Ndërlidhjet

Plagjiatura në Universitet


Generic -- book
Generic -- book

Plagjiatura në Kosovë më së shpeshti është përmendur si fenomen në radhët e literaturës së botuar në fushën e shëndetësisë. Në këtë kuadër, rasti i fundit është edhe libri universitar “Neurotrauma”, i cili është promovuar këtë vit, i autorit Prof. Dr. Arsim Morina, dhe është vlerësuar nga grupi i profesionistëve shëndetësorë si një libër plagjiat.

Talat Gjinolli, neurokirurg, ka deklaruar në një konferencë për media, se libri për rreth 95 për qind është i kopjuar dhe i përkthyer, siç thotë ai, dobët, derisa shërben si libër universitar edhe për studentët e mjekësisë.

“Meqenëse është në treg, libri dhe është lexuar. Rreth 95 për qind është i kopjuar nga librat ekzistues të botuesve në gjuhën angleze dhe serbo-kroate. Gjatë analizimit të librit nga profesionistë shëndetësorë, të cilët i përfaqësoj unë, kemi ardhur në konkludime se, libri është pothuajse komplet plagjiaturë”, ka thënë Gjinolli.

Profesor Arsim Morina nuk deshi të prononcohej për media, lidhur me këtë çështje.

Ndërkaq, Mehmet Maxhuni, kirurg, njëherësh prodekan në Fakultetin e Mjekësisë, ka bërë të ditur se edhe pse është edhe recensent i librit të profesor Morinës, atë nuk e ka lexuar dhe nuk di nëse është plagjiaturë apo jo.

“Sipas shkruesit të librit, Arsim Morinës, aty plagjiaturë ka shumë pak, rreth 3 apo 4 për qind. Ne nuk e lexojmë librin si recensues fund e krye, e shohim formën si ka shkuar dhe mënyra, e a është plagjiaturë, unë nuk e njoh aq mirë neurokirurgjinë dhe nuk e di. Është e pamundur të bësh një tekst dhe të mos marrësh nga ndonjë libër ekzistues, sidomos në mjekësi”, është shprehur Maxhuni.

Rektorati i Universitetit të Prishtinës
Rektorati i Universitetit të Prishtinës
Ndërkaq, Talat Gjinolli ka thënë se në emër të grupit të profesionistëve shëndetësorë, do të kërkojë që ky libër të tërhiqet menjëherë nga tregu dhe të formohet një grup ekspertësh që të analizojë vërtetësinë e këtij libri, meqë, siç thotë ai, është i bindur se ky libër është 95 për qind plagjiaturë.

“Unë jam si eksponent i grupit punues, unë e mbaj gjithë përgjegjësinë morale dhe do të kërkoj falje publike nga opinioni nëse puna jonë do të dalë si e pavërtetë, apo edhe autorit do t’i përgjigjem nëse del që ne jemi gabim, edhe moralisht, edhe financiarisht”, ka deklaruar Gjinolli.

Kurse, në pyetjen tonë drejtuar Mehmet Maxhunit, në cilësinë e prodekanit të Fakultetit të Mjekësisë, që nëse vërtetohet se libri është plagjiaturë, çka do të ndërmarrë, ai është përgjigjur:

“Çka duhet ndërmarrë, unë nuk e di, a ka ndonjë rregullore ose ndonjë gjë që do të duhej të sanksionojë këto gjëra. Nuk e di!”.

Sidoqoftë, sipas grupit të ekspertëve, të cilët kanë analizuar autorësinë e librit “Neurotrauma” del se në tekstet origjinale pjesa më e madhe e paragrafëve pason me referenca, të cilat në librin plagjiat as që janë përmendur. Qëndrimet dhe rezultatet e autorëve tjerë paraqiten si të vetat, pa përdorur fusnota dhe pa i cekur fare autorët e librave origjinalë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG