Ndërlidhjet

Maqedoni: Protesta dhe kundër-protesta


Protestat e opozitës në Maqedoni
Protestat e opozitës në Maqedoni
Opozita maqedonase ka vazhduar me protestat kundër zhvillimeve të muajit dhjetor në Kuvend, kur deputetët e saj u dëbuan me dhunë nga salla e Kuvendit për të mos penguar miratimin e buxhetit.

Por, protestat në rrugë në shumë raste kanë hasur në kundër-protesta, që, sipas LSDM-së, organizohen nga pushteti me qëllim të zbehjes së tyre apo të tërheqjes së vëmendjes së opinionit nga incidentet që janë shkaktuar në protestat paralele.

Përveç në protestat e opozitës, kundër-protesta ka pasur dhe vazhdon të ketë edhe në çdo shprehje tjetër të pakënaqësisë që organizohen nga shoqata të ndryshme qytetare për çështje të caktuara ekonomike dhe sociale.

Raste të këtilla kishte me grevën e mjekëve dhe me shoqatën “Aman”, e cila, një kohë të gjatë organizon protesta kundër shtrenjtimin të energjisë elektrike, karburanteve dhe ngrohjes qendrore.

Duke komentuar kundër-protestat, Mirjana Najçevska, drejtuese e Institutit për hulumtime sociologjike dhe juridiko-politike thotë:

“Këtu, në fakt, fare nuk kemi të bëjmë me protesta të vërteta. Bëhet fjalë për mbështetës të Qeverisë, për persona që pushteti ose i manipulon, ose i blen apo përmes kërcënimeve të ndryshme, i detyron që të dalin në rrugë për t’i dhënë mbështetje gjoja punës që është duke bërë”.

Najçevska shton se Maqedonia ndoshta mund të jetë vendi i vetëm në botë që ndodhin raste të këtilla të protestave dhe kundër-protestave. Me këtë veprim, thotë ajo, Qeveria po tenton që me të gjitha format të rrënojë edhe të drejtën e fundit të garantuar me Kushtetutë - protestat, përmes të cilave qytetarët shprehin pakënaqësinë e tyre.

Vasko Llazarevski nga iniciativa qytetare “Aman” thotë se në veprimtarinë e tyre po përballen me probleme e presione të shumta për të mos ngritur zërin ndaj dukurive negative. Ai thotë se në shumë raste protestave të tyre kundër shtrenjtimit, pushteti i është përgjigjur me kundër-protesta.

“Protestat në Maqedoni janë shndërruar në llakërdi, në një lloj të kaosit, jo vetëm që është vështirë të mblidhen njerëzit, por ndaj tyre bëhen presione të hatashme që të mos dalin në rrugë, i kërcënojnë se ata ose të afërmit e tyre do të kenë pasoja nëse e bëjnë një gjë të tillë. Nga ana tjetër, partitë politike manipulojnë me anëtarësinë duke e nxjerrë në rrugë, edhe pse as ata vetë nuk e dinë se për çfarë protestojnë, por thjesht mendojnë se duhet të dëgjojnë urdhrat e partisë”, thotë Llazarevski.

Duke folur për situatën e këtillë, Jonuz Abdullahu, ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore, thotë se protestat dhe kundër-protestat të rikujtojnë zhvillimet në Serbi kur në pushtet ishte Millosheviqi, i cili, tentonte që në forma të ndryshme të pengonte zërin kritik.

Abdullahu nuk beson se në Maqedoni do të arrihet të zbehen protestat, si një nga shtyllat e sistemeve demokratike në botë.

“Nuk i humbin peshën se ky është një episod, një film i kaluar që ndodhte në Beograd kur protestat, Millosheviqi i titullonte si ndodhi populli”, shprehet Abdullahu, duke kërkuar përgjegjësi nga të gjitha institucionet, pasi situata, sipas tij, mund të dalë nga kontrolli dhe të ketë pasoja të rënda për vendin.

“Nëse pozita vazhdon kështu të bëjë mitingje dhe protesta të organizuara, protestat mund të dalin nga kontrolli, atëherë dihet se në çfarë rruge do të shkojnë. Do të jetë rrugë, e cila dëmton Maqedoninë, rrugë që frenon proceset euro-integruese, rrugë e cila mund të çojë në një të nesërme shumë të vështirë”, vlerëson Abdullahu.

Ai dhe njohësit tjerë të zhvillimeve të këtilla nuk përjashtojnë mundësinë që situata e protestave të përshkallëzohet edhe më tej, për faktin se në muajin mars në vend është paraparë mbajtja e zgjedhjeve për pushtetin lokal.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG