Ndërlidhjet

ASK: Rënie e shkallës së papunësisë


Bazuar në rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore për gjashtëmujorin e parë të vitit 2012, të cilin sot e ka publikuar Agjencia e Statistikave të Kosovës, niveli i papunësisë në Kosovë ka rënë për 10 për qind në krahasim me rezultatet e anketës së ngjashme të vitit 2009.

Udhëheqësi i Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peterr, duke komentuar rezultatet e kësaj ankete, ka thënë se ato janë të nivelit të besueshëm.

Statistikat kryesore janë si më poshtë: 36. 8 për qind e popullsisë në moshë pune, janë ekonomikisht aktiv- do të thotë, ata janë të punësuar ose janë aktiv në kërkim të një pune. Nga ata që janë ekonomikisht aktiv, 35.1 për qind janë të papunë. Këto dy statistika të kombinuara tregojnë se vetëm 23. 9 për qind e popullsisë, midis 15 dhe 64 vjeç, kanë një punë. Rezultatet e tjera janë në përputhje me pritjet”.

Peterr ka shtuar se shkalla e punësimit është më e lartë te meshkujt se sa te femrat, më e lartë në zonat urbane se sa në ato rurale, si dhe më e ulët në mesin e të rinjve.
Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Isa Krasniqi, ka theksuar se Anketa fundit e Fuqisë Punëtore ishte bërë në vitin 2009, ndërkaq në vitin 2010 kanë munguar të dhënat e tilla.

Në vitin 211, sipas tij, janë marrë të dhënat nga regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.

Sipas tij, rezultatet e anketës së fundit ofrojnë tash për tash shifrat zyrtare, për faktin se, siç thotë ai, ato dalin nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, e cila është përgjegjëse për publikimin e të dhënave zyrtare.

“Në këtë rast, kemi një zbritje të papunësisë, prej afro 10. 3 për qind nga të dhënat e viteve të mëparshme. Pra, Anketa e Fuqisë Punëtore e vitit 2009, kishte një përqindje prej 45.4 për qind dhe nëse ne bëjmë një krahasim, në këtë rast ajo dallon në aspektin e zbatimit të standardit të zhvilluar gjatë Anketës së Fuqisë Punëtore të vitit 2012. Por, nëse ne bëjmë një krahasim të tillë, atëherë kemi një përqindje që ka zbritur papunësia në Republikën e Kosovës, për 10.3 për qind”, tha ai.

Por, udhëheqësi i Bankës Botërore në Kosovë, Peterr, ka theksuar se është fakt që ekonomia e Kosovës nuk ka mundësi të gjeneroj vende të reja pune.

“Deri më tani, ekonomia e Kosovës nuk është në gjendje për të siguruar një nivel të mjaftueshëm të punësimit, veçanërisht vende pune me paga të mira. Ndërsa, nuk është e nevojshme që të përgatitet një studim shtesë që e verifikon këtë fakt të përditshëm. Një kuptim më i mirë i strukturës së papunësisë, është qelës për hartimin e politikave që do të ndihmojnë për të përmirësuar situatën socio – ekonomike në Kosovë”.

Bashkim Bellaqa, drejtori i Departamentit të Statistikave Sociale, i cili në detaje e ka prezantuar Anketën e Fuqisë Punëtore, ka theksuar se ajo është zhvilluar në të gjithë Kosovën, përfshirë edhe rajonin e veriut të vendit.

Sipas tij të dhënat e rrumbullakuara për gjithë vitin 2012 do të publikohen në muajin korrik, por siç thotë ai, të dhënat preliminare, megjithatë, tashmë tregojnë afërsisht se cilat janë komunat me nivelin më të lartë të papunësisë.

“Në aspektin e komunës, se si do të sillet shkalla e papunësisë, ne në fakt do të dalim edhe me këto të dhëna në muajin korrik. Por, në bazë të dhënave preliminare, vërehet se shkalla e papunësisë më e theksuar është në komunën e Gjakovës, në komunën e Ferizajt dhe në komunën e Mitrovicës. Por, përsëri, ne me të dhënat në detaje do të dalim në muajin korrik të këtij viti”, u shpreh Bellaqa.

Ndryshe, sipas zyrtarëve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Anketa e Fuqisë Punëtore ka intervistuar 18 mijë e 100 individ në Kosovë.

Analizat, të cilat janë paraqitur, bazohen në përgjigjet e 11 mijë e 809 personave në monstrën e Anketës së Fuqisë Punëtore, që ishin në moshë të punës, nga 15 deri në 64 vjeç dhe të cilët, përbëjnë Fuqinë Punëtore potenciale në Kosovë.

Realizimin e kësaj ankete e kanë ndihmuar Banka Botërore dhe Agjencia ndërkombëtare britanike për ndihmë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG