Ndërlidhjet

Jagland: Prishtina dhe Beogradi duhet të vazhdojnë dialogun


Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland
Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland
Marrë parasysh prapavijën historike, të gjithë duhet të kuptojnë se e vetmja rrugë për të ecur përpara është arritja e gjuhës së përbashkët midis Prishtinës dhe Beogradit, thotë për Radion Evropa e Lirë sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland. Sipas tij, rezoluta e miratuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës parasheh kontakte të drejtpërdrejta të kësaj organizate me autoritetet kosovare, porse “ajo nuk ndryshon qëndrimin e statusit neutral”.

RADIO EVROPA E LIRË
Edhe Kosova, edhe Serbia kanë mirëpritur rezolutën e miratuar dhe rekomandimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Duket se të dyja palët kanë qenë të kënaqura me to. A ka Kosova arsye për një gjë të tillë?

THORBJORN JAGLAND
Po, mendoj se të dyja palët duhet të jenë të kënaqura. Po ashtu konsideroj se këtë duhet ta vëmë në kontekst të dialogut konstruktiv ndërmjet Beogradit e Prishtinës, i cili është në vazhdim e sipër. Ne, në Këshillin e Evropës, mund të kontribuojmë në mënyrë konstruktive, duke mbajtur kontakte me të dyja palët.

Tani, po ashtu do të mund të përdorim edhe disa prej organeve tona mbikëqyrëse në Kosovë, çfarë do të jetë shumë e rëndësishme për qytetarët e Kosovës, por edhe Beogradin.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju më herët keni sugjeruar, ashtu siç ka theksuar edhe deputeti suedez, Von Sydow, në raportin e miratuar, ndërveprimin dhe kontaktin e drejtpërdrejtë ndërmjet zyrtarëve të Këshillit të Evropës dhe autoriteteve në Kosovë, kur është fjala për zbatimin e programeve dhe aktiviteteve të Këshillit të Evropës. Zyrtarët në Kosovë besojnë se ky është një hap para për anëtarësim në Këshillin e Evropës…

THORBJORN JAGLAND
Ky hap i ri nga ana jonë duhet të shikohet në kontekstin e statusit neutral dhe në bazë të Rezolutës 1244. Këtë nuk duam ta ndryshojmë. Në anën tjetër, për ne është e rëndësishme që të kemi kontakte të drejtpërdrejta me njerëzit e duhur nga autoritetet e Kosovës, për të zbatuar disa projekte që janë të rëndësishme për të dyja palët.

Nëse përdorim disa nga organet tona mbikëqyrëse në Kosovë, natyrisht se duhet të komunikojmë direkt me autoritetet. Kjo nuk e ndryshon pozicionin e statusit neutral.

Ai mund të ndodhë vetëm në kontekstin e dialogut Prishtinë-Beograd dhe në bazë të Rezolutës 1244. Këshilli i Evropës gjithmonë mbështetet në vendimet e Kombeve të Bashkuara, kur është fjala për shtetësinë e anëtarëve të reja.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se dy palët është dashur të bisedojnë për një gjë të tillë, ose siç ka thënë të enjten komisionari për zgjerim, Stefan Fuele, dy palët duhet të normalizojnë marrëdhëniet në mënyrë që të mos e bllokojnë njëra-tjetrën në rrugën e integrimit?

THORBJORN JAGLAND
Po, mendoj se kjo është një qasje e mirë. Andaj, të gjithë duhet të mbështesin dialogun Prishtinë-Beograd, sepse është e vetmja mënyrë.

Duhet të merren hapa praktikë, të shfrytëzohet koha e duhur dhe gjërat nuk duhet të shtyhen më tepër seç mund të pranojnë të dyja palët. Aktualisht ekziston klima e bashkëpunimit dhe ne nuk duam të bëjmë asgjë që mund ta përkeqësojë këtë klimë pozitive.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarët kosovarë, megjithatë, kanë paralajmëruar se do të paraqesin një kërkesë, për, siç është thënë, hapjen e konsullatës së përgjithshme në Strasburg. Çfarë mund të ndodhë nëse Kosova nesër paraqet kërkesë për anëtarësim në Këshillin e Evropës?

THORBJORN JAGLAND
Kur bëhet fjalë për konsullatën në Strasburg, ajo është çështje e autoriteteve në Francë dhe në Kosovë. Ajo nuk ka lidhje me Këshillin e Evropës. Natyrisht se ato do të komunikojnë me ne, por ajo është diçka tjetër. Unë nuk kam dëgjuar për këtë kërkesë. Do të merrem me të atëherë kur të arrijë.

Do të varet nga ajo se çfarë do të vendosin shtetet anëtare. Por, përshtypja ime është se ekziston shumicë e qartë në delegacionet, të cilat duan të shohin vazhdimin e mëtejmë të dialogut dhe cili do të jetë rezultati i tij.

RADIO EVROPA E LIRË
T’iu kthehemi aktiviteteve dhe programeve tuaja në Kosovë. Çfarë mund të presin kosovarët? Cilat janë përfitimet nga to?

THORBJORN JAGLAND
Një çështje që është shumë e rëndësishme për ta, përfshirë edhe serbët, është ajo që ne punojmë për ruajtjen e objekteve fetare dhe përmendoreve historike në atë pjesë të Evropës. E dimë se sa e rëndësishme është kjo për shumicën e qytetarëve. Kemi punuar për arsim.

Për qytetarët në Kosovë po ashtu është me rëndësi përdorimi i organeve tona mbikëqyrëse, për të monitoruar situatën e të drejtave të njeriut. Kjo është shumë e rëndësishme për qytetarët e thjeshtë, siç është rasti në gjithë Evropën.

RADIO EVROPA E LIRË
Asambleja Parlamentare e Evropës, këtë javë, ka miratuar po ashtu rekomandimet për draftin e Konventës për luftimin e trafikimit të organeve. Kemi dëgjuar se si shumë deputetë kanë përmendur Kosovën, raportin e Dick Martyt dhe hetimin e akuzave. Sa është arritur deri më tani në hetime?

THORBJORN JAGLAND
Kjo është në duart e EULEX-it. Ne nuk kemi të drejtë hetimi dhe atë e bëjnë ata që kanë. Nuk e di se deri ku është arritur, por është e rëndësishme që hetimet vazhdojnë, sepse ato i shërbejnë ndërtimit të besimit – të dihet se çfarë ka ndodhur në të kaluarën dhe çfarë ndodh tani.

Janë hetime të vështira, sepse shumë njerëz nga rajoni, por edhe më gjerë, mund të jenë të përfshirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në fund, cili është mesazhi juaj për politikanët në Kosovë?

THORBJORN JAGLAND
Të vazhdojnë dialogun me Beogradin dhe anasjelltas. Marrë parasysh prapavijën historike, të gjithë duhet të kuptojnë se e vetmja rrugë për të ecur përpara është arritja e gjuhës së përbashkët.

Ajo do të çojë na pajtim dhe siguri për të gjithë njerëzit që jetojnë atje, përfshirë edhe serbët në veri, por edhe të gjithë kosovarët. Pajtimi i vërtetë dhe siguria nuk mund të arrihen pa marrëveshjen e të dyja palëve. Kjo është mënyra e vetme.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG