Ndërlidhjet

Për 20 mijë gra të dhunuara, asnjë i dënuar


Ilustrim
Ilustrim
Nuk ka ende asnjë të dënuar për rreth 20 mijë raste të dhunimeve gjatë luftës së fundit në Kosovë, u tha të dielën në një konferencë me temën, dhuna seksuale ndaj grave gjatë konflikteve.

Konferenca është organizuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë në kuadër të nismave që Sekretari i Jashtëm, William Hague, që ka ndërmarrë në aspektin global për të trajtuar dhe luftuar këtë dukuri që përdoret edhe si pjesë e mjeteve të luftës nëpër vise të ndryshme të botës.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se institucionet po i ndërmarrin të gjitha masat ligjore që gratë e dhunuara të luftës së fundit të gëzojnë një mbrojtje ligjore si kategori e dëmtuar e luftës.

Atifete Jahjaga
Atifete Jahjaga
Por, mbi të gjitha, ajo tha se këto gra kërkojnë që dhunuesit të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

Para largimit nga Kosova në qershor të vitit 1999, pas bombardimeve dhe ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, forcat ushtarake, policore dhe ato paramilitare serbe, përveç se lanë pas mbi 10 mijë të vrarë e shkatërrime masive, lanë pas një plagë prej rreth 20 mijë femrave të dhunuara.

“Dhunime seksuale që besohet të kenë përfshi rreth 20 mijë femra shqiptare në Kosovë, kanë kaluar të pandëshkuara deri më sot dhe urdhërdhënësit dhe kryerësit e këtyre veprave, vazhdojnë të jenë të lirë".

"Mosadresimi i drejtë dhe mosndëshkimi i atyre që e bartën këtë strategji për qëllime të caktuara politike, i viktimizon gratë e prekura nga kjo dhunë”
, tha Jahjaga.

Luftërat e fundit në territorin e ish-Jugosllavisë kanë lënë si pasojë mijëra gra të dhunuara, ku për kah numri, prinë Bosnja e Hercegovina.

Në konferencë, u tha se dhunimet, kanë qenë mjet politik për dobësimin e moralit në familje dhe dëbimin e tyre, si pjesë e skenarëve për spastrim etnik.

Vlora Çitaku
Vlora Çitaku
Mirëpo, pavarësisht numrit të viktimave të dhunës seksuale në ish-Jugosllavi, edhe Kosova është prekur në shkallë mjaft të madhe, tha me këtë rast, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku.

“Gjithmonë kur flitet për dhunën seksuale dhe kampet e dhunimeve në Ballkan, përmendet vetëm Bosnja. Për Kosovën gjithmonë flitet se mund të ketë pasur dhunime. Për të mbijetuarat e dhunës, këto 14 vitet e heshtjes kanë shumëfishuar plagët, kanë shumëfishuar dhimbjen..., dhe paqen që kemi gjetur ne të tjerët, ato fatkeqësisht ende nuk e gëzojnë”, theksoi Çitaku.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, tha se pasojat e kësaj dhune në Kosovë kanë lënë rrënjë të thella dhe kanë prekur mijëra familje.

Një masë e madhe e tyre kanë arritur të absorbojnë atë shkallë të pikëllimit, depresionit dhe ankthit, por ka pasur edhe familje që nuk kanë arritur ta përballojnë këtë sfidë, që është një nga më të rëndat, u shpreh Agani.

Ferid Agani
Ferid Agani
“Në këto familje kemi parë edhe pasoja të rënda individuale për gruan që kanë shkuar edhe deri te çrregullimet më serioze, mendore, psikiatrike e më vonë deri te çrregullimet organike që rrënjët i kanë në pikëllimin, mërzinë, ankthin e tyre duke prekur në jetën e tyre në mënyrë substanciale”, potencoi Agani.

Data 25 nëntor, paraqet Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, kurse tryeza e së dielës në Prishtinë ishte një nismë që synonte të zëvendësojë kulturën e pandëshkueshmërisë ndaj dhunës seksuale gjatë konflikteve në mbarë botën.
XS
SM
MD
LG