Ndërlidhjet

Vazhdon kontrabanda me barna


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Fenomeni i kontrabandës me barna po vazhdon. Para disa ditësh në rajonin e Prizrenit, është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e barnave, të cilat kanë hyrë në Kosovë si të kontrabanduara.

Por, sipas drejtuesit të Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale, Ilir Dushi, vitet e fundit ky fenomen është luftuar dhe ka shënuar rënie.

"Prej inspektimeve të fundit që janë bërë, shihet se është shumë më e vogël sasia e barnave që kontrabandohen. Janë gjetur në vlera e shumë të vogla, ka pasur raste kur janë zënë edhe nënë 100 euro, apo 5-6 kuti barna. Pra, mund të them se si fenomen po shënon rënie", deklaron Dushi.

Mirëpo, jo edhe zyrtarë në Doganat e Kosovës mendojnë kështu. Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, thotë se vetëm kapja e fundit e medikamenteve që kanë hyrë si të kontrabanduara, arrin vlerën e rreth 50. 000 eurove. Sipas tij, barnat, të cilat kontrabandohen kryesisht hyjnë nga shteti serb.

"Dogana e Kosovës në misionin e saj, e ka edhe mbrojtjen e shëndetit të popullatës.
Në momentin që një mall arrin të kontrabandohet, atëherë njësitë tjera merren me kontrollimin e mallit që është futur në Kosovë. Kemi pasur një aksion ku është gjetur një rrjet i kontrabandimit dhe shpërndarjes së barnave. Më së shumti kontrabandohen barna që kanë prejardhje nga Serbia",
thotë Stavileci.

Shuma e barnave që hyjnë në Kosovë si të kontrabanduara, brenda një viti arrin vlerëë rreth 400 mijë euro, shprehet Stavileci.

Barna të konfiskuara nga Dogana e Kosovës(Foto nga arkivi)
Barna të konfiskuara nga Dogana e Kosovës(Foto nga arkivi)
Shoqata e Farmacistëve të Kosovës, fenomenin e kontrabandimit me barna e quan si shumë shqetësues.

Udhëheqësi i kësaj shoqate i tha Radios Evropa e Lirë se kontrabandimi i barnave është krejtësisht i papranueshëm, meqë është shumë i dëmshëm si për shëndetin e popullatës, po ashtu edhe për ekonominë e Kosovës.

Ndërkaq, Dushi shton se prej kur ai po udhëheq AKPM-në, është rritur shumë numri i barnave që janë regjistruar në Kosovë, dhe interesi për të kontrabanduar barna është më i vogël krahasuar me vitet paraprake.

"Rritja e numrit të produkteve të regjistruara, ka bërë që kontrabanda të bie dhe po mbulohet hapësira me barna të regjistruara. Ato që kontrabandohen, janë kryesisht ato barna që nuk janë të regjistruara dhe kompanitë kanë interes të vogël t'i regjistrojnë. Por, me ligjin e ri, do të krijohet lista e barnave dhe do të rregullohet edhe kjo çështje. Çdo ilaç, për të cilin kanë nevojë pacientët, do të jetë në treg", sqaron Dushi.

Mungesa e zbatimit të ligjit në veri të vendit dhe vetë konfiguracioni i kufirit të Kosovës me Serbinë, bën që kontrabanda të mos ndalet në mënyrën e duhur, pohojnë vetë zyrtarë institucionalë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG