Ndërlidhjet

“Kundër hajnisë-për zhvillimin e shtetit"


Me moton “Kundër hajnisë - për zhvillimin e shtetit", disa mijëra qytetarë të mërkurën iu janë bashkuan protestës së organizuar nga Grupi i qytetarëve të organizuar, të cilët shprehën pakënaqësinë, siç thanë, për fryrjen e faturave dhe vjedhjen që po ua bën qytetarëve Korporata Energjetike e Kosovës, si dhe për korrupsionin dhe keqpërdorimet në institucionet e vendit.

Protestës iu bashkangjitën një numër i madh i organizatave joqeveritare, ndërkaq, që në mesin e protestuesve ka pasur edhe ish-deputetë dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Qytetarët nisën protestën para zyrave të KEK-ut dhe marshuan përmes sheshit “Nëna Terezë”, e deri para ndërtesë së Qeverisë së Kosovës.

Shpend Kursani nga Instituti KIPRED, kritikoi Qeverinë e Kosovës, duke thënë se me korrupsionin dhe vjedhjet, ajo e ka lënë vendin “si vrima e fundit në Ballkan”.

“Qytetarë të nderuar, mos u çuditni pse këta vjedhin, sepse këta na e kanë vjedhur votën, për të ardhur këtu për të vjedhur. Për herë të parë në Kosovë organizohet një protestë dhe një tubim i tillë kundër kësaj çështjeje. T’ju tregoj diçka: Evropa po e sheh sot këtë protestë dhe po e sheh që qytetarët e Kosovës nuk përfaqësohen me këtë Qeveri, sepse këta e dinë që kjo Qeveri është e hajnave”, tha Kursani.

Qytetarëve që protestuan të mërkurën, u priu Ilir Deda, po ashtu nga instituti KIPRED, i cili theksoi se kjo protestë është e para kundër korrupsionit, për një shtet të zhvilluar ku ka drejtësi dhe ligj.

Ai tha se ligji duhet të vlejë për çdo njeri në Kosovë, duke mos përjashtuar as ata në institucione. Sipas tij, në këtë protestë janë parashtruar tri kërkesa.

“Nën një: Duhet të shkojë kryetari i KEK-ut, sepse ka përgjegjësi për këtë që ka ndodhur me KEK-un. Nën dy: Duhet të shkojë ministri i Punëve të Brendshme, për shkak të korrupsionit 1. 4 milion euro në MPB. Dhe, nën tre: Duhet të shkojë ministri i Zhvillimit Ekonomik, zoti Besim Beqaj".

"Kjo, edhe një herë po e them, është protesta e parë në Kosovë kundër korrupsionit, e sidomos në Kosovën e pavarur dhe dëshmon se popullata jonë, me atë numër të madh të qytetarëve, të cilët kanë dalë, është për një shtet të së drejtës, për një shtet ligjor. Është për zhvillim, por nuk është për korrupsion dhe dëshiron ndëshkimin e atyre që janë pjesë e korrupsionit, si dhe dëshiron që sistemi jonë i drejtësisë të fillojë që të funksionojë”, theksoi Deda.

Deda shtoi se protesta e qytetarëve bart edhe një mesazh për misionin evropian për sundimin e ligjit - EULEX, që ta kryejë punën e vet në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në institucionet e Republikës së Kosovës.

Protestës së qytetarëve i është bashkuar edhe aktorja shqiptare nga Kosova, me famë ndërkombëtare, Arta Dobroshi. Ajo tha se është bashkuar me kërkesat e bashkëqytetarëve për një Kosovë më të mirë.

“Unë jam këtu për të treguar se ne, si banorë të Kosovës, nuk e duam një Kosovë të korruptuar, por e duam një Kosovë të zhvilluar, të emancipuar, me ekonomi shumë të mirë, që na jep mundësi që të gjithë popullatën ta kemi të punësuar, e jo siç e kemi sot kur 40 për qind e popullatës është e papunë. Është normale që unë i përkrah, sepse të gjitha këto gjëra që po i thonë njerëzit, janë shumë të vërteta”, u shpreh Dobroshi.

Qazim Sylejmani, qytetar, që kishte dalë për të protestuar, tha se KEK-u vazhdon, siç e ka quajtur ai, hilen ndaj qytetarëve duke i vendosur tarifat e lira vetëm gjatë natës:

“Na i kanë lëshuar prej orës 10 në mbrëmje e deri në orën 6 në mëngjes, atëherë kur nuk ka ujë, e as nuk ka asgjë”.

Jeton Hoxha, po ashtu, qytetar që po protestonte, tha se protesta është një kundërshtim i qytetarëve ndaj, siç e quajti ai, të gjitha dukurive negative që i kanë pllakosur institucionet e vendit.

“Kam dalë të protestoj kundër të padrejtës, kundër korrupsionit, kundër hajnisë dhe kundër gjithçkaje që është negative. Kam protestuar për të padrejtat që po i ndodhin shtetit tim, popullit tim dhe të gjitha këto po i bën Qeveria aktuale në krye me Hashim Thaçin, kryeministrin e Kosovës. I kam dy fjalë për të. Le të punojë drejt, përndryshe, kemi për të shkuar drejt humnerës”, potencoi Hoxha.

Ndryshe, protesta e organizuar nga organizuar nga Grupi i qytetarëve të organizuar, përfundoi pa ndonjë incident, ndërkaq që organizatorët paralajmëruan protesta të reja, në javët që vijnë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG