Ndërlidhjet

Dëmtim varrezash në Prizren dhe Kllokot


Foto nga arkivi, varrezat ortodokse serbe në Mitrovicë
Foto nga arkivi, varrezat ortodokse serbe në Mitrovicë
Një numër varrezash ortodokse serbe janë dëmtuar në Prizren dhe në Kllokot, kanë njoftuar autoritetet e rendit në Kosovë.

Numri i saktë i varrezave të dëmtuara ende nuk është publikuar, ndonëse jozyrtarisht është përmendur numri 56, prej tyre 27 varreza në Kllokot dhe 29 të tjera në Prizren.

Arbër Beka nga Policia tha për Radion Evropa e Lirë, se "hetimet janë duke vazhduar dhe deri më tash, nuk ka të arrestuar".

“Më datën 20 janar në Kllokot është raportuar për një rast dëmtim të varrezave. Gjatë patrullimit dhe vizitave të rregullta në varrezat ortodokse serbe, policia ka vërejtur të dëmtuara disa monumente të varrezave, të cilat ishin larguar nga vendi dhe janë parë të shtrira për toke", ka thënë Beka.

Sipas tij, njësitë policore janë duke u marrë me rastin deri sa nuk raportohet për të dyshuar të mundshme.

"Rast i ngjashëm është raportuar edhe në Prizren. Policia edhe atje ka marrë një informacion se janë dëmtuar disa pllaka përkujtimore të varrezave”, tha Beka.

Ndonëse askush s'e ka marrë përgjegjësinë për dëmtimin e varrezave, këto incidente pasojnë largimin e përmendores së ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, ditën e dielë, nga ana e xhandarmerisë serbe.

Përmendorja ishte e vendosur në oborrin e Kuvendit Komunal të Preshevës.

Zëdhënësi i policisë, Arbër Beka, ka konfirmuar po ashtu se Policia e Kosovës, ka shtuar patrullimet dhe masat e sigurisë, afër monumenteve serbe në gjithë vendin, në mënyrë që, siç tha ai, të mos ndodhin incidente të ngjashme si ato në Prizren e Viti.

“Në momentin që raportohen një apo dy raste të ngjashme, natyrisht që policia shton aktivitetin e vet në mënyrë që të ketë efektin e parandalimit të raportimit të rasteve të ngjashme. Ne përkujdesemi që të ketë aktivitete shtesë, në mënyrë që të mos paraqiten incidente të tilla”, deklaroi Beka.

Në Viti ndërkaq, një grup qytetarësh në Viti kanë rrënuar një përmendore që i takon periudhës së Luftës së Dytë Botërore.

Brahim Sadriu, zëdhënës në Policinë e Kosovës, e ka konfirmuar lajmin për Radion Evropa e Lirë.

“Një grup qytetarësh e kanë rrënuar një objekt përkujtimor të Luftës Nacional Çlirimtare, i cili ka qenë i vendosur në parkun e qytetit”, tha Sadriu.

Largimi i lapidarit të UÇPMB-së ka nxitur reagimin e institucioneve dhe subjekteve politike në Kosovë, të cilat kanë vlerësuar se ky vendim i Beogradit zyrtar "shkel të drejtat themelore të njeriut" dhe "është një akt qyqar".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG