Ndërlidhjet

Shpresë për eliminimin e AIDS-it


Ilustrim
Ilustrim
Autorë: Daisy Sindelar dhe Oksana Andruschak


Natalia Kovnir thotë se i ka dëgjuar një “milion” tregime horroringa të njohurit, nga momenti kur zbuluan se ishin HIV-pozitivë.

Nuk dallon as historia e saj.

“Unë e zbulova diagnozën time në vitin 1997. Unë merrja atëbotë drogë. Mjeku shqiptoi këtë frazë, që nuk e harroj sa të jem gjallë: Është faji yt. Vetë e ke shkaktuar këtë. Do të jetosh edhe disa vjet dhe pastaj ne do të tw themi lamtumirë”, kujton Kovnir.

Ajo sfidoi prognozën e zymtë të mjekut të saj. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, ajo është një nga 230 mijë njerëzit, që jetojnë me HIV në Ukrainë - vendi që është në epiqendër të një rajoni, që me kryeneçësi reziston ndaj përparimit të shquar të vendeve tjera në luftën kundër AIDS-it.

Agjencia për AIDS e Kombeve të Bashkuara (UNAIDS) thotë se përmirësimet e shpejta në trajtimin mjekësor dhe masat parandaluese e kanë ulur numrin e infeksioneve me HIV nga më shumë se 50 për qind në 25 vende të botës - duke përfshirë edhe Afrikën sub-Sahariane, ku sëmundja është dëshmuar të jetë më shkatërruese.

Përafërsisht 34 milionë njerëz, aktualisht, jetojnë me HIV rreth e rrotull globit.

Por, në një raport që koincidon me shënimin e Ditës Botërore kundër AIDS-it, UNAIDS thotë se tani është realiste të mendohet në “shkuarjen drejt zeros”- zero infeksione të reja dhe vdekje të lidhura me AIDS-in.

Ky optimizëm, megjithatë, nuk shtrihet në hapësirën e ish-Bashkimit Sovjetik. Së bashku me Lindjen e Mesme, kjo hapësirë mbetet e fundit në tokë, ku kriza e AIDS-it po përkeqësohet, dhe nuk po përmirësohet.

Në dekadën e kaluar, shtetet post-sovjetike kanë parë të rritet në vazhdimësi shkalla e infeksioneve me HIV, nga 130 mijë në vitin 2001 në 140 mijë në vitin 2011.

Numri i vdekjeve që lidhen me AIDS gjithashtu është rritur në 21 për qind në gjashtë vjetët e kaluara.

Jean-Elie Malkin, drejtor i UNAIDS-it për rajonin, thotë se rrënjët e problemit qëndrojnë në Rusi dhe Ukrainë, por sëmundja, sipas tij, është duke i kaluar shumë shpejt kufijtë.

“Rusia dhe Ukraina së bashku përfaqësojnë pak a shumë 90 për qind të epidemisë në gjithë rajonin. Por, rritja e epidemisë është parë në të gjitha vendet e rajonit. Nuk ka një rritje të epidemisë vetëm në mesin e popullatës së ndjeshme, të personave që injektojnë drogën. Nga kjo kategori, epidemia po lëviz ka popullata e përgjithshme nëpërmjet partnerëve të tyre seksualë”, thotë Malkin.


Migrimi, ndër faktorët e përhapjes së HIV/AIDS-it

Në një farë mase, emigrimi ka kontribuar në përhapjen e virusit.

Gjithnjë e më shumë, emigrantë nga Taxhikistani dhe Armenia po e marrin virusin nëpërmjet përdorimit të drogës apo kontaktit seksual në Rusi ose Ukrainë. Ata transmetojnë infeksionin te gratë apo partnerët tjerë seksualë kur kthehen në shtëpi, duke rrezikuar kalimin e virusit pastaj tek fëmijët e tyre.

Por, në një masë shumë më të madhe, është varfëria dhe mosveprimi i qeverisë, ai që po e thellon problemin.

Në pjesë tjera të botës, programet e shkëmbimit të gjilpërave,kanë çuar në një rënie të konsiderueshme të infeksioneve me HIV, në mesin përdoruesve të drogës përmes injektimit. Ndërkaq, qasja e vazhdueshme e pacientëve me HIV pozitivë në terapinë antiretrovirale ka reduktuar më shumë se 90 për qind të të ashtuquajturit transmetimin e “mëtejmë” të virusit nga një partner seksual te një tjetër, ose nga një nënë te i porsalinduri i saj.

Nëpër pjesën më të madhe të ish-Bashkimit Sovjetik, megjithatë, vetëm një e katërta nga 1.4 milionë sa vlerësohet se jetojnë me HIV, kanë qasje në trajtim.

Ekspertët e AIDS-it thonë se situata e zymtë në rajoninpost-sovjetik, është veçanërisht për keqardhje, për shkak të avancimit substancial, që vendet tjera po bëjnë në luftimin e sëmundjes.

Ilaçi Truvada
Ilaçi Truvada
Edhe pse ende është në zhvillim një vaksinë eventuale efektive, vitet e fundit kanë parë përmirësime të dukshme në qasjen e përballueshme të trajtimit me barna antiretrovirale - duke përfshirë Truvadan, që është trajtimi i parë preventiv për njerëzit HIVnegativ, i cili u miratua këtë vit për shitje në Shtetet e Bashkuara.

Mitchell Warren, drejtor ekzekutiv i AVaC, një grupi global avokimi për parandalimin e HIV-it me seli në Nju Jork, thotë se aktualisht në tërë botën 8 milionë njerëz trajtohen me barna antiretrovirale.

Këtë ai e quan arritje të madhe.

“Tetë milionë nuk arrijnë numrin e njerëzve që kanë nevojë për trajtim. Pra, ne ende kemi një hendek. Por, fakti se 8 milionë njerëz, të cilët janë të infektuar me HIV janë duke jetuar jetë të shëndetshme, jo vetëm në SHBA dhe Evropë, por në gjithë botën, është një përparim i shquar dhe mos harroni se një dekadë më parë, njerëzit thanë se kjo gjë nuk do të mund të ndodhte”, shprehet Warren.

Lufta ka gjasa të vazhdojë në vendet post-sovjetike të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, ku të paktën 60 për qind e fondeve për HIV, vijnë nga donatorët e jashtëm dhe ku OJQ-të, e jo qeveritë, kanë marrë përgjegjësinë për zbatimin e programeve të edukimit dhe trajtimit.

Në Ukrainë, vetëm 2 mijë njerëz aktualisht kanë qasje falas në barnat antiretrovirale. Por, Kovnir thotë se ndërgjegjësimi i publikut është përmirësuar jashtëzakonisht, që kur ajo u diagnostikua me HIV.

Kovnir, tani 41 vjeçe, jeton një jetë të shëndetshme dhe aktive. Ajo ka një të dashur HIV-negativ, punon në Kiev, si një specialiste e zhvillimit rajonal në Rrjetin Ukrainas të Personave që jetojnë me AIDS.

Por, Kovnir thotë se zyrtarët duhet të bëjnë shumë më tepër për të siguruar barna të mjaftueshme për pacientët me HIV.

“Një person i infektuar mund të jetojë shumë, shumë vite të lumtura. Ata mund të lindin fëmijë normalë dhe të shëndetshëm,mund të ndihmojnë një numër të madh të njerëzve të tjerë. Nëse qeveria jonë i kushton vëmendje asaj që, po e themi, se përhapja e infeksioneve me HIV është në rënie në sajë të faktit se njerëzit po marrin trajtim, në qoftë se ata na dëgjojnë, sigurojnë financim, ndërmarrin disa lloj veprimesh, atëherë ka mundësi që kjo epidemitë fillojë të ngadalësohet”, shprehet Kovnir.

Rritet numri i të prekurve me HIV, shkak migrimi
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:34 0:00

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG