Ndërlidhjet

Preshevë: Protestë kundër heqjes së lapidarit


Në Preshevë është mbajtur protesta kundër heqjes së lapidarit të ushtarëve të rënë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Xhandarmëria serbe ka larguar këtë monument të dielën në mëngjes, me urdhër të Qeverisë në Beograd.

Në vendin ku ka qëndruar ai, përkatësisht para Kuvendit Komunal të Preshevës, qytetarët kanë ndezur qirinj dhe kanë vendosur kurora me lule.

Të pranishëm në demonstratë kanë qenë të gjithë përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës, në mesin e tyre: kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, kryetari i Kuvendit Komunal, Skender Destani, krerët e Bujanocit, Nagip Arifi dhe Jonuz Musliu, si dhe veteranë të UÇPMB-së.

Ata u janë drejtuar qytetarëve dhe kanë lexuar një deklaratë, e cila, pos Qeverisë së Serbisë, është thënë se do t’iu dërgohet edhe organizatave ndërkombëtare.

Deklarata kërkon që lapidari të kthehet në sheshin ku ka qenë deri në gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi, që të zhvendoset përmendorja e policëve serbë nga Luçani, pasi ai është fshat i pastër shqiptar, si dhe të hapet dialogu në lidhje me realizimin e Marrëveshjes së vitit 2001 ndërmjet Qeverisë së Serbisë dhe përfaqësuesve shqiptarë të Luginës.

Pas adresimit dhe leximit të kërkesave, qytetarët janë shpërndarë.

Lapidari përkujtimor ishte vendosur në Preshevë në kuadër të kremtimeve të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe u kushtohej shqiptarëve që luftuan për më shumë të drejta në Luginën e Preshevës.

Konflikti ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare serbe ka marrë fund në maj të vitit 2001, me ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar.

Përfaqësuesit e shqiptarëve në Luginë, por edhe më gjerë, të dielën kanë thënë se Serbia vazhdon të zgjidhë problemet me dhunë dhe jo me dialog.

Në një konferencë për media në Preshevë janë dëgjuar po ashtu paralajmërime se shqiptarët e Luginës do të kërkojnë të drejta të barabarta si serbët e veriut të Kosovës.

Sot, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se situata e sigurisë në Preshevë është e qetë dhe se ngjarjet atje janë “çështje e brendshme” e Serbisë.

“Situata e sigurisë është e qetë. Mendoni se ajo mund të varet nga lapidari? Do të ishte një vend i shkretë sikur të varej”, u ka thënë Daçiq gazetarëve në Beograd.

Autoritetet serbe e konsiderojnë UÇPMB-në si “organizatë terroriste”. (v.t.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG