaqësuesen amerikane Bernadette Roberts në bordin e drejtorëve.

Dorëheqjen ajo ua kumtoi kolegëve të vet përmes një shkrese, por, siç thonë ata, pa dhënë shpjegime të tjera.

E përditshmja “Express” ka botuar një përgjigje me shkrim të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë lidhur me këtë rast, në të cilin thuhet se ambasada ka shprehur “shqetësimin në lidhje me udhëheqjen dhe drejtimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe nuk ndjehet më në gjendje që të jap një ndihmesë pozitive në punën e rëndësishme të agjencisë”.

Bordi i AKP-së kryesohet nga Blerim Rexha, ndërsa anëtarët tjerë janë: Haxhi Arifi, Skender Komoni, Dardane Peja, Maja Milanoviq, Hubert Warsmann dhe Muhammed Omran.

Blerim Rexha si drejtor i bordit, ka shprehur keqardhje për largimin e përfaqësueses amerikane nga ky trup, duke thënë se ka pasur dallime dhe “mospajtime me anëtarë të bordit”, siç ka shkruar ai në një reagim për mediat vendore, pas largimit të zonjës Roberts.

Pas analizimit të të gjitha këndeve, sipas Zenun Pajazitit, gjërat dalin shqetësuese.

Shqetësimi është jashtëzakonisht i madh, kur kemi parasysh faktin se ky agjencion ka pasur një kohë të gjatë pa funksionuar për shkak të mungesës së anëtarëve të bordit”.

“Por çfarëdo që të bëjmë ne, tash nuk mund të bëjmë diçka më shumë, sepse ju e dini që një proces i shkarkimit, ose i emërimit të anëtarëve të bordit, është një proces jashtëzakonisht i gjatë ligjor, të cilin e përcakton ligji, dhe mendoj se nuk duhet të bëjmë me nxitim asgjë. Ajo që mund të bëjmë ne tash, është ta shqyrtojmë raportin dhe t'i shqyrtojmë të gjitha ato që kanë ndodhur në këtë institucion”, tha Pajaziti për Radion Evropa e Lirë.

Haxhi Arifi, thotë se largimi i përfaqësueses së Shteteve të Bashkuara nga bordi i AKP-së ka shqetësuar Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, të cilin Arifi e përfaqëson si anëtar i bordit në agjencinë e privatizimit.

Por, siç tha ai, arsyet e dorëheqjes nuk i di, dhe nuk komenton nëse vërtet kishte divergjenca mes Bernadette Roberts dhe drejtorit të bordit Blerim Rexha.

“Çdo kush e ka të drejtën e vet të tërheqjes, të marrjes pjesë, të mospjesëmarrjes. Por ato janë çështje të cilat unë nuk mund t’i komentojë, se nuk i di. unë di veç për një shkresë për dorëheqje të parevokueshme, dhe asgjë më tepër. Por është një hendikep për bordin në përgjithësi, edhe për Kosovën nëse ata nuk janë në bord. Mbes me shpresë se ajo mund të jep dorëheqje, por sigurisht se mund të zëvendësohet edhe me një anëtar tjetër. Nuk e di”, tha Arifi për Radion Evropa e Lirë.

Bordi i ri i AKP-së, ka mbajtur mbledhjen e vet inauguruese më 28 shkurt të këtij viti.

Agjencia e Privatizimit, është organ i Kuvendit të Kosovës, dhe të gjithë anëtarët e bordit janë të votuar nga legjislativi.

Kjo çështje ka nxitur reagime të shumta te zyrtarët qeveritarë, opozita dhe shoqëria civile. Instituti Kosovar për Demokraci ka kërkuar ndërhyrjen e Kuvendit të Kosovës, dhe formimin e një komisioni hetimor për AKP-në.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG