Ndërlidhjet

Rritje artificiale ekonomike


Shkupi
Shkupi
Rritja ekonomike, për të cilën flet Qeveria se gjatë këtij viti do të mund të arrij në 2 për qind apo edhe më shumë, nuk është reale, thonë ekspertët e ekonomisë, sipas të cilëve, rritje ndoshta mund të ketë, por ajo do të ishte rritje artificiale.

Në kushtet kur kemi rënie të kërkesave nga jashtë dhe mungesë të investimeve në vend, është më se joreale që të pritet forcimi i ekonomisë, thotë profesori universitar Vanço Uzunov, njëherësh kryetar i Këshillit ekonomiko-social, të LSDM-së.

“Është e qartë se parashikimet janë të parealizueshme. Qeveria thotë se tani, pas zgjedhjeve, punët do të ecin mirë dhe do të realizojmë rritjen e paraparë, por vështirë se kjo të ndodhë. Në pjesën e dytë të vitit, nuk do të arrihet as gjysma e asaj që pretendon Qeveria. Nuk mund të ketë rritje ekonomike nëse në vazhdimësi kemi rënie të prodhimit industrial, nuk kemi rritje apo zhvillim të bujqësisë, sektori i ndërtimtarisë shënon ngecje me përjashtim të veprimtarive shërbyese, të cilat disi ia arrijnë të mbijetojnë”, thotë Uzunov.

Ndërkohë, Visar Ademi, ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë se rritja nuk mund të paramendohet në bazë të parametrave që ka vendosur Qeveria. Sipas Ademit, Qeveria e Maqedonisë tërë kapacitetin e saj e ka përqendruar në projektin "Shkupi 2014", me të cilin ajo bën rritjen ekonomike që në fakt është rritje artificiale. Që të ketë rritje të vërtetë, Ademi vlerëson se duhet ndryshuar qasja e politikave ekonomike.

“Rritja bëhet artificialisht duke e subvencionuar ose duke i dhënë një injeksion sektorit të ndërtimit, i cili merret me projektin 'Shkupi 2014'. Mirëpo, kjo rritje nuk është e qëndrueshme, sepse nuk në bazë të parametrave të tregut, por në bazë të parametrave të një mendjeje të çmendur të një qeveritari tonë që bën rritjen artificiale të ekonomisë".

"Duhet të zhvillohet konsumi lokal që të blejmë produktet vendase, pastaj të subvencionohen sektorët që orientohen drejt eksportit që këto para të futen në ekonomi dhe me to të hapen vende të reja të punës, si dhe të krijohet një stabilitet politik, i cili normalisht se do të reflektojë pozitivisht edhe në investimet e huaja”, vlerëson Ademi.

Nga Lidhja e Odave Ekonomike, thonë se Qeveria duhet shumë më tepër të orientohet në mbështetjen apo stimulimin e investimeve brenda vendit. Një mbështetje e tillë, deri më tani ka munguar thotë Mirçe Çekrexhi.

“Ekzistojnë disa elemente të mbështetjes, por vlerësoj se nuk janë të mjaftueshme që të mund të ndikojnë në aktivitetet eksportuese, si dhe për rritjen e investimeve, para së gjithash mendoj për ato të brendshme, pasi ne duhet të ndryshojmë politikën dhe më shumë vëmendje t'u kushtojmë investimeve vendore, sesa atyre të jashtme, pasi koha ka treguar se investimet e jashtme vijnë shumë ngadalë dhe nuk janë të mjaftueshme të nxisin një cikël të ri të investimeve”, thotë Çekrexhi.

Sipas raportit të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekonomia e Maqedonisë është stabile, por ajo mund të përballet me rreziqe nëse Qeveria nuk do të ketë një strategji të mirëfilltë fiskale për ballafaqim para së gjithash me borxhin e jashtëm.

Sidoqoftë, Qeveria mbetet në prognozat e saj për rritje të ekonomisë së paku për 2 për qind, për shkak të siç thuhet, realizimit të investimeve kapitale, stabilitetit makroekonomik, si dhe relaksimit të politikës monetare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG