Ndërlidhjet

Shqetësimet për "blerjen" e njohjeve


Ilustrim
Ilustrim

Ish-ministri i punëve të jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, ka ngritur shqetësimet se në disa shtete, të cilat zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës i kanë vizituar për të siguruar njohjen e shtetit të Kosovës, janë bërë transaksione të ndryshme me qëllime përfitimi.



Zoti Hyseni ka kritikuar qeverinë aktuale, duke shtuar se çështja e lobimit duhet të jetë skajshmërish e pastër dhe pa premtime.

Skender Hyseni
Skender Hyseni
“Jam i shqetësuar nga deklaratat e aty-këtushme edhe nga vetë zëvendëskryeministri, nga vet ministri se ndonjëherë, në ndonjë shtet, ta zëmë në Afrikë, është provuar që të bëhen transaksione të ndryshme ku janë involvuar edhe njohjet, qoftë me investime të ndryshme atje, qoftë me blerje kompjuterësh, sepse është folur edhe për këtë”, tha Hyseni.

Shteti i Kosovës nuk duhet dhe nuk guxon të ndërtohet në premisa të pavërteta e false, siç janë premtimet e ndryshme për investime e ndihma, thotë Hyseni.

“Nëse jepen zotime në ndonjë vend të Afrikës, skajshmërish të pazhvilluar për investime marramendëse dhe në fund nuk del asgjë nga ato investime, ai vend pastaj do të ketë vështirësi të mëdha që të vendos ta njohë Kosovën".

"Kam shqetësime reale nëse ndonjëherë aty-këtu janë aplikuar metoda që nuk i bëjnë mirë Kosovës dhe e dëmtojnë procesin e njohjeve”,
deklaroi Hyseni për Radion Evropa e Lirë.

Por, zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës, i kanë hedhur poshtë deklaratat e tilla, duke thenë se gjëra si keto që janë përmendur nga ish-diplomati, nuk kanë ndodhur asnjëherë.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, nga radhët e Aleancës Kosova e Re, tha për Radion Evropa e Lirë se deklaratat e tilla janë të dëmshme për shtetin e Kosovës, pasi që nuk qëndrojnë.

Mimoza Kusari Lila
Mimoza Kusari Lila
“Një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe nuk është tentuar, dhe nuk do të ndodhë e as nuk do të tentohet. Shteteve në fjalë në proceset e lobimit u është prezantuar fakti dhe argumenti pse duhet të njohin Kosovën. Janë prezantuar mundësitë e bashkëpunimit, siç e dini në sferat e ndryshme, në aspektin kulturor, arsimor, ekonomik - shumë të rëndësishme”.

“Dhe të gjitha këto duhet të qëndrojnë si argumente bashkë më vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe këto në vazhdimësi kanë qenë argumentet”, tha Kusari- Lila.

Sipas zëvendëskryeministres Kusari- Lila, Kosova nuk ka fonde “për të korruptuar shtete për të fituar njohje”.

“Nuk ka mjete apo fonde, të cilat mund të korruptojnë ose janë të destinuara të korruptojnë zyrtarë të shteteve të tjera. Shtetësia e Kosovës gjithmonë është argumentuar me fakte dhe argumente dhe mbi të gjitha me një mendim të Gjykatës Ndërkombëtar të Drejtësisë”, tha ajo, për të shtuar se procesi i rritjes së numrit të njohjeve është proces i pakthyeshëm.

Sidoqoftë, deri sa partitë politike opozitare vlerësojnë se për diplomacinë kosovare edhe viti 2013 ka nisur me probleme të shumta, ministri i punëve të jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, së fundmi ka treguar se ministria të cilën ai e drejton, ka plan konkret të punës për vitin 2013.


Ndryshe në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme, numri i shteteve që e kanë njohur Republikën e Kosovës është 96.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG