Ndërlidhjet

Rëndësia e zgjedhjeve lokale në Maqedoni


Foto nga zgjedhjet e kaluara
Foto nga zgjedhjet e kaluara
Zgjedhjet e sotme lokale kanë rëndësi të veçantë për të ardhmen e raporteve ndëretnike në Maqedoni, pasi gara etnike që po zhvillojnë partitë në Kërçovë dhe Strugë, do të reflektohet edhe pas procesit zgjedhor, nëse partitë vazhdojnë me retorikën nxitëse, thotë analisti Alajdin Demiri.

“Këto zgjedhje lokale u shndërruan në zgjedhje etnike. Ky agresivitet i partive politike, në veçanti i atyre maqedonase, që të ‘pushtojnë’ territoret e Maqedonisë, është sinjal që çon nga hendeku ose thellimi i marrëdhënieve ndëretnike. Kjo rrënon marrëdhëniet ndëretnike, që do të thotë se kjo politikë nuk e ka ndërmend që të zgjidhë problemin e rëndë të marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni”, vlerëson Demiri.

Ndërkohë, analisti Petar Arsovski thotë se në kohën kur pritej që partitë politike të vendosnin koalicionet e para ndëretnike, ato bënë hapin më të papritur duke thelluar ndasitë me koalicionet mbi baza etnike.

Sipas Arsovskit, me rëndësi të madhe është që pas zgjedhjeve lokale, pavarësisht rezultatit, të ulen tensionet dhe të punohet për forcimin e shoqërisë shumetnike.

“Koalicionet e këtilla njëetnike nuk kontribuojnë për forcimin e shoqërisë shumetnike. Mendoj se pas këtyre zgjedhjeve, ndoshta situata e krijuar do t’i nxiste ato që të bëjnë të kundërtën, pra, të bëjnë koalicione të përziera etnike”, thotë Arsovski.

Nga ana tjetër, përveç dimensionit etnik, zgjedhjet e sotme lokale do të vendosin edhe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që tashmë një kohë të gjatë kërkohen nga ana e opozitës.

“Nëse opozita avancon në komunat e fituara, atëherë do të tentojë që t’i delegjitimojë zgjedhjet e fundit parlamentare me arsyetimin se situata ka ndryshuar dhe se ata tani kanë marrë legjitimitetin, andaj edhe duhet të ketë zgjedhje të parakohshme. Por, nga ana tjetër, nëse shtohen numri i komunave të fituara nga pozita, edhe ata mendoj se do të duan të shkojnë në zgjedhje të parakohshme për të vërtetuar fitoren e tyre”, thekson Demiri.

Maqedonia, thotë nga ana tjetër, analisti Petar Arsovski, ka shënuar ngecje në në shumë sfera, andaj përfundimi i procesit të sotëm zgjedhor në atmosferë të qetë dhe demokratike, do të dëshmojë se megjithatë vendi është i përcaktuar në rrugën e integrimit euroatlantik.

“Periudhën e fundit Maqedonia po shënon trend negativ në më shumë parametra, të cilët definojnë rrugën tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, siç janë mungesa e kapaciteteve demokratike, liria e shprehjes e kështu me radhë”.

“Në një situatë të këtillë, këto zgjedhje i vlerësoj të një rëndësie të veçantë pasi do të vërtetojnë nëse jemi shoqëri që nuk i kthen prapa proceset demokratike apo, të paktën, i mban në nivelin e tanishëm. Duke marrë parasysh problemet e shumta, me të cilat po përballemi në çdo sferë, konsideroj se përfundimi me sukses i këtyre zgjedhjeve të paktën do të japë sinjalin se jemi të përcaktuar të ecim përpara”,
potencon Arsovski.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG