Ndërlidhjet

Dhuna ndaj grave mbetet problem serioz


Ilustrim
Ilustrim
Dhuna ndaj grave mbetet problem serioz dhe i vazhdueshëm në Kosovë.

Sipas të dhënave të policisë këtë vit janë raportuar rreth 882 raste të dhunës në familje, ku 90 për qind e tyre janë femrat.

Në një konferencë të organizuar nga Polica e Kosovës dhe UN-Ëoman, është thënë se së fundmi çështja e dhunës në familje po trajtohet me seriozitet.

Tahire Haxholli, udhëheqëse e Njësitit Kundër Dhunës në Familje në Policinë e Kosovës, ka deklaruar se prej 882 rasteve të raportuara si dhunë më familje, 170 persona janë arrestuar si pasojë e asaj se kanë përsëritur dhunën në familje.

Prej pas luftës kur edhe është ndërtuar njësia e veçantë e dhunës në familje, ka filluar të trajtohet në mënyrë institucionale dhe raportohen rreth 1,100 raste në vit. Nëse krahasohet me vitin e kaluar, ka një ngritje këtë vit, për rreth 100 raste. Viktima pas intervistimit, nëse nuk gjen një përkrahje nga familja që rrjedh, vendos të shkojë në strehimore. Kjo ndodh zakonisht te gratë që janë të varura ekonomikisht. Ka raste kur me urdhër mbrojtës kthehet edhe te vendi paraprak”, tha Haxholli.

Në bazë të statistikave që posedon Policia e Kosovës, në mbi 90 për qind të rasteve të dhunës në familje, gratë janë të papunësuara dhe janë të varura ekonomikisht, janë në nivel të ulët të arsimit dhe nuk kanë ndonjë kurs të aftësimit të tyre, andaj këto viktima mbesin çdo herë të varura.

Naim Rexha, zëvendësdrejtor i përgjithshëm për operativë në kuadër të Policisë së Kosovës, ka bërë të ditur se tashmë në Kosovë janë ngritur tri dhoma të intervistimeve të grave të cilat përjetojnë dhunë në familje.

Në tri stacione policore në Dragash, Gjilan dhe Gjakovë, janë krijuar tri dhoma të intervistimit të grave që kanë përjetuar dhunë në familje. Në lansimin e këtyre dhomave për intervistim, konsiston një mbështetje permanente për adresimin e dhunës në baza gjinore në Kosovë, përmes fuqizimit të zbatimit të ligjit bazuar në planin kombëtar për strategjinë kundër dhunës në familje”, bëri të ditur Rexha.

Në Kosovë ekziston Ligji kundër dhunës në familje, si dhe Strategjia dhe Plani i veprimit kundër dhunës në familje.

Por, sipas përfaqësuesve të organizatave joqeveritare, të drejtat e grave mbrohen vetëm në baza ligjore, ndërkohë që në praktikë ato janë larg standardeve ndërkombëtare

Derisa Osnat Lubrani, koordinatore e agjencive të Kombeve të Bashkuara që operojnë në Kosovë, ka deklaruar se duhet punohet edhe më shumë në trajtimin dhe ri-integrimin e grave që përjetojnë dhunë në familje.

Njëra prej qëllimeve kryesore të këtij programi tonë të përbashkët është që të avancojmë në implementimit në programin kundër dhunës në familje dhe planit për veprim në një kontekst më të gjerë dhe të adresojmë aktivitete tona në fushën e parandalimit, mbrojtjes dhe ri-integrimit. Në këtë kontekst dua ta theksoj që puna e dhunës në familje është një punë e kamotshme dhe ngërthen në vete angazhimet e policisë dhe gjyqësisë”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, udhëheqës të Këshillit për Lirinë dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, kanë deklaruar disa herë se kohët e fundit dhuna në familje ka shënuar rritje, dhe se sipas tyre ky fenomen, ka marrë përmasa shqetësuese.

Institucionet kanë përpiluar strategji, por që ajo nuk ka treguar efikasitet, meqë sipas tyre numri është në rritje.

Sidoqoftë, Kosova ka 6 qendra të strehimit, ku gratë që përjetojnë dhunë në familje, së bashku me fëmijët e tyre mund të strehohen përkohësisht derisa t’i bëhet zgjidhja e ri-integrimit.
XS
SM
MD
LG