Ndërlidhjet

Mustafa: Beogradi ta pranojë marrëveshjen


Isa Mustafa
Isa Mustafa
Si tash, si pas dy vjetëve, Kosova nuk do të bëjë më shumë kompromise për sistemimin e serbëve në pjesën veriore, siç e dëshiron Serbia, andaj Beogradi zyrtar duhet të pranojë zgjidhjen e ofruar nga Brukseli, bën thirrje kreu i partisë më të madhe opozitare në Kosovë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Musfata, thotë se Serbisë i është ofruar një rast, për t’u paqësuar me Kosovën, dhe se po nuk e shfrytëzoi këtë mundësi, ajo do të vazhdojë të humbë kohë.

“Unë mendoj se Serbia do të humbte shumë, në qoftë se nuk e pranon tani zgjidhjen, sepse nuk ka zgjidhje tjetër. Mund prapë të presë 2 apo 4 vjet tjera, por prapë se prapë, do të jetë kjo zgjidhje që është ofruar tani nga Brukseli”, thotë Mustafa.

Kryetari i Prishtinës, shfaq bindjen e tij se kërkesat që tani po shtrohen nga Brukseli në adresë të Beogradit, që të pranojë marrëveshjen me Kosovën, në mënyrë që t’i hapen Serbisë dyert për anëtarësim në Bashkimin Evropian, janë një rast që pala serbe duhet ta shfrytëzojë.

Sipas tij, me kushtet që Brukseli i ka paraqitur Beogradit, Serbia është vënë edhe para sprovës së zgjedhjes së partnerit të saj strategjik, që të përafrohet me perëndimin, apo të mbetet me partnerin e saj nga lindja.

“Deklaratat në Serbi, dhe të atyre që janë konsideruar deri më tani si skifter, kështu mjaft të mëdhenj ose si nacionalistë serbë, prapë se prapë janë që ata të pranojnë të përafrohen nga Evropa sesa kah Lindja”, thekson Mustafa për Radion Evropa e Lirë.

Kryeministrat, i Kosovës dhe ai i Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, janë takuar tetë herë me radhë në Bruksel, për të gjetur një zgjidhje për pjesën veriore të Kosovës.

Prishtina insiston që ajo zonë e banuar me shumicë serbe, të jetë në kuadër të rregullimit kushtetues të Kosovës, kurse Beogradi po refuzon çfarëdo marrëveshje, e cila nuk e njeh atë pjesë si autonome ndaj autoritetit të Prishtinës.

Mirëpo, kryeopozitari Isa Mustafa mendon se Qeveria e Kosovës nuk duhet të lëshojq pe dhe as që ka arsye për të bërë kompromise të tilla.

“Tani ne nuk jemi në lëvizje, sa i përket kushteve që ne po na vihen për anëtarësim në BE. Serbia është atje, dhe po të mos e kishte Serbia këtë zor, ajo s’do të ulej fare që të bisedojë me ne. Do të trajtonte edhe më tutje Kosovën si një territor të vetin, ose do të dëshironte që ta gjymtonte funksionimin e shtetit të Kosovës. Por, kushtet tani po i vihen Serbisë, edhe unë mendoj se ne duhet të sillemi në mënyrë konstruktive”, vlerëson Mustafa.

Sjellja konstruktive, siç shpjegon Mustafa, nuk do të thotë që duhet Prishtina duhet të lëshojë pe. Mirëpo, Kosova sipas vlerësimit të tij, duhet t’i tregojë Bashkimit Evropian që është në gjendje të negociojë dhe që të zhvillojë dialog, në mënyrë që serbëve në pjesën veriore, t’ju ofrojë të drejta, që i kanë të gjithë qytetarët e Evropës.

Sido që të jetë, Bashkimi Evropian u ka dhënë afat Prishtinës dhe Beogradit, që deri më 8 prill, të përafrojnë qëndrimet dhe pranojnë ofertën e saj, q nënkupton krijimin e një bashkësie serbe të komunave, e cila nuk pritet të ketë pushtet ekzekutiv, sipas propozim-marrëveshjes së paraqitur në opinion publik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG