Ndërlidhjet

Maqedoni: Polemika për borxhin e jashtëm në rritje


Fotografi ilustruese, Shutterstock
Fotografi ilustruese, Shutterstock
Me borxhin e ri prej 138 milionë eurosh që mori Qeveria në formë të obligimeve shtetërore, borxhi i përgjithshëm i Maqedonisë ka arritur në 2.716 miliardë euro apo rreth 33 për qind e Prodhimit Bruto Vendor.

Vetëm gjatë dy viteve e gjysmë, borxhi i Maqedonisë ka shënuar rritje për 1 miliard euro. Më së shumti borxhe janë marrë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, nga institucione e banka të huaja, por borxh është marrë edhe nga bankat e vendit dhe kompani të ndryshme.

Këtyre të fundit Qeveria, gjithashtu, u ka borxh shifrën që besohet se arrin në rreth 900 milionë euro.

Pavarësisht këtyre të dhënave, të cilat janë vlerësuar si shqetësuese nga ekspertë dhe drejtues të odave ekonomike, ministri i Financave, Zoran Stavreski, vlerëson se ekonomia dhe buxheti i Maqedonisë është në gjendje të mirë dhe se marrja e borxhit është dukuri e njohur në shumë vende të botës.

“Buxheti është në gjendje të mirë, derdhja e mjeteve në buxhet po realizohet sipas parashikimeve për katër muajt e parë të vitit. Ne kemi rezultatet preliminare dhe ashtu siç kishim planifikuar, muaji prill ka përfunudar me një suficit të vogël, që do të ndihmojë në nivelizimin e shpenzimeve që u bënë gjatë muajve të kaluar për shlyerjen e obligimeve ndaj kompanive vendase dhe të subvencioneve të ndryshme".

Pra, deficiti është në kuadër të parashikimeve dhe si i tillë do të jetë deri në fund të vitit”
, thotë Stavreski, duke shtuar politika që po udhëheq Qeveria në raport me borxhet, është e njejtë me atë të shumë shteteve të Bashkimit Evropian.

Por, ndryshe nga ministri i Financave, nga opozita, thonë se futja e vendit në borxh të thellë do të ketë pasoja në peiudhën e mëvonshme, kur ato para do të duhet të kthehen.

Vanço Uzunov, drejtues i Këshillit ekonomiko-social të LSDM-së, thotë se Qeveria duhet të kursejë dhe jo ta fusë vendin në borxhe.

“Borxhi merret pasi Qeveria nuk ka para për t'i mbuluar shpenzimet rrjedhëse, andaj edhe zgjedh këtë mënyrë, që është një veprim i paparë, pasi kur nuk ke para duhet të kursesh, të shkurtohen harxhimet në ndonjë segment dhe kjo të bëhet në mënyrë të planifikuar, të njoftosh opinionin se ku do të kursehet dhe me çfarë dinamike, e jo problemi të zgjidhet me futjen e shtetit në borxhe të mëdha".

"Qeveria këtë nuk dëshiron ta mendojë, e lëre më ta bëjë, kështu që ajo ka zgjedhur strategjinë, të marrë borxhe aq sa mundet dhe për kthimin e tyre të mendojnë ata që do të vijnë pas saj”
, thekson Uzunov.

Ekspertët thonë se Qeveria e Maqedonisë duhet të ndryshojë politikat ekonomike dhe të heqë dorë nga projektet joproduktive, për të cilat shpenzohen miliona euro, të siguruara edhe nga borxhet e jashtme.

“Të mos bëjë investime joproduktive që bëri dhe ende vazhdon të bëjë, e kam fjalën për projektin 'Shkupi-2014' dhe të ngjashme me të, por të fokusohet në investimet kapitale pasi është edhe obligim ndaj taksapaguesve që këto mjete t'i kthehen sërish biznesit”, vlerëson Menderes Kuçi, nga nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.

Nga ana tjetër, ministri i Financave, Zoran Stavreski dhe guverantori i Bankës Popullore, Dimitar Bogov, ditë më parë deklaruan se në takimet që kishin në Uashington në mbledhjet pranverore të Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, janë dhënë vlerësime pozitive për ekonominë e Maqedonisë, në veçanti në raport me përballjen me krizën ekonomike, shlyerjen e detyrimeve ndaj kompanive dhe çështje të tjera.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG