Ndërlidhjet

Prishtina e revoltuar, por nuk tërhiqet nga bisedimet


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës
Tensionet në Luginën e Preshevës që pasuan heqjen e lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së nga ana e autoriteteve shtetërore serbe, dëmtojnë procesin e dialogut që po zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vlerësojnë përfaqësues të institucioneve dhe partive politike në Prishtinë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi thotë se tensionimi i raporteve të shtetit serb me shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës, ndikon në tensionimin e raporteve shqiptaro – serbe në përgjithësi.

Këto zhvillime, sipas tij, rrjedhimisht ndikojnë edhe në dialogun që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Hajredin Kuçi
Hajredin Kuçi
Natyrisht se ka ndikim, Ne kemi thënë edhe më herët se zhvillimet në raport Kosovë – Serbi nuk mund të jenë normalizim në kurriz të shqiptarëve që jetojnë atje (në Serbi). Përkundrazi, çdo tensionim i raporteve të një pjese të shqiptarëve do të ketë cenim të raporteve shqiptaro – serbe në tërësi”.

Ne jemi të bindur që qeveria serbe do të mbledh mendjen dhe zhvillimet, identiteti kombëtar i shqiptarëve atje dhe kërkesat e tyre duhet të mbështeten të përafërta me ato që i mbështesim ne për minoritetin serb në Kosovë”, ka thënë Kuçi.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje e ka bërë edhe Qeverinë e Kosovës përgjegjëse për largimin e lapidarit dhe zhvillimet në Preshevë.

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca thotë se kushtëzimi i vazhdimit të dialogut me Serbinë me mos heqjen e lapidarit do të ishte puna më e vogël që qeveria e Kosovës është dashur ta bënte.

Sipas tij, me politikën aktuale që po ndjek Qeveria e Kosovës po rrezikohet si pjesa veriore ashtu edhe Lugina e Preshevës.

Përderisa shqiptarët në Luginë nuk lejohen të kenë as një lapidar të vetëm përkujtimor, Qeveria e Serbisë i mbanë dhe i financon strukturat e veta kriminale në veri. Dhe, nëpërmjet kësaj politike që po e ndjek qeveria e Kosovës, ne nuk po mund ta mbrojmë as veriun e as Luginën e Preshevës”, thotë Konjufca.

Me gjithë reagimet e autoriteteve më të lartë shtetërore të Kosovës pas heqjes së lapidarit nga sheshi në qendër të Preshevës, Prishtina zyrtare nuk e ka vënë në pikëpyetje vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Ramush Tahiri
Ramush Tahiri
Pas takimeve në nivelin e kryeministrave, pritet që dialogu të vazhdojë edhe me takimet në nivel presidentësh.

Ramush Tahiri, këshilltar politik i presidentes Atifete Jahjaga ka konfirmuar të hënën se gjatë shkurtit, përkatësisht marsit pritet që në Bruksel të mbahet takimi i parë ndërmjet presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliq.

Takimi është thënë se do të mbahet shumë shpejt dhe është caktuar edhe data dhe agjenda e takimit. Mirëpo, i takon Bashkimit Evropian që ta tregon datën e saktë, por do të ndodhë, të themi brenda shkurtit ose eventualisht marsit dhe do të mbahet në Bruksel. Aty do të bisedohen çështjet parimore dhe do t’i jepet shtytje procesit të deritashme të dialogut dhe të themi, përkrahje në nivel të burrështetasve”, ka thënë Tahiri për televizionin publik.

Dialogu Prishtinë – Beograd, sipas ndërmjetësuesit, që në këtë rast është Bashkimi Evropian, ka për synim arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila besohet se do të nënshkruhet nga ana e presidentes Jahjaga dhe presidentit Nikolliq.

Megjithatë, zhvillimet e fundit në Preshevë dhe tensionet në veri të Kosovës shihen në vazhdimësi si kërcënim për epilogun e këtij dialogu.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG