Ndërlidhjet

Korrupsioni në rritje, luftohet veç me fjalë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Sërish ndizet alarmi për luftën e mangët kundër korrupsionit.

Këtë herë, Agjencia Kundër-Korrupsionit në raportin e saj vjetor, shkruan se shtrirja e këtij fenomeni nuk njeh institucion, e as nivel të llogaridhënësve që mbajnë poste udhëheqëse në shtet, komunë, institucion të pavarur, apo ish-ndërmarrjet shoqërore.

Hasan Preteni, që drejton këtë agjenci, bëri publike të enjten punën që ka bërë institucioni i tij gjatë vitit të shkuar, ku tha se askush nuk mund të lavdërohet se shteti i ka punët mirë, për sa i përket shpenzimit të përgjegjshëm të parasë publike.

“Mekanizmat e Kosovës që kanë për mision luftën kundër korrupsionit, në vitin që lamë pas, nuk kanë shënuar rezultatet e pritura”, deklaroi Preteni.

Sipas tij, gjatë vitit 2012, Agjencia e Kosovës Kundër-Korrupsionit, ka hetuar 244 lëndë, kurse prej tyre kanë rezultuar 52 kallëzime penale kundër më shumë se 150 zyrtarëve.

“Në mesin e 159 zyrtarëve, kundër të cilëve është ngritur kallëzimi penal, ka udhëheqës të institucioneve qendrore, të ndërmarrjeve publike, zyrtarë më të lartë komunalë, ka edhe përfaqësues të misioneve diplomatike jashtë vendit”, bëri të ditur Preteni.

Shefi i agjencisë shpjegoi se nga 52 kallëzimet penale që i ka dërguar institucioni i tij tek organet ndjekëse, del se në 21 raste të korrupsionit janë të përfshirë zyrtarë të qeverisë qendrore, në 18 raste zyrtarë të pushtetit lokal, dhe në 13 raste janë zyrtarë të institucioneve të pavarura.

Veprat, për të cilat dyshohen 159 zyrtarët e ngarkuar në këto 52 kallëzime penale, janë nga më të ndryshmet.

Hasan Preteni
Hasan Preteni
“Numrin më të madh e përbëjnë veprat shpërdorim i detyrës zyrtare - gjithsej 46 raste. Veprat, për të cilat atakohen zyrtarët e institucioneve të vendit, janë edhe: përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, marrje dhe dhënie ryshfeti, lidhje e kontratës së dëmshme dhe legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë. Ka edhe raste kur atakohen jo vetëm për një vepër penale, por edhe për më shumë vepra penale”, tha Preteni.

Se Kosova ka nivel të madh të korrupsionit, thuhet edhe në shumë raporte ndërkombëtare.

Merita Mustafa nga Transparency International Kosova, një organizatë globale që vështron dhe avokon kundër korrupsionit, tha për Radion Evropa e Lirë, se ky trend po vazhdon të rritet dhe se e keqja është se nuk po arrihet progres në luftën kundër korrupsionit.

“Ky fenomen vetëm sa është duke i zgjeruar rrënjët e tij. Nuk duket se ka një vullnet politik real faktikisht, sepse deklarativ ka. Mirëpo, vullnet real për ta luftuar korrupsionin nuk duket se ka nga sektori i politikës apo institucionet tjera përgjegjës për ta luftuar këtë fenomen”, u shpreh Mustafa.

Sipas saj, përzierja dhe ndikimi i politikës në punët e Gjyqësorit, Prokurorisë dhe Policisë, po e pamundëson pavarësinë e këtyre organeve të ndjekjes, dhe si rrjedhojë, një kategori e shoqërisë po pasurohet jashtëligjshëm. Por, fajin ia atribuon edhe faktorit ndërkombëtar.

“Jemi dëshmitarë që edhe EULEX-i, nuk është që ka dhënë një kontribut shumë të madh, apo kontributin që ne si qytetarë e kemi pritur. Pra, hetimet, flasin tepër, janë ende të vogla me nivelin e korrupsionit që e kemi, mirëpo këto kallëzime penale duhet të shfrytëzohen si një pikënisje për të gjitha institucionet, të cilat janë dhe veprojnë në Kosovë, si dhe kanë kompetenca për luftimin e korrupsionit, që t’ia fillojnë më me intensitet dhe më bindshëm luftën kundër, e cila edhe është kërkesë e qytetarëve në radhë të parë, por edhe faktorëve të tjerë ndërkombëtare”, tha Mustafa për Radion Evropa e Lirë.

Zyrtarja për Kosovë e Transparency International theksoi se është vështirë të jepen shifra të sakta se cila kategori e zyrtarëve publikë është më e korruptuara, por thekson se ata që po merren me politikë po pasurohen më shpejt se gjithë të tjerët.
XS
SM
MD
LG