Ndërlidhjet

Çeku: Kishim shumë ushtarë në UÇK, por jo 57, 556


Agim Çeku
Agim Çeku
Raporti përfundimtar i sekretarisë së Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranit, dëshmorit të kombit, invalidit dhe të internuarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka grumbulluar mbi 57 mijë aplikacione.

Sipas drejtuesit të këtij komisioni, ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, sekretaria e komisionit ka shpallur të përfunduar periudhën e aplikacionit për status të veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Mund t’ju informoj se 57,556 persona kanë aplikuar për statusin e veteranit të UÇK-së. Prej tyre, 5,721 persona pretendojnë që e kanë të drejtën t’u njihet statusit i invalidit të luftës së UÇK-së. 3,062 familje pretendojnë se të afërmit e tyre të rënë në luftën për lirinë e vendit tonë, kanë të drejtë të njihen si dëshmorë të kombit”, tha Çeku.

Takimi i së mërkurës i këtij trupi nxori rekomandime për Qeverinë se si të procedojë tutje për Kuvend që të ndryshohet ligji dhe të kategorizohen veteranët e UÇK-së.

Sipas tij, komisioni ka vendosur që të ketë 4 kategori të personave që do të përfitojnë nga skemat shtetërore: Invalidi i UÇK-së, Veterani Luftëtar i UÇK-së, Luftëtari i UÇK-së dhe Pjesëtari i UÇK-së.

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku, tha se kategorizimin do ta bëjnë vetë komandantët e Zonave Operative, me stafin e tyre përcjellës komandues, për të definuar se kush luftoi i uniformuar dhe me pushkë, e kush ndihmoi UÇK-në.

“Nuk mendoj se kanë qenë 56 mijë ushtarë. Por, shumë kanë qenë”, deklaroi ai.

Ministri i FSK-së sqaroi se nga 57,566 pretendentë për statusin e veteranit të UÇK-së, është paraparë një mekanizëm i filtrimit.

“Sekretaria e komisioni, do t’i ndajë aplikacionet sipas njësive, Zonave Operative dhe Shtabit të Përgjithshëm. Atëherë ne, si komision, do ta ftojmë komandantin e Zonës, me gjithë stafin e vet komandues të vijë këtu. Të ulet para tavoline, dhe t’i ketë para çdo aplikacion dhe të shkojmë si staf komandues. Duke filluar nga komandantët e kompanive, batalioneve, brigadave etj., të kalojnë aplikacion për aplikacion, dhe të dëshmojnë në prani të të gjithëve: Po e vërtetë është. Ky ka qenë ushtar, ka qenë invalid, ka qenë i plagosur, ka rënë dëshmor”, shpjegoi Çeku.

I pyetur nga gazetarët se cila Zonë Operative e UÇK-së ka sjellë më së shumti aplikacione, ministri Agim Çeku nuk deshi të flasë shumë.

“Ne nuk do të hyjmë në këto detaje”, tha ai shkurt pasi qeshi me pyetjen.

“Nuk është një evidencë e saktë që unë mundem ta them tani. Ne e kemi, por nuk mendoj se do të na ndihmonte në qoftë se dalim në publik me një gjë të tillë”, shtoi ai.

Sipas ish-komandantit të UÇK-së, nga aplikacionet e pranuara, ka individë që kanë pretenduar se janë edhe luftëtarë, edhe pjesëtarë të UÇK-së edhe invalid, dhe se kjo mund të jetë arsyeja përse është numri kaq i madh i njerëzve që kanë dorëzuar kërkesën që t’ju njihet statusi i veteranit.

Sipas ministrit Agim Çeku, komisioni i ka rekomanduar Qeverisë që të procedojë në Parlament që të kategorizohen veteranët e UÇK-së, sipas kësaj logjike:

Kategoria e parë - Veteran invalid i UÇK-së:

“Njeriu që është plagosur apo i është dëmtuar organizmi, si pasojë e plagëve, si pasojë e sëmundjeve, si pasojë e vuajtjeve në burgjet apo kampet e armikut, në shkallën, të cilën e përcakton komisioni profesional mjekësor, domethënë invalid i luftës t’i njihet statusi”.

Kategoria e dytë - Veteran luftëtar i UÇK-së:

“Luftëtar i UÇK-së është çdo person, i cili vullnetarisht është radhitur në radhët e UÇK-së, ka qenë i uniformuar, i armatosur, ka qenë i evidentuar si ushtarak, dhe ka qenë në shërbim brenda njësive, komandave apo shtabeve, Shtabit të Përgjithshëm i UÇK-së, si ushtar, si luftëtar”.

Kategoria e tretë - Të internuarit e UÇK-së:

“Çdo person, i cili për shkak të veprimtarisë së vet, si pjesëtar i UÇK-së është arrestuar dhe mbajtur në burg për kohë të caktuar”.

Kategoria e katërt - Pjesëtarit të UÇK-së:

“Është çdo person, i cili nuk ka qenë i uniformuar, apo nuk ka qenë i armatosur, por me vendim apo me detyrë të komandantëve të njësive, apo zonave, apo përkatësisht Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ka kryer detyra të ndryshme, në mbështetje të UÇK-së. Qoftë në mbështetje politike, logjistike, financiare, organizative, etj., dhe çdo ushtar, i cili ka qenë në radhët e UÇK-së, por për arsye të ndryshme nuk ka qëndruar, apo ka qëndruar një kohë të shkurtër dhe është larguar nga radhët e UÇK-së, dhe ka pushuar të shërbyerit në UÇK, para përfundimit të luftës”.
XS
SM
MD
LG