Ndërlidhjet

Bizneset kërkojnë pako të re fiskale


Prishtinë
Prishtinë
Drejtuesit e dy organizatave më të mëdha, të cilat përfaqësojnë bizneset e Kosovës, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, kanë bërë thirrje për një pako gjithëpërfshirëse fiskale, që do të ishte stimuluese për zhvillimin e sektorit të prodhimtarisë në vend.

Sipas tyre, duke pasur parasysh eksportet gjithnjë e më të ulët të vendit dhe rritjen e ndjeshme të importeve, “lista e produkteve të liruara nga obligimet doganore në projektligj të jetë gjithëpërfshirëse e jo selektive”.

Safet Gërxhaliu, drejtues i Odës Ekonomike të Kosovës ka thënë se Ministrisë së Financave, lidhur me këtë projektligj, i kanë dërguar një listë prej 400 rekomandimesh, të cilat kanë të bëjnë me lëndët e para, që, sipas tij, është e nevojshme të lirohen nga obligimet doganore.

“E kemi analizuar një ligj, i cili është draftuar dhe dërguar në Parlament, si dhe pritet një miratim. Vërejtjet tona janë se të gjitha rekomandimet që kanë shkuar, nuk janë të përfshira. Ne nuk jemi për projektligjin, i cili ka qasje selektive, por dëshirojmë të kemi një qasje gjithëpërfshirëse, sepse në qoftë se mendohet për prodhimin, atëherë nuk duhet të ketë ndarje”.

“Por, të gjitha këto rekomandime, të cilat e kanë një arsyetim dhe bazuar në analizë, duhet të futen në këtë ligj, në qoftë se mendohet që zhvillimi ekonomik, krahas sektorit prodhues, do të jenë shtyllat kryesore të ardhmërisë së Kosovës”,
ka thënë Gërxhaliu.

Arian Zeka, drejtues i Odës Amerikane Në Kosovës, ka theksuar se projektligji për mallrat e liruara nga detyrimet doganore, ashtu siç është tani, nuk i plotëson nevojat e sektorit të prodhimtarisë së vendit, në qoftë se synohet që ky sektor të jetë konkurrues, e që rrjedhimisht, do të ndikonte në zvogëlimin e deficitit tregtar.

Arian Zeka
Arian Zeka
“Kemi shembuj shumë të mirë, përvoja shumë të mira, nga vendet e rajonit, nga Serbia apo Maqedonia, të cilat japin stimuj monetarë, japin pushime tatimore për bizneset e reja, për bizneset që kanë plane për investime të shumta”.

“Nëse ne nuk jemi në gjendje që për momentin, në mungesë të një fondi zhvillimor, të japim stimuj monetarë, atëherë ajo çfarë mund të bëjmë është që, së paku, të japim një liri ose një pushim tatimor, i cili do t’ua mundësonte bizneseve që të zhvilloheshin brenda një periudhe të caktuar dhe pas dy-tri vjetësh, të fillonin edhe pagesën e taksave”,
ka theksuar Zeka.

Drejtuesit e të dy odave kanë shprehur shqetësimin edhe për disa çështje të tjera, me të cilat po përballet së fundmi sektori privat në Kosovë.

Gërxhaliu ka kritikuar vendimin e Doganave që u është përcjellë shumë bizneseve për mbylljen e depove doganore, duke theksuar se kjo vetëm sa do të vështirësojë edhe më tej punën e tyre.

Sipas Gërxhaliut, vërejtjet, të cilat i kanë adresuar përfaqësuesit e bizneseve të Kosovës, institucionet përgjegjëse duhet t’i marrin me seriozitet edhe për faktin se më 17 dhjetor pritet të zyrtarizohet anëtarësimi i Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

“Duhet fare mirë të kuptohet që forma e komunikimit ndërmjet Kosovës dhe këtij institucioni të rëndësishëm, janë projektplanet ose studimet e fizibilitetit, të cilat kanë arsyeshmëri. Sa më tepër që t’i eliminojmë këto barriera dhe të jemi të orientuar për të përkrahur sektorin privat që t’i rrisë kapacitetet e veta prodhuese, mundësia e absorbimit të mjeteve që ofron Banka, është shumë më e madhe”.

“Por, derisa krijojmë kufizime të tilla, besoj që do të jetë shumë mirë që të jemi anëtarë, mirëpo nuk ia vlen që të jemi anëtarë, në qoftë se nuk i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë dhe beneficionet që i ofron një institucion i tillë çfarë është Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim”
, është shprehur Gërxhaliu.

Ndryshe, përfaqësuesit e të dyja odave e kanë ngritur edhe problemin e tregtimit me Bosnjë dhe Hercegovinën, si dhe mospranimin e dokumenteve të këtij vendi nga ana e autoriteteve të Kosovës, siç janë certifikatat e veterinës, të cilat, siç thanë ata, vështirësojnë qarkullimin e lirë të mallrave, por edhe u shkaktojnë humbje ndërmarrjeve kosovare, për shkak se maunet e shumë prej tyre tash e disa ditë po presin nëpër vendkalimet doganore, pa qenë në gjendje të marrin një trajtim të duhur.

Ata theksuan se problemet politike në asnjë moment nuk duhet të jenë pengesë e bashkëpunimit ekonomik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG