Ndërlidhjet

Zgjedhjet, këmbanë për opozitën në Maqedoni


Zgjedhjet lokale të së dielës, sipas analistëve politikë, dëshmuan se në Maqedoni mund të organizohen zgjedhje të lira dhe demokratike, nëse për këtë ekziston angazhim serioz nga të gjithë faktorët relevantë në vend.

Analisti Ibrahim Mehmeti, veçon komunat e Kërçovës dhe Strugës, ku partitë zhvilluan një garë të ashpër etnike, por përkundër kësaj, në këto dy qytete ku fituan kandidatët shqiptarë, zgjedhjet kaluan në atmosferë korrekte.

Për fat të keq ato u shndërruan në një betejë ndëretnike në rrafshin politik dhe për fat të mirë nuk u bartën në rrugë ose në rrafshin e elektoratit. Kjo flet për një atmosferë dhe për një papjekuri politike të subjekteve kryesore politike, të cilat, ndoshta ranë në nivelin e qytetarëve të rëndomtë me fjalorin e tyre me mënyrën se si iu qasën zgjedhjeve në këto dy komuna”, thotë analisti Ibrahim Mehmeti.

Ndërkohë, edhe analisti Zdravko Savevski, rëndësi i jep mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, i cili, përkundër parregullsive të vogla teknike, në përgjithësi është zhvilluar në atmosferë demokratike, që do të reflektohet pozitivisht edhe në raportin e pranveror të Komisionit Evropian.

Sa i përket rezultateve zgjedhore, Mehmeti dhe Savevski thotë se ai ishte i pritshëm, por, jo deri në atë masë që fitorja e partive në pushtet të jetë më e lartë se ajo nga zgjedhjet e fundit.

Analistët thotë se pas kësaj humbje, opozita duhet të fillojë që shqyrtojë pozicionin e kreut të saj, apo të nis një proces të reformimit të saj të thellë.

Kryesisht ajo që mund të thuhet se për opozitën është se LSDM bëri gabime duke mbështetur kandidat për mandatin e tretë, ndërkohë që të njëjtit kanë pasur mbështetje të dobët tek qytetarët siç ishte rasti me Ohrin dhe kjo partisë maqedonase në opozitë iu kthye si bumerang. Pra, vlerësoj se nuk duhet lejuar të mbizotërojnë dëshirat partiake veçanërisht të atyre personaliteteve të cilët nuk gëzojnë simpatinë e elektoratit”, thotë Savevski.

Edhe për analistin Mehmeti, fitorja e thellë e partive në pushtet është befasuese.

“Befason fakti se edhe në anketa nuk parashihnin një fitore kaq të lartë të partive në pushtet, që paraqet një fenomen shumë interesant sepse zakonisht ndodhë që opozita të fitojë pak më tepër nga ajo që paraqitet në anketa, mirëpo kësaj radhe kemi një fenomen më ndryshe dhe kjo gjithsesi meriton një analizë më të thellë e cila nuk ka të bëjë vetëm me statistia, por duhet të analizohet edhe në një rrafsh tjetër të atmosferës së krijuar në fushatën parazgjedhore”, thotë Ibrahim Mehmeti.

Nga ana tjetër, Zdravko Savevski veçon komunën e Qendrës në Shkup ku gara vazhdon mes partive maqedonase.

Ai thotë se kjo ka simbolikën sa i përket projektit kundërthënës “Shkupi 2014”.

Në këtë komunë, avancon opozita dhe kjo sipas tij, fletë qartë se qytetarët e Maqedonisë refuzojnë këtë projekt për të cilin janë harxhuar thuajse 1 miliardë euro.

Ndryshe, në zgjedhjet e së dielës, VMRO DPMNE nga gjithsej 80 komuna, në rrethin e parë ka fituar 25 ndërsa në 35 të tjera udhëheqë për rrethin e dytë.

LSDM-ja ka fituar në 3 komuna ndërsa në 15 të tjera garon në rrethin e dytë. Nga partitë shqiptare, BDI-ja ka fituar 8 komuna ndërsa 6 të tjera garon në rrethin e dytë kurse PDSH-ja në rrethin e parë nuk ka fituara asnjë komunë ndërsa në rrethin e dytë garon në 5 komuna kurse RDK-ja vetëm në një komunë.

Lidhur me zgjedhjet lokale, sot përmes një komunikate është prononcuar edhe departamenti amerikan i shtetit, i cili, ka përshëndetur përfundimin pa incidente të raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Maqedoni

"Me kujdes do ta shqyrtojmë raportin përfundimtar të ODIHR-it, si dhe shpalljen zyrtare të rezultateve zgjedhore. Presim publikim të informacioneve shtesë nga vëzhgues tjerë të ndryshëm dhe do të vazhdojmë nga afër ta ndjekim procesin zgjedhor më 7 prill", thuhet në njoftimin e departamentit të shtetit amerikan.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG