Ndërlidhjet

Ulja e TVSH-së për shportën ushqimore


Edhe për mishin kërkohet që të ulet TVSH-ja
Edhe për mishin kërkohet që të ulet TVSH-ja
Autoritetet e Kosovës janë duke shqyrtuar mundësitë për uljen e normës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për artikujt e caktuar ushqimorë. Megjithatë, zyrtarë të Ministrisë së Financave, thonë se në rast të uljes së normës së TVSH-së në disa artikuj ushqimorë, duhet të ketë ngritje të TVSH-së në artikujt tjerë.

Në Kosovë, tatimi mbi vlerën e shtuar, është 16 për qind për të gjitha mallrat, pa marrë parasysh origjinën e tyre dhe 0 për qind për mallrat, të cilat i dedikohen eksportit, kjo normë zbatohet që nga viti 2001.

Menderes Ibra, këshilltar në Ministrinë e Financave, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë se janë duke diskutuar për krijimin eventual të një norme tjetër më të ulët për disa produkte ushqimore, siç janë buka, kripa, qumështi e të tjera.

“Duhet pasur parasysh se ne nuk kemi asnjë vendim për këtë çështje. Jemi duke e analizuar këtë edhe në pikëpamje të ndikimit buxhetor, por edhe në pikëpamje të realizmit të eventual të një mase të tillë, pasi që duhet ditur se nëse do të ketë rëne të TVSH-së në artikujt e caktuar ushqimorë, atëherë do të duhej që norma për artikuj të tjerë të rritej”, thotë Ibra.

Kohë më parë, Instituti Ballkanik i Politikave kishte filluar një iniciativë, në të cilën kërkohej heqja e TVSH-së për shportën ushqimore.

Qëllimi i kësaj iniciative ishte heqja e normës Tatimore mbi Vlerën e Shtuar për produktet bazike të shportës ushqimore, siç janë: buka, mielli, vaji, qumështi, sheqeri, kripa dhe mishi.

Drejtues të këtij instituti kishin theksuar se disa vende të Evropës kanë reduktuar tatimin për shportën ushqimore.

Sipas hulumtimit të tyre, Serbia dhe Kroacia normën tatimore e kanë 20 për qind, ndërsa tatimin për shportë ushqimore e kanë 8 për qind dhe 5 për qind. Gjermania normën tatimore e ka 19 për qind, ndërsa tatimi për shportën ushqimore është 7 për qind. Derisa në Shqipëri norma e TVSH-së është 20 për qind, pa ndonjë lirim për shportën ushqimore.

Këshilltari i Ministrisë së Financave, Menderes Ibra, thekson se norma e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në Kosovë, është më e ulëta krahasuar me vendet e rajonit dhe më gjerë.

“Sistemi tatimor në Kosovë është i ndërtuar në atë mënyrë që të jetë një sistem tatimor më i thjesht dhe shkalla e TVSH-së në Kosovë është 16 për qind dhe është norma më e ulët e TVSH-së, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Ministria e Financave vazhdimisht i rishikon politikat fiskale në mënyrë që të jenë në funksion edhe të konsumatorëve, edhe të bizneseve. Në kuadër të përcaktimit të normave tonë tatimore diskutojmë edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar”, sqaron Ibra.

Viteve të fundit, Kosova është përballur me rritje të vazhdueshme të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovë (ASK), çmimet e konsumit në Kosovë janë ngritur për 2.6 për qind në muajin mars 2013, krahasuar me muajin mars 2012.

Norma fikse prej 16 për qind konsiderohet shumë e lartë për standardin e jetës së qytetarit në Republikën e Kosovës, vlerësojnë edhe qytetarët.

“Çmimet janë të larta, ka shtrenjtim gati çdo muaj, nuk e di se si po ia dalim... është shqetësuese”, thotë qytetari Abdullah Kastrati.

Ndërsa, Avni Sulejmani, pensionist, thotë se nëse do të hynte në fuqi heqja e TVSH-së për shportën e konsumatorit, do ta ndihmonte shtresën e varfër.

“Çmimet janë të larta për pensionistët, ata të cilët jetojnë me asistencë sociale dhe ata që kanë paga të ulëta. Heqja e TVSH-së do t'i ndihmonte shumë këto shtresa të qytetarëve”, shprehet ai.

Deri më tani, në Kosovë, të liruar nga TVSH-ja janë: importimet e gjërave personale të udhëtarit, importi i mallrave turistike, të dyja këto të rregulluara nga dispozitat e doganave, shërbimet spitalore dhe kujdesi mjekësor e të tjera.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG